Përfundon hetimi ndaj Kastriot Ismailaj, përfitoi 4.6 mln euro me anë të mashtrimit

Saimir Lleshi

Task-forca e prokurorisë mbyll hetimet ndaj të pandehurit Kastriot Ismailaj, i akuzuar për pastrim të parave dhe mashtrim me pasoja të rënda, që i ka sjell shtetit një dëm prej 4.6 milion euro.

Këtë shumë, kompania e Ismailajt DIA e ka përfituar me anë të mashtrimit nga kompania çeke CEZ shpërndarja, ku shteti shqiptar ishte aksioner me 26 % të kuotave. Sipas akuzës, Ismailaj duke përdorur të dhëna të rreme dhe dokumente të falsifikuara apo fiktive ka arritur të vjedhë nga llogaritë e shoqërisë çeke shumën prej rreth 4.6 mln euro.

Kjo shumë, i ka kaluar kompanisë së Ismailajt me ndihmën e ish-përfaqësuesit të kompanisë çeke në Shqipëri, Josef Hejcek për të cilin është veçuar hetimi për akuzën e mashtrimit. Sipas prokurorisë, këto para Ismailaj i ka përvetësuar duke krijuar një kompani me emrin DIA, me të cilën ka firmosur një kontratë dy vjeçar me kompaninë CEZ me objekt mbledhjen e borxheve dhe kamatat të debitorëve që kanë kaluar afatin prej 90 ditësh. Prokurorët thonë se pavarësisht marrëveshjes Kastriot Ismailaj, nuk ka mbledhur borxhet e CEZ-it dhe as ka kryer ndonjë pune reale, por ka përfituar shumën prej 4.6 mln euro me dokumente fiktive.

Sipas prokurorisë, shumën e përfituar nga kompania CEZ Shpërndarja, i pandehuri Ismailaj e ka investuar në kompani të tjera në Shqipëri, duke konsumuar kështu akuzën e pastrimit të parave. Këtë vepër, prokuroria pretendon se e ka kryer edhe me krijimin e 5 kompanive të tjera tregtare, me anë të cilave ka kryer transaksione të mëdha parash, që dyshohet se kanë burime kriminale.

Ky dyshim, është ngritur pasi në të gjitha transaksionet e kryera nuk kishte dokumente shoqëruese për origjinën e parave apo një dokument mbulues e justifikues për arsyen e ardhjes në Shqipëri. Nga verifikimi i kryer, rezulton se brenda një periudhe të shkurtër në llogarit e tij bankare, kanë ardhur deri në 12 mln euro. Që më pas, një pjesë e konsiderueshme e saj është transferuar drejt vendeve të njohur si parajsa fiskale apo në vendet afrikane.

Prokuroria, ka provuar se në të gjitha këto raste, kompanitë e Ismailajt në Shqipëri nuk kishin aktivitet tregtar të deklaruar. Sipas akuzës, në llogarit bankare të Ismailajt, tashmë janë bllokuar vetëm një shumë prej rreth 5 mln euro, e që rezultojnë se kanë ardhur në Shqipëri nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Abc News.

Burimet thanë ka qenë vet prokurorja Antoneta Sevdari, e cila i ka komunikuar akuzat Kastriot Ismailajt në dhomat e paraburgimit “Mine Peza”, ku i pandehuri i ka mohuar ato. Para prokurores, ai nuk ka pranuar të jap shpjegime për akuzat duke pretenduar se do të flas para togave të zeza, gjatë fazës së gjykimit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *