Personazhi kryesor i grupit kriminal që akuzohet për trafik droge me avion nga Shqipëria në Itali, i arrestuari Sokol Lamaj (Bruhamaj), ka qenë tepër i kujdesshëm.
Nën frikën se mund të përgjohej nga policia, apo i informuar në lidhje me faktin se mund të ishte në hetim, kjo ende nuk dihet, por pak ditë para kapjes së helikopterit me drogë në Itali, Sokol Lamaj ka bërë një veprim të çuditshëm. Ai fikte telefonin herë pas here dhe thuajse çdo ditë përdorte një numër dhe një aparat të ri celulari.
Më konkretisht, sipas hetuesve, në datë 19.08.2015, Sokol Lamaj (Bruhamaj), me numrin e tij ka kryer biseda me përdoruesin e një numri telefoni të identifikuar se ishte në përdorim nga Vladimir Zanaj, me detyrë Shef i Sektorit të Personelit në DPQ Vlorë.
Mes këtyre dy personave mësohet se janë zhvilluar dy biseda, më saktësisht në orën 07:56:06 dhe në orën 08:33:58.
Bisedat janë zhvilluar në kohën kur forca të policisë kanë shkuar në zonën ku grupi kriminal kishte mbjellë drogë dhe kanë asgjësuar tri parcela me 387 bimë narkotike kanabis sativa. Aksioni është zhvilluar në fshatin Ramicë te përroi.
I njoftuar nga “rojet” e parcelave me drogë, Sokol Lamaj ka marrë në telefon zyrtarin e Policisë së Vlorës, duke i thënë se “kanë ardhur këta, po prishin parcelat”. Sipas hetuesve, pas asgjësimit të bimëve narkotike, Sokoli ka kryer disa biseda dhe më pas ka fikur telefonin.
Ky ka qenë veprimi i parë i kryer nga i akuzuari që, sipas hetuesve, të bën të mendosh se ai ka dashur të fshihte vendndodhjen e tij, duke e fikur fare telefonin.

S’shtyhet jeta si lepuri në ferra