Një bisedë telefonike e përgjuar gjysmë ore pas ekzekutimit mafioz të kryekomisar Dritan Lamajt, mbrëmjen e 24 shkurtit 2013, mban mbrapa hekurave biznesmenin Arben Frroku. Në dosjen e prokurorisë, kjo është e vetmja provë që i është dërguar Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila caktoi dhe masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj biznesmenit, për akuzën e “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”. Madje, vetëm referuar kësaj prove dhe shqetësimit që shfaqnin familjarët e Frrokut, gjykata ka vendosur të mbyllë të qeli Frrokun.
“Nga këto përgjime, rezulton se shtetasi Arben Frroku, në komunikimin e tij rrugës për në Greqi me përdoruesin e numrit të telefonit celular 0030….78, si dhe me bashkëbisedues të tjerë, shprehet entuziast, duke krijuar përshtypjen se kishte përfunduar ndonjë punë dhe duhej të festonte”, – arsyeton gjykatësja Etleva Deda, e cila caktoi masën e sigurisë për Frrokun. Prokuroria pretendon se ka disa pamje filmike nga vendi i ngjarjes, ku është filmuar makina tip “BMW”, nga e cila derdhi mbi trupin e Lamajt një breshëri automatiku, ku të paktën 12 plumba i përshkuan trupin.
Verdikti i Gjykatës
Apelimi i bërë nga avokati i Arben Frrokut, nuk është marrë parasysh nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Në një seancë me dyer të mbyllura, treshja gjykuese, e kryesuar nga Dhurata Haveri dhe anëtarë Gjovalin Përnoca e Sokol Binaj, vendosi ta lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj biznesmenit, i cili dyshohet nga prokuroria se ekzekutoi me 12 plumba kallashnikovi Dritan Lamajn, me të cilin u konfliktua ashpër në kohën kur i ndjeri ushtronte detyrën e shefit të Komisariatit nr.6 në Tiranë. Ky vendim i hap rrugë ekstradimit nga Greqia të biznesmenit, natyrisht nëse kërkesa e drejtësisë shqiptare, e cila ka mbërritur tashmë në shtetin helen, do të miratohet nga gjykatat greke.
Reagimi i avokatit
Jashtë dyerve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, avokati Tonin Prendi, e cilësoi të padrejtë vendimin për mospranimin e apelimit. “Për mendimin tonë, nuk është i drejtë ky vendim. Nuk ka qenë i drejtë as vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për arsye se me provat që u paraqitën sot përpara Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, prova të cilat një pjesë ia kemi vënë në dispozicion edhe më përpara organeve hetimore, i kanë parë edhe më parë, se janë prova shkencore. Me anë të tyre, ne provojmë se klienti im Arben Frroku ka qenë larg vendit të ngjarjes, larg vendit ku është bërë vrasja dhe për këtë arsye mendojmë se nuk kishte vend për t’u lënë në fuqi ky vendim. Duhej të shfuqizohej dhe të hiqej masa e sigurisë për Arben Frrokun”. Duke folur për provat, avokati tha se “prova të cilat, nëse do t’i citoj janë filmime, janë të pakundërshtueshme, të cilat vërtetojnë se Arben Frroku ka pas kaluar edhe qytetin e Elbasanit në momentin që ka ndodhur vrasja në Tiranë. Po ashtu, janë tabulatet e telefonave celularë, të cilat provojnë se ky shtetas ishte larg vendit të ngjarjes, pra që përputhen edhe me filmimet që janë depozituar si provë”. Mbrojtësi ligjor theksoi gjithashtu se “i gjithë itinerari i rrugës që ka ndjekur Arben Frroku për të dalë nga qyteti, nuk përputhet me vendin ku ka ndodhur vrasja”. Sa i përket bisedës telefonike, mbi bazën e së cilës është ngritur dhe akuza, avokati theksoi se: “Mund të them që nuk ka asnjë lidhje direkte ky mesazh me atë që po hetohet. Është thjesht një mesazh i shkëputur, që ‘kam kryer një punë’; përmes një telefonate, ky shtetas thotë që ‘kam kryer një punë’. Ai ka angazhime të mëdha, biznese të ndryshme në Shqipëri. Nuk mund të thuhet që ‘kam kryer një punë’ dhe të bëhet lidhja automatikisht me vrasjen”./bw
