Mungesa e kapaciteteve pritëse çon në përgjysmimin e kuotave për pranimet e reja që do të realizohen në programet studimore të specializimeve afatgjata në degët e Universitetit të Mjekësisë. Një ndër shkaqet që çon në pakësimin e këtyre kuotave, sipas ekspertëve të shëndetësisë, është mbipopullimi i shërbimeve spitalore, si dhe i fakultetit me një numër të lartë të specializantëve të pranuar në vitet e mëparshme, raport i cili nuk ka ecur në nivele të drejta me shtimin e ambienteve.
Konkretisht për vitin akademik 2012-2013 janë propozuar nga Universiteti i Mjekësisë si hapësira të lira për pranimet në këtë cikël studimesh rreth 200 specializantë, shifër e cila një vit më parë ishte dy herë më e lartë. Propozimet tashmë janë dërguar Ministrisë së Arsimit dhe kjo e fundit do t’i përcjellë për në Këshillin e Ministrave, ku dhe bëhet miratimi përfundimtar i kuotave dhe procedurave që do të ndiqen për kandidatët e rinj që do të plotësojnë kriteret e përcaktuara për të fituar një të drejtë studimi në 36 specialitetet e ndryshme mjekësore.
Pakësimi i kuotave do të çojë në zhvillimin e një gare të ashpër pranimi, pasi numri i kërkesave për të vijuar këtë cikël studimi pohohet të jetë shumë herë më i lartë se sa kuotat që pritet të miratohen. “Këtë vit Fakulteti i Mjekësisë ka konfirmuar se ka mundësi apo kapacitete për të specializuar rreth 200 kandidatë në fusha të ndryshme. Me këto kushte Ministria e Shëndetësisë i ka propozuar Ministrisë së Arsimit dhe vetë Fakultetit të Mjekësisë që të specializohen në degë të ndryshme 195 specializantë në kurset afatgjata.
“Nëse kemi në konsideratë se aktualisht janë në vit të dytë të specializimeve rreth 400 specializantë të tjerë, mendoj se janë të mjaftueshme për momentin. Por gjithsesi këto kuota nuk janë në përputhje të drejtë me kërkesat e spitaleve rajonale dhe të spitaleve private. Në këtë formë mendoj se gradualisht po krijojmë një treg të specialistëve të shëndetit”, konfirmon në një prononcim dhënë për gazetën “Dita”, kreu i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.
Për të fituar një të drejtë studimi në këto programe, kandidatët do t’i nënshtrohen një testimi specifik në fushën ku aplikojnë. Vetëm nëse kalojnë me sukses këtë testim dhe kanë notë mesatare të studimeve të kënaqshme, do të mund të vijojnë fazën tjetër të përzgjedhjes atë të intervistës. Megjithatë në pranimet e realizuara gjatë viteve të mëparshme shpallja e fituesve është shoqëruar me debate të shumta për shkak të akuzave të ngritura nga vetë kandidatët për abuzime të kryera në përzgjedhjen e fituesve.
Sa i takon tarifës së studimit, ende nuk është bërë publike se sa do të jetë kostoja e studimeve që do të duhet të shlyejnë kandidatët që do të pranohen në këto programe. Programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të studimeve të ciklit të tretë, profesionalisht të orientuara, që ofrojnë njohuri për profesione specifike në fushat e mjekësisë, stomatologjisë, veterinarisë. Këto programe të studimeve përfshijnë studime teorike të kombinuara me aplikime praktike dhe trajnime profesionale. Mund të përfshihen në to dhe veprimtari kërkimore, nëse nevojitet. Për kryerjen e programeve të studimeve specializuese afatgjata, studenti duhet të grumbullojë 120-240 kredite dhe zgjatja normale e këtyre programeve të studimeve është 2-4 vite.
36 programet e specializimeve
Janë rreth 36 programe në të cilat kandidatët do të mund të aplikojnë për vijimin e studimeve të specializimit afatgjatë. Konkretisht programet e studimeve të specializimeve afatgjatë do të përfshijnë kuota pranimi për specialitetet në Alergologji, Anatomi patologjike, Anestezi-reanimacion, Dermatologji, Endokrinologji, Gastrohepatologji, Hematologji, Diagnozë me imazhe, Kardiokirurgji, Kardiologji, Kirurgji e përgjithshme, Kirurgji maksilo-faciale, Laborator klinik-biokimik, Mikrobiologji, Mjek familjeje, Mjekësi interne, Mjekësi ligjore, Nefrologji, Neurologji, Neurokirurgji, ORL, Obstetrikë-gjinekologji, Okulistikë, Onkologji, Ortopedi-traumatologji, Pediatri, Pedodonti, Pneumonologji, Psikiatri, Psikiatri e fëmijëve dhe e adoleshentëve, Reumatologji, Sëmundje infektive, Shëndet publik, Terapi stomatologjike, Toksikologji klinike, si dhe stomatologji (kirurgji orale, kirurgji maksilo- faciale, protetika fikse, protetika të lëvizshme, protetika kirurgjikale, ortodonci periodontologji).