Përgjysmon taksën për fushatë, dyfishon ndotjen

anazapta

Vendimi i qeverisë për të përgjysmuar taksën e makinave të vjetra, përveçse një mënyrë për të përfituar në kohë fushate, i hap rrugën ndotjes së ambientit, çka do të reflektohet në shëndetin e qytetarëve. Ambientalistët e konsiderojnë vendimin e djeshëm të qeverisë një hap mbrapa në mbrojtjen e mjedisit. Në një prononcim për “Gazetën Shqiptar”, ambientalistët Xhemal Mato dhe Sazan Guri, thonë se ky është një vendim i gabuar.

“Para dy javësh, në takimin që u zhvillua me Dhomën e Tregtisë kërkuam të kundërtën. Ne thamë që makinat e vjetra pothuajse të ndalohen. Meqenëse për të ndaluar nuk i ndalon dot plotësisht, të paktën dekurajoji duke iu vënë taksa të larta. Përgjysmimi i taksës është i gabuar. Jam patjetër kundër përgjysmimit të taksave për makinat e vjetra, sepse nuk inkurajohet blerja e makinave të përdorura, pasi ato nuk e kanë marmitën ekologjike siç e kanë makinat e reja. Ajo mund të nxjerrë 30-fish më tepër karburant të padjegur, ose oksidet e azonit e oksidet e squfurit ato i nxjerrin 10-15 fish më tepër në krahasim me makinat e 2005 e më tej. Bota makinat 10-vjeçare i çon për skrap. Kjo nuk mund të bëhet dhe për mua është shumë e gabuar dhe e nxituar”, thotë Sazan Guri. Ndërsa për ambientalistin Xhemal Mato, e konsideron vendimin një veprim antimjedisor. “Taksat e makinave duhet të përshtaten me tregun e Evropës, por nga ana tjetër është tregu ynë që do kërkonte të përdoreshin edhe makinat më të vjetra, që janë edhe më të lira. Me një fjalë këtu është vlerësuar më shumë tregu sesa mjedisi. Unë mund të them që është një veprim antimjedisor. Fakti që zbut taksat për makinat e vjetra do të thotë që është një hap mbrapa në lidhje me kriteret apo politikat mjedisore. Kjo nuk e përmirëson cilësinë e ajrit, sepse ato natyrisht janë makina të vjetra dhe e para do të mbeten si mbetje dhe plehra këtu dhe e dyta janë motorët që janë më të vjetër dhe nuk janë të standardeve që të lëshojnë pak tym. Janë motorë që shtojnë tymin. Të mendosh që të shtosh për shembull edhe 10 mijë makina të vjetra në Tiranë do të thotë që ajri të dyfishohet në ndotje. Kjo realisht nuk është një politikë mjedisore, por është një politikë për të varfërit. Është një hap prapa sa u takon politikave mjedisore dhe duke e mpleksur këtë me situatën aq të rëndë të ajrit, që ne hyjmë në zonën e kuqe do të thotë që kjo është vërtet e dënueshme. Vetëm në Tiranë diskutohet që ka 500 vdekje në vit si pasojë e ndotjes”, thotë ai.

Share This Article
5 Comments
  • Nuk i intereson kryeministrin nese vdesin qytetare cdo vit, per te jane disa qindra mijera emra me shume per te ekzistuar ne qendrat e votimit dhe “per te votuar” si te doje vete…
    Ndotja eshte stratosferike, nuk ka person qe te mos kete shkuar disa dhjetera here per tu vizituar per probleme frymemarrje, si pasoje e ndotjes dhe alergjive nga produktet toksike qe dalin ne ajer.

  • Deshtimi i qeverise per te mbrojtur mjedisin eshte qe kur ne krye te Ministrise se Mjedisit vuri Fatmir Mediun, ai qe pervec demeve te pallogaritshme ne jete njerezish, ekonomike, me shperthimin e Gerdecit shkaktoi ndotjen me te madhe mjedisore ndonjehere.

  • Pergjysmon taksat para fushates, sic ka bere gjithmone. Para fushates, qytetaret kane perfituar heqje taksash, dhe pas zgjedhjeve perballen me cmime disa qindra dhjetera here me te larta per te kompensuar boshllekun ne buxhetin e shtetit qe krijon kjo heqje taksash.

  • More njerez, a e dini ju qe cdo automjet kryen kolaudimin ose kontrollin teknik. Nese e kalon ate atehere do te thote qe ndotja e tij eshte brenda parametrave te lejueshem, dmth nuk ka lidhje eshte automjet i ri apo i vjeter. Ky eshte kushti i vetem dhe jo pallavrat e servirura nga te ashtuquajturit ambientaliste.

  • Beri mire qe e hoqi megjithese e hoqi per te perfituar para fushates.Makina te vjetra qarkullojne sot edhe ne vendet qe kane shpikur nocionin e ndotjes se mjedisit por atje detyrohen njerezit te perdorin pajisje qe eleminojne ndotjen dhe kryesorja shteti nuk lejon perdorimin e naftes jashte standarteve .Tek ne mendoj se e para eshte zenja e njerezve me pune pasi fukaralleku po i le vendin mjerimit dhe e dyta eshte ndotja e ajrit.Kam idene se per keta njerez te varfer ajri i ndotur ngjan te jete lluks perpara mungeses se bukes e ilaceve ,qe sigurohen nga puna.Mjafton te hapni internetin dhe do shihni makina edhe para viteve 85 qe qarkullojne akoma ndonese me pakice ne Gjermani e gjetke dhe kjo s’perben anje shkelje perderisa ato plotesojne standartet.Si mund te paguaje nje makine qe kushton shume pak takse shume me te larte se nje makine lluksoze,e kunderta ndodh kudo .Pastaj dhe makinat e punes duhet te paguajne takse shume me te vogel se makinat e qefit dhe jo aq sa ato te mbyllen,makinat e punes taksohen pak ne bote pasi shteti vjel nepermjet tatimeve T.V.SH. dhe tatim fitimin per transportet qe ato realizojne.Por tek ne nuk sundon logjika por rrumpalla e doktorit te semure.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *