Deklaratat e përfaqësueses së Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë në takimin e biznesit me Kryeministrin dy ditë më parë, lidhur me gjendjen shumë të vështirë të këtij të fundit dhe klimën e papërshtatshme për biznes në Shqipëri, nuk janë emocionale (sikurse desh t’i paraqiste kreu i qeverisë). Zj. Luli-Faber asnjëherë nuk është shquar për emotivitet në punën e saj. Ajo u ankua se nuk mund të ftonte investuesit amerikanë në Shqipëri në klimën e sotme të biznesit tek ne. Dhoma Shqiptaro-Amerikane e Tregtisë shqetësimin e saj për një mjedis jo të favorshëm për tërheqjen e investimeve të huaja ia ka shprehur në mënyrë të veçantë edhe Ministrisë së Financave. Për zj. Luli-Faber probleme të mprehta mbeten rimbursimi i TVSH-së, rritja e bazës së tatimpaguesve, pagesa e taksave për të gjitha entet që zhvillojnë biznes. Edhe pse ka një Këshill Konsultativ Biznesi dhe një Këshill Tatimor, konsultimi me biznesin nuk ndodh. Nuk ka asnjë konsultim real me biznesin për ndryshimet ligjore. Në te gjitha nismat fiskale të fundit që ka marrë qeveria, duke filluar nga janari i vitit 2013, keto janë ligje që nuk konsultohen me biznesin. Një shqetësim tjetër mbeten rikontrollet, ri-interpretimet e reja ligjore dhe gjobat e mëdha marramendëse që i vihen biznesit. Në investimet e huaja, Fondacioni « Qatar Foundation, një nga financuesit më të mëdhenj në botë dhe që do të investojë 37 milionë USD në ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, po investon 200 milionë euro në Mal të Zi. Ky grup kërkoi të realizonte këtë investim (200 milionë euro) në Shqipëri, por nuk gjeti projekte të gatshme dhe e transferoi në vendin fqinj. Të njëjtën gjë ka bërë një tjetër grup izraelit i interesuar për investime në bujqësi. Ky grup tashmë e çoi investimin e tij në Maqedoni. Situata e biznesit vendas paraqitet edhe më problematike se investuesit e huaj. Investimet publike janë ulur dhe bankat kanë shtrënguar kreditimin. Biznesi raporton vështirësi të theksuar të likuiditeteve. Praktikisht në Shqipëri ka krizë likuiditetesh për sipërmarrjen. Rënia e shitjeve, niveli i madh i borxheve me njëri-tjetrin dhe me qeverinë, ka stopuar investimet dhe ka rritur “frikën” për të ardhmen. Konfirmohet vështirësia e gjetjes së financimeve, uljet e ndjeshme të shitjeve, ndërkohë që pritshmëritë për muajt në vazhdim të 2013-ës, sidomos të gjysmës së dytë të vitit, janë gjithashtu negative. Situata është pohuar së fundmi edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila ka bërë të ditur ecurinë e ngadaltë të investimeve. “Të përballur me një kërkesë të ulët dhe me kapacitete të lira prodhuese, si dhe në prani të pasigurisë për zhvillimet brenda dhe jashtë vendit, bizneset kanë shtyrë në kohë vendimet për investime të reja”, është shprehur Guvernatori Fullani. Banka jonë Qëndrore ka përcaktuar tashmë në parashikimin e saj për këtë vit se ekonomia do të rritet nën potencial. Dy përbërësit kryesorë të kërkesës, konsumi dhe investimet private, mbeten të ngadaltë. Një shenjë e qartë se kriza e likuiditeteve të biznesit po thellohet është ulja e depozitave pa afat që mbahen nga korporatat jofinanciare në dy muajt e parë të vitit 2013. Përgjysmimi i ritmeve të rritjes së kredisë në muajt e parë të 2013-s është një tregues që thotë se problemet e likuiditetit për biznesin nuk pritet të lehtësohen në një të ardhme të afërt. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, në muajt e parë të këtij viti, dy nga bankat më aktive në hua gjatë tre vitet e fundit, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) dhe banka “Credins” kanë ndryshuar politikat e tyre. Gjatë vitit të kaluar, BKT pati një rritje prej vetëm 1% në stokun e huasë, ndërsa “Credins” thuajse e përgjysmoi kreditimin. Në rënien e likuiditeteve për biznesin ka ndikuar edhe vetë qeveria përmes vonesës së pagesave për detyrimet që ajo ka ndaj biznesit. Ndërtuesit thonë se qeveria u ka ende borxh rreth 7 miliardë lekë, kurse karburanteve, të paktën afro 3 miliardë lekë, të prapambetura. Eksportuesit nga ana e tyre shprehen se janë në situatën më të keqe të mundshme. Partnerët e huaj ua kanë zgjatur afatet e pagesave, thuajse dyfishuar, ndërkohë që ka dhe nga ata që nuk kanë paguar fare. Ndërsa industria përpunuese e artikujve ushqimorë raporton ulje për shkak të tkurrjes së konsumit, në industritë e lidhura me ndërtimin, kriza është e dukshme. Industria e tullave raporton se ka hyrë në krizë të thellë. Tregu vazhdon të vuajë mungesën e madhe për likuiditet, për shkak të uljes së kreditimit, por edhe fenomenit të thelluar të kleringut në ndërtim. Nga ndërtuesit po vijnë gjithnjë e më pak para, sepse kanë reduktuar sasinë e blerjes së tullave. Kompanitë e ndërtimit përllogariten të kenë borxhe të mëdha të papaguara te prodhuesit e tullave dhe rreth 70 përqind e borxheve janë në zonën Tiranë-Durrës. Një ngërç i madh është tkurrja e kredisë bankare, që nëse do të vazhdonte normalisht, do të kishte nxitur më shumë ndërtimin dhe si pasojë, do të kishte rritur shitjet. Në këto kushte, qeveria vijon me ndërhyrjet dhe vendimet e saj arbitrare në sistemin fiskal, duke e rënduar edhe më shumë gjendjen.
Gjate qeverisjes se Partise Demokratike,krahas shume deshtimeve te tjera zhurmemedha,ka deshtuar edhe biznesi i ndershem,i paangazhuar ne strukturat e partise ne pushtet….Partia ne pushtet ka inkurajuar vetem monopolet…Personalisht,me dt 17 Janar 2013 i kam derguar kryeministrit,z.Berisha nje ankese mbi menyren se si me falimentuan autoritetet doganore dhe te tatim taksave…asnje pergjigje….Z.Berisha,ne te gjithe diskursin e tij ne lidhje me biznesin e ka vetem mashtrim dhe se eshte jashtezakonisht larg interesave te popullit,te vete zgjedhesve te tij…Z.Berisha,me autoritetin e tij ka punuar fort per nje administrate te paafte dhe super te korruptuar….Une po i kujtoj moszbatimin e nenit 34 te kodit doganor mbi referenncat ne dogana….Le te vije dhe te vertetoje se ne doganen e shkodres,per asnje rast,asnje mall nuk mund te zhdoganohet pa cmime reference,me perjashtim te beniamineve te PD te cilet bejne diferencen….
Ju nuk do te merrni me voten time,z.Berisha…!