Moikom Zeqo
(Guillaume Apollinaire dhe De Rada)
Lamartini, Viktor Hygo, Frederik Mistral, emra emblematikë dhe dritëndriçues të shekullit XIX. Më të famshmit e Kontinentit Evropian! Çudi të intelektit! Të ndryshëm dhe ngulmue.
Të paparë dhe universkrijues. Dukuri universale dhe imponues. Krenarë dhe të ndryshëm. Kaq të largët nga Shqipëria dhe kaq të huaj për gjuhën shqipe. Mistifikues të artit të tyre, por edhe të ndjeshëm. Madhështorë dhe delikatë. Të vetëmjaftueshëm.
Habitërisht të hapur dhe delikatë për De Radën. Ja një marrëdhënie e ndërlikuar. Deri diku e pabesueshme. Të tre e kanë vlerësuar De Radën. Nuk i ka detyruar askush. Kush vallë mund t’i detyronte? Në horizontet e krijimtarive të tyre De Rada ishte i vetmuari i madh. De Rada dukej sikur ishte Askushi. Ata tre ishin gjigantë. As përkorja dhe as miti i modestisë nuk mund t’i mëtonte. As t’i entuziazmonte.
De Rada si nga fundi i botës u lidh me ta. Me “Milosaon”. Në mendjet e trazuara të këtyre gjenive të Francës ndërhyri “Milosao”. Më shumë sesa emri i De Radës. “Milosao” – një çudi e çudirave. E brishtë dhe e papërballueshme. Gjigantët ndjenë një trazim. Humanitetit i tyre u trazua. U emocionuan. Reaguan sepse ia vlente.
Fjalët e tyre dashamirëse qenë të sinqerta. Sepse ishin të vërteta. Dikush nga një botë e humbur dhe në dukje e parëndësishme i shqetësoi. Dhe ky dikush ishte Askushi De Rada. Nuk e dinin se çfarë ishte ky njeri. Nuk kishin se si ta dinin.
Brenda statusit të kuriozitetit ata zbulua diçka. Por ishin aq të mëdhenj sa nuk mund ta tepronin. Ata ishin gjeni. Askush De Radë dukej se nuk ishte i tillë. Ose s’mund të ishte i tillë. Por që të tre dhanë dëshminë e tyre për De Radën. Një sivëlla i trishtuar dhe modest. Por gjithsesi shumë i çuditshëm.
Fundi i shekullit XIX duket si hapja e një kasaforte. Shekulli XX është triumfi i poezisë. Në kulturën poetike të Francës shfaqet një emër i papritur. Guillaume Apollinaire. Një poet nervoz dhe rebel. Me origjinë të ndërthurur polako-italiane dhe i natyralizuar si francez. Një njeri i pabesueshëm. Një njeri krejtësisht i lirë dhe sfidues. Historia e Guillaume Apollinaire është e papritur. Ai kërkon diçka më shumë se epoka e tij. Revolucionarizimin e poezisë franceze. Ai do një raport të ri midis gjeometrisë së vargjeve dhe estetikës. I prish dhe i rrënon të tëra kufijtë. Synon një status të ri të intelektit. Është një poet i pashembullt. Historia e Guillaume Apollinaires e ka një motiv shqiptar të patjetërsueshëm: lidhjen me princin e filologjisë, të kulturës dhe të letrave shqipe Faik Konicën. Konica e njeh me botën shqiptare. Një botë e mbyllur dhe deri diku okulte. Për një botë plot ndjesi të befta. Me një vesk tragjik dhe të përzishëm. Por edhe poetik.
Guillaume Apollinaire shkruan disa herë për Shqipërinë. Ai ka thënë se “shqiptarët janë sot ndoshta më të pastrit indoevropianë”. Nacionalizmi i shqiptarëve as që mund të vihet në dyshim, si dhe kombësia e tyre. dhe Lordi Hobhauz që pati shoqëruar Lord Bajronin shkruante në fillim të shekullit XIX lidhur me popullsitë që formonin Perandorinë Osmane se “Vetëm shqiptarët kanë ndjenjën e kombësisë, gjithë popujt e tjerë të Perandorisë nuk njohin grupim tjetër veç atij të fesë”. Guillaume Apollinaire shton “Çështja shqiptare u duket diplomatëve të mëdhenj, të rregullojnë fatet e botës, fort e vogël ndaj çështjeve shumë të mëdha, që ndjellin vëmendjen e botës së tronditur. Diplomatët e mëdhenj ndoshta gabojnë, ndoshta, krejt të habitur, do të shkojnë ndonjë ditë në Janinë ose në Krujë, kryeqyteti i lashtë i Skënderbeut, të vendosin me një dorë të pasigurtë themelet e një Evrope të Re”. Apollinaire ka shkruar kujtimet e tij të pabesueshme për Faik Konicën. Ka shkruar tregime për faik Konicën si dhe një roman ku ai është një personazh, me emrin Kanuri, në realitet një personazh hibrid ku Apollinaire ka parasysh ngjizjen e dy figurave intelektuale, Faik Konicës dhe Pablo Pikasosë. Kjo është diçka shumë e vështirë të përcaktohet. Konica ka qenë mik edhe i Pablo Pikasosë edhe i Salvator Dalisë. Mbi të gjitha miqësia e Apollinairit është më përcaktuese.
Në 8 tetor 1904 Guillaume Apollinaire boton një kronikë në revistën “L’europeen”. Kjo histori rimerret tek “Albania” nr. 7, 1904 me titullin “Tre princër të rremë të Shqipërisë” (Trois faux princes d’Albaniai).
Pastaj më vonë në kreun IV tek romani “Gruaja e ndenjur” (La Femme assise) (varianti i parë). Apollinaire ndoshta nuk e di se çfarë kishin thënë për De Radën Lamartini, Hygoi dhe Frederik Mistrail.
Dhe ndoshta s’kishte pse ta dinte.
Ose ka dëgjuar diçka të vagullt.
Guillaume Apollinaire në bisedat me Faik Konicën është impresionuar, mendja e tij ka feksur. Duke qenë antikonformist dhe heretik Apollinaire kërkon të pabesueshmen. Ai e gjen këtë të pabesueshme në mënyrë universale. Por edhe te shqiptarët. Ai shkruan për princërit e rremë të Shqipërisë, që ishin disa të huaj që vetëshpalleshin si trashëgimtarë të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ata mëtonin virtualisht fronin e Shqipërisë. Ata ishin princër virtualë. Është paradoksale të mendosh se si në shekullin XX Shqipëria bëhet një subjekt i një historie fantastiko-shkencore. Figura mediokre, por me ambicie kolosale kërkojnë të afirmohen si pasardhës të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Konica shkruan për një farë Allardo Kastriota, ose Alandros i cili befas shpall se rrjedh prej Gjergj Kastriot Skënderbeut nga ana e grave. Historia nis në mënyrë anekdotike. Gjatë një udhëtimi në Itali, Alandro po lahej në det. Befas, në thelli mës ujërave e zë ngërçi. Një shqiptar i rastësishëm që ndodhej aty, e shpëton dhe befas vë re një shenjë, një lloj tatuazhi si ai që kishte pasur edhe Skënderbeu. (Ç’qe ky tatuazh? Një shenjë hyjnore? Një semantikë e shpikur? Një trillim metaforik? Një shpikje zhylverniane? Një mistifikim? Një gënjeshtër e alambikuar?). Pas kësaj Aleandroja shpall me një kënaqësi publike identifikimin e vetvetes si një pinjoll të Skënderbeut. Kjo gjë u publikua në shtypin evropian. Në të njëjtën kohë një farë Jacquez Lebeady e shpall vetveten si perandor i Saharasë. Të paktën ky i fundit nuk i imponohej një race të huaj, sepse donte të sundonte në një shkretëtirë që do ta popullonin tërë ardhacakët e planetit. Alandro përkundrazi, donte të sundonte një Shqipëri të Re. Ai shpiku urdhra dhe dekorata që ia dha vetvetes. Apollinaire citon një libër të jashtëzakonshëm të fundit të shekullit XVIII: “Gjyqi i tre mbretërve” i Luigjit XVI të Francës-Burbone, i Karlit III i Spanjës – Burbone, dhe i Gjergjit III të Hanoverit, fabrikues kopsash. (“Le Proces des trois rois, Louis XVI, de France-Bourbon, Charles III d’Espagne-Bourbon et Georges III d’Hanovre, fabrikant de boutons”). Historitë e mbretërve dhe princërve të rremë janë të pafund në Evropë. Për më i spikaturi ështëky farë Alandro. Alandro u lidh me atdhetarët shqiptarë të kohës. Disa prej tyre e besuan. Për disa të tjerë ai ishte një alternativë politike, ndonëse nuk e besuan. Kështu sharlatanizmi merr një theks politik. Aventurat e Alandros janë bizare dhe interesante nga pikëpamja letrare. Apollinaire e demaskon këtë Alandro. në artikulimin e aventurave të tij gjithsesi Apollinaire e gjen mundësinë për të përmendur pikërisht emrin e poetit De Rada në një kontekst të veçantë.
Guillaume Apollinaire shkruan: “Derniérement à propos de l’anniversaire du poéte Giralamo de Rada, on ouvrit à Naples une souscription por ériger une statue à celui qui vers le milieu du siécle dernier fut l’initiateur de la renaissance albanaise. Naturellement le prétendant ne négligea pas cette occasion de se mettre en avant et voici exprimée un peu brutalement par une reve albanaise, l’opinion de tous les Albanais: Guégues, Tosques ou Labes. Il est: “injurieux por la mémoire de Girolamo de Rada qu’un individu comme Aladro countribue à lui faire élever un monument”.”
Ky tekst në shqip do të thotë: “Kohët e fundit me rastin e përvjetorit të poetit Jeronim De Rada, u hap në Napoli një fushatë ndihmash për t’i ngritur një statujë, atij që nga mesi i shekullit të kaluar ishte nismëtari i Rilindjes shqiptare. Sigurisht, që mëtuesi nuk e la t’i kalojë ky rast për të dalë përpara dhe, ja, opinioni i të gjithë shqiptarëve: gegë, toskë, ose lebër, i shprehur pak vrazhdët nga një revistë shqiptare: është turpërues për kujtimin e Jeronim de Radës që një njeri si Aladroja i jep ndihmesë që të ngrihet monumenti i poetit.”.
Ka shumë pyetje në këtë subjekt. Nga e njeh Apollinaire emrin e Jeronim de Radës. A ka lexuar diçka ai nga De Rada? Pse e përcakton kaq qartë De Radën si nismëtar të Rilindjes Kombëtare?
Pse e përdor apelacionin Rilindja shqiptare?
A thua Apollinaire e njeh emrin e De Radës vetëm nëpërmjet Faik Konicës?
A është e mjaftueshme kjo gjë?
A mundet Apollinaire vetëm të citonte Faik Konicën?
Si ishte në dijeni Apollinaire për një dukuri të tillë të vërtetë, sic ishte fushata për ndihmat për të ngritur statujën e De Radës në Napoli? Të gjitha këto nuk janë të rastësishme. Është fakt që emri më i madh i poezisë franceze në shek. XX Apollinaire përmend me respekt dhe vlerësim epigramatik, pra në mënyrën e një shënjuesi të saktë dhe të palëkundshëm emrin e De Radës. Në studimet shqiptare për De Radën nuk është folur fare për këtë motiv.
Franca e shekullit XX e tejkalon Francën e shekullit XX. Kështu emri i De Radës perceptohet dhe saktësohet qartë edhe nga princi i modernizmit të poezisë franceze Apollinaire. Historia e Alandro Kastriotit si princ i rremë i Shqipërisë përbën syzhetin e një romani të llojit pikaresk.
Ky personazh historik është sa i dyshimtë aq edhe i bujshëm.
Janë shumë referenca historike që lidhen me këtë personazh.
Ai quhej Johan Pedro Aladro Kastriota. Për të u bënë shkrime panigjerike.
Ishte me origjinë spanjolle.
Tek Almanaku i Gotës, viti 1872 shënohet se Alandro ka qenë sekretar legate i akredituar nga Ministria e Jashtme Spanjolle më 1869 (faqe 656), Gotha Justus Perthes.
Ky Johan Pedro Aladro Perez Domesq y Kastriota ka qenë biri i paligjshëm i Johan Pedros me lidhje jashtëmartesore me Isabel Alandro Perez. Është e vërtetë se ishte njeri i ditur dhe poliglot. Kishte trashëguar nga i ati një bibliotekë të madhe. Më vonë ai ka qenë ministër fuqiplotë i Mbretërisë së Spanjës. Më 13 prill 1880 bën shpenzime të mëdha për bordurën e një pylli për ta kthyer në një pistë për stërvitjen e kuajve të garës. Aladroja befas pretendon se gjyshi i nënës së tij Isabela Perez, kishte qenë martuar me një princeshë nga Kastriotët ardhur nga Napoli dhe vendosur në qytetin spanjoll të Kadiksit në shekullin XVIII.
Dihet se edhe një princ i Piedimontes që pretendonte se ishte me prejardhje kastriotase shfaqet më herët në Spanjë, në Madrid në shekullin XVII.
Është fakt që në veprën madhore të M.D. Strutzës “Familjet e mëdha të Greqisë, Shqipërisë dhe Kostandinopojës nuk del asnjë fakt që të vërtetojë se ndonjë Kastriotas apo Kastriotase të jetë degëzuar në Kadiks të Spanjës.”.
Alandro Kastrioti (1845-1914) nuk ka qenë i vetmuar. Por ai ka qenë ndër të parët në listën historike ndër 44 mëtonjësit që synonin fronin shqiptar. Ai pati një farë karriere diplomatike të dorës së dytë në Bruksel, Paris, Vjenë, Amsterdam, Bukuresht dhe në kërthizë të Parisit.
U shqua si koleksionist veprash arti dhe bibliofil i spikatur. Në kancelarinë e tij ai kishte sekretar një farë G. C. Camet, intelektual dhe publicist francez, i cili harmonizohej me idenë fantazmagorike të Aladros.
Ky i fundit krijon lidhje me De Radën. Shkëmbejnë letra bashkë.
Madje edhe diçka më shumë, G.C. Camet shkruan disa vlerësime për De Radën, madje edhe e përkëdhel sedrën e poetit duke i përkthyer disa poezi në frëngjisht.
Del pra, që De Rada ka qenë në dijeni të plotë të ekzistencës së princit të rremë Alandro Kastrioti. De Rada ka një skepticizëm të natyrshëm dhe shfaq dyshime dhe rezerva për personin e Aladro Kastriotit. Kjo gjë krijon një tension. Gati një skandal.
Camet i shkruan De Radës gati në mënyrë autoratitative, pra të papranueshme që ta njihte me domosdo “Skënderbeun Aladro” si një figurë kryesore të shqiptarëve. Kuptohet që De Rada nuk mund ta përfillte këtë autotarizëm.
Pas vdekjes së De Radës është e vërtetë që u bë fushata e ngritjes së një statuje për të. Aladro i cili vdiq dhjetë vjet pas De Radës kërkon të tregojë figurën e tij prej tutori. Në kulmin publicitar të fushatës reagon mrekullisht dhe ironikisht vetë Apollinaire. Në të vërtetë historia e këtyre ndërlidhjeve është deri diku më konfuze duke e stimuluar virtualitetin në maksimum.
Është edhe vetë Faik Konica që ka pasur raporte personale me Aladro Kastriotin. Këto raporte kanë pasur lëvizje sinoidike në kohë.
Është pikërisht Alandro Kastrioti që sponsorizon dy libra në prozë të Konicës, më saktë dy romane të shkurtër që Konica i botin në vitin 1911 në frëngjisht.
Këto romane, të cilët i ka zbuluar studiuesi i paepur dhe frankofoni i madh, miku im Fotaq Andrea, janë dy subjekte të pashembullta në rrafshin e kulturës franceze që lidhen me tipologjinë shqiptare.
Romanet quhen: “Le mariage de Lejla” (“Martesa e Lejlasw”) dhe “Sotir et Mitka” (“Sotiri dhe Mitka”). Të dy romanet janë nënshkruar me pseudonimin “Jean de Croia” d.m.th. Gjoni i Krujës. Ky zbulim i të dy romaneve të Faik Konicës në frëngjisht është vërtet diçka befasuese. Autori i zbulimit dhe i përkthimit të këtyre dy romaneve në gjuhën shqipe, Fotaq Andrea, ka të gjitha të drejtat e copyright-it. Duke lexuar këto romane kujton jo vetëm forcën lakonike dhe moderne të shkrimit konician, por edhe elemente biografikë.
Në këto romane ka pasazhe ku flitet pozitivisht për Alandro Kastriotin.
Pse Konica nuk i ka përmendur kurrë këto romane? Si ka mundësi? Arsyeja lidhet me prishjen e raporteve të tij me Alandro Kastriotin.
Ne nuk e dimë me saktësi se çfarë ka ndodhur. Ne dimë karakterin e papërmbajtshëm dhe të hapur të Faik Konicës. Faik Konica e sulmon Alandro Kastriotin me një ashpërsi volteriane. Dhe ka të drejtë. Nuk mjaftohet vetëm me kaq. Faik Konica është ndërmjetës që nga Apollinaire ta rishkruajë këtë motiv përbuzës të falsitetit dhe të rrenësisë së Alandro Kastriotit. Në këtë ndërthurje faktesh, në kuadrin e një publiciteti disa gjuhës në kontinentin evropian befas del si nga errësira, por me një ndriçim të plotë dhe vezullues emri i De Radës. Le të imagjinojmë për një çast se De Rada është mikluar nga Alandro Kastrioti, por edhe e ka përbuzur atë.
Faik Konica e ka shfrytëzuar për botimin e dy romaneve të tij, por më me vonesë sesa De Rada e ka përbuzur Alandro Kastriotin. Mbi këta të dy, ravijëzohet emri i Apollinaire i cili duket se shënon diçka më përfundimtare dhe më të paharrueshme.
Sepse Guillaume Apollinaire është një emër shumë i madh. Një emër që ka shkëlqimin e një komete edhe të rrezikshme, edhe grishëse, me kahje ndryshuese dhe pllenuese në horizontin e letërsisë franceze dhe të Evropës.
Nëse mendojmë dicka më të thellë dhe në mënyrë paralele do të kujtojmë edhe dicka në dukje pa lidhje, por njëkohësisht jo edhe pa lidhje.
Faik Konica u njoh me Apollinaire në një moment të rinisë së tij, kur Guillaume Apollinaire ra në dashuri të papërballueshme me një femër të re dhe të hajthme, por edhe krenare e dogmatike që në disa semantika të skajshme të kujton deri diku idilin deradian të Milosaos me Rinën.
Mjafton të lexosh letrat e Faik Konicës me Guillaume Apollinaire dhe ndërsjelltas për të kuptuar tensionin në zenit të kësja dashurie të pafat. Në këtë rast analiza jonë i kapërcen kufijtë, sepse nuk mund të ketë asnjë lidhje reale midis një djali dhe një vajze arbëreshe të konceptualizuar nga De Rada dhe historisë së poetit Apollinaire me një vajzë angleze që jetonte në Londër, jo shumë larg shtëpisë ku jetonte në atë kohë vetë Faik Konica.
Kemi të bëjmë pra me një roman dashurie të jetësuar, por jo tamam të shkruar.
Diçka që lidhet me pasionin dhe me idetë, po gjithsesi fragmentare dhe aspak të realizuar.
Ka gjasa që Guillaume Apollinaire edhe mund ta ketë lexuar Milosaon, por edhe nëse nuk e ka lexuar, kjo nuk ka shumë rëndësi. Substanciale është që subjekti i tij i dashurisë, si subjekt i vrullshëm deri diku i gjëmshëm, subjekt i pasioneve të mëdha të moshës, natyralizohet në një rend të dytë, apo në një regjistër tjetër me binjakëzimin tipologjik të dashurisë së Milosaos me Rinën, por me emra të tjerë.
Sepse në dashuri emrat janë të lëvizshëm, ikanakë, të zhbëshëm, flurorë.
Kjo është një pikë inkandeshente dhe integruese.
Kjo i vë në provë analizat e hollësishme, por edhe pedante.
Është fakt që ne nuk mund të zmadhojmë dot më tepër sesa c’duhet vlerësimin e Guillaume Apollinaire për De Radën.
Nuk jemi të fuqishëm të shpikim një vlerësim më universal.
Por nuk mund të mohojmë pikat e takimit, sepse detajet janë përherë përmbajtësore.
Në të gjitha kuptimet, edhe ato letrare, por edhe ato të teorive semantike.
Ndërlidhja pranë e emrit të De Radës me Guillaume Apollinaire është përtej rastësisë. Dhe pikërisht kjo është struktura më e skalitur në amshim.
Nëse De Rada është një nismëtar i një moderniteti letrar në letërsinë shqipe- kjo krijon një premisë të hatashme.
Apollinaire është nismëtari i një moderniteti marramendës në poezinë franceze dhe kjo është një premisë europiane.
Të dyja këto premisa duket sikur vërtiten në vetvete dhe pa lidhje me njëra-tjetrën.
Por në universin kulturologjik të gjitha simbolet kanë lidhje me njëra-tjetrën pafundësisht.

E pergezoj autorin e shkrimit per nje shkrim kaq interesant dhe njekohesisht e falenderoj per gjithe kete rrefim ite mrekullueshem per figurat tona historike letrare te cilat kane aq shume peshe ne ruajtjen e identitetit shqiptar!