Pothuaj të gjitha gazetat shqiptare zhvillojnë sondazhe në internet, të cilat, në fakt, nuk kanë asnjë vlerë statistikore përgjithësuese, sepse përfaqësojnë thjesht një fotografim të opinionit të lexuesve të tyre e jo të popullsisë në tërësi. Gazeta DITA ka publikuar sot të parin sondazh të zhvilluar nga një gazetë shqiptare në terren e jo në internet. Sondazhi ka një mbulim të kufizuar (mbulon vetëm 11 minibashki të qytetit të Tiranës), por, sidoqoftë, përbën një risi absolute në shtypin shqiptar.
Sipas sondazhit të DITA-s, po të zhvilloheshin zgjedhjet sot, do të merrnin pjesë me siguri 68.5% e banorëve aktualë të bashkisë së Tiranës me të drejtë vote, ndërsa 7.1% të tjerë do të kishin gjasa të merrnin pjesë në votim. Dhe shpërndarja e votës së atyre që do të votonin do të ishte si vijon: PS 35.2%; PD 30.5%; AK 8.2%; LSI 6.8%; FRD 5.1%; Parti të tjera të majta 3.2%; Parti të tjera të djathta 3.1%; Të pavendosur 7.9%.
Marzhi i gabimit statistikor të kësaj shpërndarje është 3 pikë përqindje (plus/minus) dhe, sipas shpiegimit të DITA-s, kampioni prej 1500 të anketuarish ishte i balancuar nga pikëpamja moshore e territoriale dhe anketimi u bë me metodën e “votimit të fshehtë”.
Duke presupozuar se totali i pjesëmarrësve në votim në Tiranë sot do të ishte 250 mijë (në zgjedhjet bashkiake para një viti në Tiranë u regjistruan nga KQZ-ja 256 mijë vota në total) dhe duke presupozuar se votat e të pavendosurve do të shpërndaheshin në mënyrë përpjestimore mes partive në garë, përqindjet e publikuara nga DITA mund të përkthehen në vota kështu:
PS – 95.5 mijë vota
PD – 82.8 mijë vota
AK – 22.3 mijë vota
LSI – 18.5 mijë vota
FRD – 13.8 mijë vota
Parti të tjera të majta – 8.7 mijë vota
Parti të tjera të djathta – 8.4 mijë vota
Mesatarisht, rreth 11 mijë vota mund të përkthehen në një mandat kuvendor në qarkun e Tiranës. Por nuk duhet harruar se sondazhi i DITA-s mbulon vetëm qytetin e Tiranës. Në pjesën tjetër të qarkut, PD-ja ka patur epërsi ndaj PS-së në zgjedhjet e shkuara (ndihmuar ndoshta edhe nga votimi fiktiv – shihni http://respublica.al/opinion/2012/11/22/kujdes-me-votat-fiktive).
*Marrë nga faqja online ResPublica