Përkthimi si afërsi, apo katastrofë?

Ornela

Moikom Zeqo

 Pjesa e parë

 Ç’është përkthimi? Sa i vërtetë është përkthimi? A ka një teori të përkthimit? Sa besueshmëri ka përkthimi? A është paritet semantik përkthimi? A është i domosdoshëm përkthimi? A mund të bëjmë pa përkthimin?

Me shekuj përkthimi është instrument specifik dygjuhësor ose shumëgjuhësor i komunikimit dhe ndërlidhjeve.

 Përkthimi është zhvendosje e tekstit nga një gjuhë tek një tjetër gjuhë. Midis dy gjuhëve është kuptimshmëria e tekstit, bërë në një gjuhë dhe ribërë në gjuhët që e synojnë tekstin. Ky synim është sa subjektiv aq dhe i pashmangshëm. Këtu nuk duhet harruar se teksti ngrihet mbi gjuhët, madje edhe mbi gjuhën native të vetë shkrimtarit që e krijon tekstin. Pse teksti është më shumë se sa gjuhët? Pse teksti i sfidon gjuhët?

Teksti i lindur në një gjuhë të caktuar është një strukturë fjalësh, emrash dhe foljesh, që sendërtojnë një ide, a një vetvete kuptimore. Po kjo vetvete kuptimore nuk mbyllet, as nuk bllokohet Brenda gjuhës parake të shprehjes. Ahere teksti mbart tendencën për të shpërthyer lëvozhgën linguistike për t’u shumëfishuar, për t’u shpërndarë, jo për t’u fiksuar, por për të lëvizur. Këtë ndërkalim e lejon përkthimi, sepse përkthimi është ndërmjetësi.

Me librin e tij eseistik “Ese mbi gjuhët natyrore dhe artificiale” (“Essai sur les langues naturelles et les langues artificielles”), 1904, Faik Konica trajton misterin dhe natyrën e procesit të përkthimit.

Faik Konica e di mirëfilli se ç’është përkthimi. Para së gjithash Faik Konica e konceptualizon shkrimin, më saktë artin e shkrimit. Faik Konica hulumton mundësinë e lidhjes dhe të ndarjes midis gjuhëve. Ai kërkon një teori të përkthimit, pra të ndërlidhjes dhe shkarkimit të një përmbajtjeje nga një formë në një tjetër formë, (në shumë forma). Faik Konica është jashtëzakonisht në diturinë dhe në nuancat e gjuhëve natyrore dhe në njohuritë e përcjelljes së mënyrave adekuate të përkthimit. Konica është i qartë dhe pikëzon detaje të rëndësishme të një teorie të përkthimit. Dhe ja çfarë shkruan çuditshëm dhe me hokatari ky erudite: Në çdo vepër arti ka në të vërtetë dy elemente. I pari është formuar nga shpirti, nga idetë, nga prirjet artistike të kohës; është stili i epokës, ai është në ajër, marrim frymë me të, e durojmë; është e mira e përbashkët: le ta shënojmë me C. Element ii dytë, është përpjekja juaj që i shton një vepre të çfarëdoshme diçka që ju përket juve, është personale, dhe që simbolizohet me P. Nga lidhja e këtyre dy elementeve del gjithë vepra e artit, që përfaqësohet me X. Pra, X = C + P. Bukur fort. Bashkëkohësit, të bindur dhe të nginjur me C, do të bëjnë, vetvetishëm dhe pa më të voglën vështirësi, zbritjen për të ndjerë çka mbetet nga P në X. Kjo P është shpesh pakogjë.; ndonjëherë edhe hiç, zero, dhe në këtë rast X = C + O. Por njëqind e pesëdhjetë ose dy qind vjet më vonë, C-ja do të ketë ndryshuar krejtësisht; dhe dëgjuesit e po kësaj vepre arti, të paaftë të shquajnë në të C-në e zhdukur dhe të harruar, dhe të vetëdijshëm vetëm për C-në e sotme, do t’ia japin nderin e veprës kryesisht P-së; ky X i shqitur nga vend ii vet, i ndarë nga fqinjësia e vet, i veçuar, do t’u paraqitet atëbotë dëgjuesve sipas formulës X = O + P; por, të mashtruar nga padija e tyre, ata do të zëvendësojnë O me P, dhe do ta ndjejnë formulën paraprijëse si X = P + P.

Ja mekanizmi ynë për gjykimin e veprave të së kaluarës. Nga i njëjti mekanizëm, dhe të mashtruar nga e njëjta përhitje, njerëzve të vitit 2200, për shembull, do t’u duket shumë i këndshëm njëri nga këta valse të rëndomta e të ulëta që bëjnë kërdinë në bar-lulishtet, të dielave, dhe që na ngjallin kaq krupë. Ne jemi të rrethuar prej vitesh, të përndjekur nga ky tip muzike; ky ritëm dhe këto kombinime i kemi dëgjuar më se një herë, dhe janë të parashikueshme; të parashikueshme janë edhe zhvillimet dhe të tjerat, të cilave kompozitori nuk u ka shtuar asgjë personale. Por, pas tre shekujsh, stili që është i përbashkët në këtë vals dhe në njëmijë prodhime të tjera, do të jetë harruar krejt dhe do të jetë i panjohur, dhe kureshtarët e muzikës që do të zhvarrosnin, në ndonjë bibliotekë, këtë “vjetërsirë” dhe do ta dëgjojnë veçmas, do ta gjejnë plot hir dhe freski si na duket vetë neve minueti i parë që na bie në dorë e që vjen nga koha e kaluar.

Mirëpo, gabimet e vlerësimit të veçimit të një vepre nuk janë më pak të mëdha në letërsi se në muzikë. I veçuar prej pararendësve të vet, prej bashkëkohësve dhe imituesve të vet, një farë D’Enëri (D’Ennery) me të shkruar pak më të lavruar na del po aq prekës sa edhe Kalidasa ose Rasini, po aq i ngjeshur sa Shekspiri. Po cili njeri është pajisur me fuqi të tillë veçimi dhe abstraktimi? Duhet, megjithatë të gëzohemi që mungon ajo dhunti që s’do të bënte gjë tjetër veç të ndehte gjykimin tonë ndaj gabimeve.

E po mirë! Pikërisht kësaj ia ndehin, çdo ditë, këta dreq përkthyes. Ata marrin nga një letërsi së cilës nuk i njohim mjedisin, së cilës nuk ia njohim gjuhën, një libër, një autor, dhe pa as më të voglin shpjegim, na e vënë përpara. Ndodh që të na tërheqë; mund të jemi mahnitur me çka do ta kishim quajtur origjinalitet, thellësi ose forcë të tij. Po a ia kemi bërë pyetjen vetes deri në ç’masë i ka këto cilësi? A jemi të sigurt se këto mënyra paraqitjeje të pjesëve, këto veçanti në drejtimin e pjesëve, të mos jenë të përbashkëta për shumë shkrimtarë të së njëjtës letërsi? Dhe këto pamje që na duken kaq të thella dhe kaq të reja, mos vallë janë të rëndomta në vendin ku është shkruar libri?

Sigurisht, ata që i kanë studiuar sadopak lidhjet midis tekstit dhe përkthimit dhe fatin ndonjëherë të veçantë të këtyre të fundit, nuk do të mëdyshen t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.

***

Le t’i rikthehemi formulës koniciane. Vepra e artit është X, ndërsa C është shpirti, stili i epokës, prirja artistike e kohës, kurse P ajo që quhet personale, që s’e kanë të tjerët. Pra X = C + P. Me përdorimin e kësaj formule Faik Konica të kujton strukturizmin linguistik që do të zhvillohej shumë vite më vonë. Ajo që është katastrofike në këtë formulë është humbja e identitetit të simboleve. Nëse C jepet nga përkthyesi në formë personale (personale të përkthyesit), ahere formula degradon në X = P + P. Pra duket qartë skepticizmi i thukët i Faik Konicës dhe nënvizimi i konvencionalitetit të procesit të përkthimit. Faik Konica qëllon në shenjë. Ai bën një prerje kirurgjikale. Saktëson konceptet për një proces të brendashkruar. Dhe ai operon gjithashtu me një shembëlltyrë konkrete. Faik Konica e parashtron kësisoj argumentin e tij: Kritiku i madh dhe i mprehtë Zotëri Rëmi dë Gurmon bën një pyetje që ngërthen një filozofi të tërë:

“Ʌɛʋκoβραχιων donte të thotë që i ka krahët të bardhë apo nuk ishte veçse një epitet shterpë? Λεʋκακανϑα a jepte përfytyrimin e épine blanche (gjemb i bardhë) apo një ide asnjanëse si aubépine (murriz, ushinth), që e ka humbur vlerën e vet përfaqësuese? Ne nuk dimë kurrgjë” Ka edhe më keq. Jo vetëm që është e pamundur të dihet përfytyrimi që ndillnin këto epitete në mendjen e bashkëkohësve, por edhe kemi të drejtën të shtrojmë pyetjen nëse fjalët e gjuhëve të vdekura në përgjithësi, të marra veçmas, kanë vërtet kuptimin që u mbathim ne. Nuk duhet harruar se vlera e mëtuar e fjalorit të gjuhëve të vdekura është hartuar shekuj më pas nga epoka kur lulëzonin ato. Gjuhët e vdekura mund të përcaktohen, në mënyrë pak pedante, por jo pa saktësi, sende në vetvete shfaqjet e të cilave i perceptojmë me organin e të diturve të mesjetës. Leksikët grekë janë mbështetur të gjithë te të dhënat e kompiluesve bizantinë; dhe këtyre njerëzve të mirë, duke iu mbathur fjalëve të teksteve, ndonjëherë 2000 vjet të lashta, vetë kuptimin që kishte në Bizant, nuk iu shkonte mendja se këto fjalë mund të kishin dashur të thonin diçka tjetër në këto epoka kaq të largëta. Por midis pasojave të zbatimit të parimit të evolucionit të gjuhëve, më e pakta është të mos preket vlera e fjalëve të gjuhëve të vdekura. Nëse duam të arsyetojmë, u muar vesh. Sepse, materialisht, asgjë nuk mund t’i ndalë ata që rrojnë me pedantizëm të mbështesin njëherazi që domethënia e fjalëve evoluon dhe se ajo e fjalëve të vjetra 2000 vjeçare nuk ka evoluar asnjë grimë.

Bie në sy, p.sh., që poemat homerike, të nënshtruara një kritike të rreptë, do të japin një përkthim veçanërisht të ndryshëm nga ai i pranuar prej helenistëve zanatçinj. Le të marrim vargun e parë të Iliadës: Μηνιν αειδε, ϑεα, Πηληιαδεω Αχιληος, që kemi zakon ta përkthejmë kështu: “chante déesse, la colère d’Achille, fils de Plélée”. Këtu nuk ka asnjë fjalë që të jetë përkthyer si duhet, veç në përjashtofshim Akilin.

Μηνις nuk ka dashur të thotë zemërim, por mendim i ngulët, si dëshmojnë fjalët e së njëjtës familje: μενω μανια, në greqisht; maneo, në latinisht, etj., të cilat shprehin të gjitha idenë e ndaljes, të qëndrueshmërisë. Së fundi, μηνις është ruajtur në shqipen e veriut mëni ku ka kuptimin rancune. Zemërim dhe mëri nuk kanë të njëjtën vlerë; do të guxoja madje të thosha se të dyja ndjenjat janë diametralisht të kundërta, e para karakterizohet nga vrazhdësia dhe shkurtësia, e dyta nga këmbëngulja dhe qëndrueshmëria. Zemërimi i Akilit pat zgjatur tepër sa për ta quajtur zemërim; mos dyshoni “helenistë” të mirë se qe mëria që e brente.

Θεα nuk do të ketë pasur në mendjen e të lashtëve të njëjtën domethënie që ka për ne déesse (perëndeshë). Nëse do të kërkojmë pak dijeni në gjuhët e bashkësisë ariane me greqishten, gjejmë në fillim fare në gjuhën e Avestës fjalën gjegjëse dava që shprehte shpirti i keq; të gjithë folkloristët e persishtes moderne e njohin fjalën div, që është dragua ose zanë keqbërëse. Në sanskritisht, dhe në gjuhët ariane të Indisë së sotme, dëva do të thotë përkundër xhind mirëbërës, ose më mirë xhind drite, sepse kjo fjalë, e marrë si mbiemër, do të thotë në dialektin vedik: shndritës. Përveç kësaj, dëva lidhet me rrënjën div, do me thënë shndrit. Në qoftë se, atyre çka ndjellin këto fjalë, u shtojmë se ϑεοι dhe ϑεαι e të lashtëve qenë qenie të shtëpisë, të mirë ose të këqinj, madje edhe maskarenj, me të gjitha shqetësimet njerëzore dhe, ashtu si njeriu, të shtuar pa numër, me një fjalë qenie që nuk kishin asgjë nga madhështia hijerëndë që i vishej fjalës Zot, duhet pranuar që ϑεα duhet të ndillte në lashtësi një imazh të ngjashëm, në mos po të njëjtë, me atë që fjala zanë ndjell sot në mendjet e njerëzve të padjallëzuar dhe të fëmijëve.

Πηληιαδεω duhej të ishte përkthyer me clan de Pélée. Dhe me të vërtetë, po të gjykojmë nga vlera e izoluar e mbaresës, që shënon llojin ose gjininë, dhe po të kemi parasysh kontekstin, Πηληιαδεω nuk përdoret këtu për të shprehur atësinë, por më së forti grupimin e dikurshëm familjar.

Mbetet fjala αειδε, që nuk është veçse një formulë folklori, një thirrje magjike. Të tilla mund të dëgjohen te popujt e prapambetur ku edhe sot ka poetë shëtitës, që u bien kryq e tërthor fshatrave dhe strehohen e ushqehen për të kënduar rapsoditë e tyre. Ka mundësi që kjo fjalë të ketë dashur të thotë tregoj ose më mirë rimoj. Sidoqoftë, është shaka pa kripë të përkthehet me këndoj, që zgjon një ndjenjë muzikore që mungon në kontekst. Homeri nuk i njihte konservatoret. Bashkëvlerësi më i mirë ndoshta do të kishte qenë them, në kuptimin që i jepet në shprehjen them vargje.

I kritikuar kështu, rreshti i parë i Iliadës do të jepej, pra: “zanë, na thuaj (vargje për) mërinë e Akilit, nga klani i Peleut”, varianti që dallon veçanërisht prej atij të diktuar prej pedantëve.

Mirëpo, e gjithë Iliada dhe të gjitha poemat homerike, të gjitha veprat e lashtësisë, janë të përshtatshme për këtë metodë kritike, që e quaj të drejtë dhe të shkëlqyer. Por nuk mëtoj assesi se grimca e përkthimit që sapo bëra është e përsosur. Përkundrazi, sepse do të ishte pohimi i mundësisë për t’i ndjerë mirë tekstet e vjetra, çka unë, nga ana tjetër, e mohoj. Synova vetëm të provoj që përkthimi që quhet i mirë nuk është hiç i tillë, dhe që një tjetër krejtësisht i ndryshëm i afrohet edhe më shumë kuptimit të mundshëm që ka pasur vargu i Iliadës. Por kush do të guxonte të fliste për saktësi për një tekst të vjetër prej 3000 vjetësh? Lexoni, pra, pak përkthimet e të huajve të teksteve tuaja franceze pas qëndrimeve të gjata në Francë, dhe nëse ju, siç e pres, nuk jeni fare i kënaqur, merreni me mend që të ashtuquajturit helenistë, sado të sinqertë dhe të ditur qofshin, nuk do të dinin, në lëndë të greqishtes, një të dhjetën e asaj që të huajt për të cilët fola dinë nga frëngjishtja. Veçse, helenistët kanë fatin të selitin një gjuhë që lulëzonte njëzet e pesë shekuj më parë; pra, ka pak mundësi që një athinas i kohës së Perikliut të ringjallet dhe t’i tallë dhe të qeshë me ta.

Në të vërtetë, filologjia krahasuese ka dalë në kohën e duhur për të tërhequr rreth vetes veprimtari të dobishme që, pa të, do të ishin ngujuar në një dituri shterpë, e tëra në sipërfaqe dhe konvencionale.

Kur sjellim ndër mend natyrën e avullt të kuptimit të fjalëve, joshemi të radhitemi me mendimin e komentuesve katolikë, të cilëve u duhet shpesh të ngulmojnë për ndryshueshmërinë e vlerave të fjalorit. Kështu, për αδελϕος, e cila, në Ungjijtë, përdoret për prindërit e Jezuit, komentuesit janë të mendimit se kjo fjalë ka dashur të thotë kushëri. Kush do të guxonte ta kundërshtonte seriozisht? A nuk do të ishte krejtësisht e mundshme, do të thosha madje provuese, që αδελϕος të ketë pasur domethënie më të gjerë? Vlera që i japim është vetëm ajo që, shumë shekuj pas Ungjijve, duhet t’i kenë dhënë bizantinët.

Sikur të mos mjaftonin kaq e kaq pengesa të fuqishme që i japin çdo përkthimi tekstesh të lashta një karakter përafërsie trashanike, përkthyesit të mahnitur prej arritjeve të përftuara, kërkojnë t’u japin edhe më shumë saktësi sprovave të tyre. I kanë thënë, pra, vetes t’i transkribojnë emrat e përveçëm grekë si “Zeus, Hefaistos, Akileus, Herakles, etj.”. Mund të thuhet se Pekusheja (Pécouchet) u bë model për të tjerët. Pekusheja ia kaloi Buvarit (Bouvard) për nga saktësia shkencore! Ai do ta kishte ndjerë veten të turpëruar po të kishte pasë thënë Sharlëmanjë (Charlemagne) dhe jo Karli i Madh, Klovis (Clovis) në vend të Klodowig”. Besoj se sebepi që nxirret për të përligjur këto përkthime tuhafe është që grekët nuk u veshnin perëndive të tyre të njëjtat veti që romakët u jepnin perëndive të tyre gjegjëse. Por, përveç që ky pohim është në shumë raste i kundërshtueshëm, mbetet që shumë shekuj kulture latine u kanë mësuar veshët francezëve me formën latine të emrave, dhe çdo moszbatim i kësaj tradite letrare veç e lëndon pa dobi lexuesin. S’ka dyshim që anglezët nuk e ndjejnë fare në të njëjtën mënyrë God si francezët Dieu: po a do të thuhet le God në frëngjisht sa herë të jetë fjala për besim anglez? Të mëtosh të përkthesh emrat e përveçëm, të cilët, në vetvete, nuk bartin veçse vetitë që u jep kultura e lexuesit, është thjesht çmenduri. Çmenduri apo ndoshta… le ta them ç’mendoj… mashtrim? Sepse sa herë që një shkencë është duke dhënë shpirt, një nga simptomat më të para që shfaqen, është zëvendësimi me mashtrime të vogla i dijeve të vërteta. Meqë dituria në lëmë të gjuhëve të huaja po bie, në Francë, u ka shkuar mendja t’i japin vetes një llustër me të vërtetë fare lehtë, duke zëvendësuar emrat tradicionalë, domethënë që janë bërë tashmë fakte të gjuhës, me transliterime që do të ishin për t’u vajtuar po të mos ishin absurde. I njëjti mendim mund t’u kishte lindur helenistëve të Francës së dikurshme: ata kanë parapëlqyer prova më të qëndrueshme të diturisë së tyre.

 

***

Si përherë Faik Konica ka një skepticizëm dekardian. Walter Benjamini është nga ata studiues të mëdhenj që ka shkruar për përkthimin, ose për universin e përkthimeve. Edhe ai si Konica ka një skepticizëm dekartian. Walter Benjamini ka gjithashtu një teori të përkthimit. Sipas tij përgjithësisht përkthimi është përherë një “tradhti” e tekstit parak. Janë shumë të rralla përkthimet e mëdha. Zakonisht përkthimet janë ose mesatare, ose të këqija. Që përkthimshmëria, sipas Benjaminit, është tipar thelbësor i veprave të caktuara, nuk do të thotë se përkthimi i tyre është thelbësor për ato vetë, por do të thotë se një kuptim i caktuar që përmbahet në origjinal shfaqet në përkthyeshmërinë e tyre. Është e qartë se përkthimi asnjëherë, sado i mirë qoftë, nuk ka ndonjë farë rëndësie për origjinalin. Megjithatë falë përkthyeshmërisë së tij origjinali është i lidhur ngushtë me përkthimin, madje kjo lidhje është aq e ngushtë sa më tepër ajo të mos ketë më rëndësi për origjinalin.

Përkthimi rrjedh nga origjinali sikundër shfaqja e jetës lidh ngushtë dukurinë jetë, pa pasur asnjë rëndësi për këtë të fundit. Madje jo aq shumë nga jeta e tij se nga “jeta e ardhshme” e tij. Përsëri Walter Benjamini ngulmon në diferencat e gjuhëve dhe ai nënvizon se përkthimi është kaq larg së qeni barazimi shterpë midis dy gjuhëve. Nëse në përkthim kumtohet afërsia e gjuhëve, kjo nuk arrihet nëpërmjet ngjashmërisë së vagullt mes kopjes dhe origjinalit, por nuk është kusht, që afria të përfshijë edhe ngjashmërinë.

***

99 vjet më vonë të botimit të librit të Faik Konicës mbi gjuhët natyrore dhe artificiale (1904) në vitin 1993 Umberto Eco botoi librin “La ricerca della lingua perfetta nella kultura Europea” (botuar në shqip në titullin “Në kërkim të gjuhës së përkryer në kulturën evropiane”.)

I habitshëm është përkimi substancial midis Faik Konicës dhe Eco-s, në kuptimshmërinë e gjuhëve natyrore dhe shterpësinë e gjuhëve universale por artificiale. Eco-ja nuk e ka lexuar librin e Konicës se besoj do ta kishte cituar. Mos harrojmë se Konica qe i tillë në zenitin intelektual gati një shekull përpara Eco-s. Dhe kjo gjë nuk është asnjëherë pak. Nuk mund të anashkalohet, të paktën si kronologji kulturore dhe kronologji të dukurisë së intelektit.

Eco kërkon një ridimension të hulumtimit për një gjuhë përçuese të kulturës evropiane për tërë tekstet e gjuhëve të ndryshme evropiane. Por kjo është e pamundur. Është e pamundur të pajtohet nevoja për një gjuhë përçuese të vetme me atë për mbrojtjen e traditave muzikore gjuhësore. Në mënyrë paradoksale të dyja problemet ushqehen nga e njëjta kundërshti teorike dhe nga të njëjtat mundësi praktike. Kufizimi i një gjuhe universale përçuese është i njëjtë me atë të gjuhëve natyrore mbi të cilat është ngritur: kjo parakupton parimin e përkthimshmërisë. Një kufizim (dhe një mundësi) e gjuhëve universale a posteriori, është dhe një kufizim (dhe një mundësi) e gjuhëve natyrore: është e mundshme të përkthehen mendimet e shprehura në gjuhët natyrore në një gjuhë a posteriori, sepse është e mundshme të përkthehet nga një gjuhë natyrore në një tjetër gjuhë natyrore. Eco kështu e ravizon teorinë e tij të përkthimit. Eco ve në dukje se mendimi që çështja e përkthimit duhet të parakuptojë një “gjuhë të përkryer” është i Walter Benjaminit: duke mos mundur kurrë të riprodhohen në gjuhët e zbritjes kuptimet e gjuhës burim, i duhet zënë besë ndjenjës së një konvergjence të të gjitha gjuhëve, sepse “në sejcilën prej tyre të marrë në tërësi, kuptohet një gjë e vetme, e cila gjithsesi nuk është e kapshme për asnjërin syresh veç e veç, por vetëm për tërësinë e qëllimeve të tyre përplotësuese ndërsjelltas gjuhën e pastër, por kjo reine Sprache (gjuhë e pastër) nuk është një gjuhë reale, por hipotetike”. Kështu që Eco shton argumentin se një gjuhë parametër, që duhet të ketë ndonjë tipar të a priori i drejtohen shpesh teoricienë të njohur të “përkthimit mekanik”. Duhet të ekzistojë një madhësi krahasuese (terbium comparationis) që të mundësojë kalimin nga shprehja e një gjuhe A, tek ajo e një gjuhe B, duke vendosur që të dyja gjuhët janë të barazvlefëshme me një shprehje metagjuhësore C. Por nëse ekziston ky terbium, ai do të jetë gjuha e përkryer, e nëse nuk ekziston ai mbetet një postulat i punës së përkthyesit.

Unë shkruesi i këtyre rradhëve, po të isha në vend të Faik Konicës do ta përvijoja formulën e teorisë së Eco-s si A = B = C, ku A, por edhe B edhe C janë të barabarta por edhe krejt të ndryshme, kështu që kemi të bëjmë me një virtualizëm teorik se sa me një formulë shkencore. Dalim përsëri tek formula e Faik Konicës X = C + P, gjithashtu tejet konvencionale (ku C është stili dhe shpirti i epokës së gjuhës, P është elementi personal dhe X është vepra e artit.) E di mirëfilli se formulat janë përherë konvencionale. Dhe ato të Konicës dhe Eco-s. Dhe a nuk ka gjë më konvencionale se sa përkthimi? Libri i çuditshëm dhe paradigmatik i George Steiner-it “After Babel” më ka çuditur seriozisht. Dhe kam kuptuar. Dhe kam reflektuar. Për problematikat asnjëherë plotësisht të zbërthyeshme, se në çdo transparencë mbetet përherë diçka nga mjegulla, ose zhduket një mjegull e se për një mjegull të re, ose edhe ndërsjelltas. Por procesi i konvertimit ndërgjuhësor nuk mund të shmanget asnjëherë. Ky është një proces substancial dhe përfundimisht i pazëvendësueshëm.

Benjamini thekson: “Duke qenë se besnikëria dhe liria janë parë prej kohësh, si prirje kundërshtuese në gjuhën e përkthimit, atëherë duket se interpretimi i thellë i njerëzve nuk shërben për t’i pajtuar të dyja, por, për të mohuar çdo të drejtë të tjetrës. Po ku qëndron liria gjetkë, në mos në ridhënien e kuptimit, kur ai pushon së qeni vendimtar? Vetëm nëse domethënia e një ndërtimi gjuhësor mund të quhet e njëjtë me informacionin që jep, atëherë ai arrin të jetë një element fundor, vendimtar, përmbi çdo informacion tjetër, fare pranë e megjithatë pafundësisht larg, i fshehur pas tij, apo i dukshëm, i thyer prej tij, apo i plotfuqishëm.”

Sepse, vetëkuptohet, në gjithë gjuhën dhe në ndërtimet e saj mbetet, krahas asaj që mund të përçohet, diçka, që sipas kontekstit ku shfaqet, është simbolizuese, apo e simbolizuar. Është kështu kjo prani e fundit, vetë gjuha e pastër, ku gjuhët lidhen vetëm si forma gjuhësore dhe variantet e tyre. Benjamini rithekson se “aftësia e fuqishme dhe e vetme e përkthimit është të çlirojë gjuhën nga rëndesat, ta kthejë simbolizuesen në të simbolizuar”. Ja dhe një mendim tjetër i vyer i Walter Benjaminit: “Se çfarë mund të mbetet për rëndësinë e kuptimit të marrëdhënieve midis përkthimit dhe origjinalit mund të nxirret nga një krahasim. Ashtu si tangjentja e përshkon rrethin fluturimthi dhe e prek atë vetëm në një pikë, ku është prekja dhe kjo pikë nga del ligji sipas të cilit ajo do të vazhdojë rrugën e saj të drejtë drejt pafundësisë, kështu dhe përkthimi e prek origjinalin kalimthi dhe vetëm në një pikë të kuptimit, për të ndjekur pastaj, sipas ligjeve të besnikërisë rrugën vetjake në lirinë e lëvizjes gjuhësore.”

***

Përkthimi! Ah, përkthimi! Paradhoma e letërsisë origjinale. Më 1555 Buzuku përktheu një koleksion tekstet biblike, duke e shndruar Shqipërinë më në fund (si fillim i madh) si Popull i Librit. Para këtij përkthimi Populli Shqiptar nuk ishte akoma Popull i Librit. Ky përkthim nuk është sigurisht letërsi origjinale por është një gjenezë, ose një prehistori e letërsisë origjinale e shqiptarëve. Pra përkthimi i një gjuhe jo shqipe sendërtohet si gjuhë e mirëfilltë shqipe. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe. A paraqiten edhe letërsitë kombëtare të tjera të Europës si fillime përkthimesh, kryesisht nga latinishtja kishtare? Me sa duket po. Pra gati një rregull ligjësor europian, (por pa e absolutizuar). Ky është një subjekt madhor studimi.

Përkthimi i Biblës në gjuhët popullore europiane është një demokraci dhe shumëfishim linguistik me sens universal. Vetvetiu ky përkthim ka kultivuar dhe sofistikuar gjuhët popullore të pa kultivuara dhe të pa sofistikuara. Përkthimi i Biblës qe një emancipim i metaforës biblike, dmth strukturës konceptuale biblike për tërë letërsitë europiane sipas gjuhëve adekuate. Por përkthimi nuk ka pasur (dhe nuk ka) vetëm funksion zanafillor. Përkthimi është pasurim i gjuhës që përkthen me tagrin e gjuhës së përkthyer. Por edhe gjuha që përkthen është gjuha që përkthehet, deri në pambarim.

(vijon ne numurin e ardhshem )

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *