Mbushet sot një vit nga rënia në krye të detyrës e “Dëshmorit të Atdheut” Feti Vogli gjatë kryerjes së misionit COMBAT Eagle 4 në Kandahar të Afganistanit. Gjatë këtij misioni u plagos dhe efektivi tjetër i forcave tona ushtarake Aleksandër Peci. Në Zall Herr kanë nisur ceremonitë për nder të dëshmorit, ku është përuruar dhe busti në nderim të tij.
Gjithashtu është parashikuar dhe inaugurimi i muzeut të batalionit të forcave speciale, shfaqja e një filmi dokumentar për Feti Voglin, si dhe homazhe pranë varrit të tij.
Pasdite parashikohen dhe vizita në familjen e dëshmorit Feti Vogli. Të pranishëm në ceremoni janë ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ambasadori amerikan Aleksander Arvizu, si dhe drejtues të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
