Përkujtohet sot lindja e Fan Nolit

Dita

Në 6 janar të vitit 1882, në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi) lindi shkrimtari, politikani, përkthyesi, shtetari, diplomati dhe historiani i madh, Fan Noli.

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.

Në vitin 1904 Noli shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit.

Në atë kohë ai përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.

Në vitin 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, ai krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.
Në 9 shkurt të vitit 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston.

Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga viti 1909 e deri më 1911 Noli botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës.

Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit.

Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare.

Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”.

Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.
Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së. /ATA

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *