Në një arë-në një lëndinë,
trëndelinë-moj-trëndelinë,
se ç’plasi një vetëtimë,
atje tek kalove tinë…
***
Mike që s’të kisha mike,
kandil e qiri m’i fike,
vdiqa-po s’u bëre qyqe,
ngrohe shtratin e të liqe…
***
Moj kunadheja leshverdhë,
gjahtarë e zagarë t’u derdhë,
të palarë e të pabesë,
dhe të shqyen-moj-e zezë…
***
Verdhur djali bërë ftua,
verdhur nga nazet e tua,
njëzet vjet e s’u shërua,
ishe xhinde-s’ishe grua!
***
Kjo këmisha jote,
cipë gjarpëri,
s’ta heq dot nga trupi,
unë i varfëri…
Kjo këmisha jote,
vesë dhe dëborë,
s’ta heq dot nga trupi,
se më shkrin në dorë.
***
Kur kalon sokakut,
si mushka me zile,
të ndrin shteg’ i gjirit,
sa dyzetë kandile…
Me cicat me maja,
lere se ç’ke bërë,
shkule nga binaja,
një qytet të tërë!
***
Një çobankë e vogël,
zbritur nga Gramozi,
në mes të beharit,
se ç’na plevitosi…
Një çobankë e vogël,
ardhur si majaja,
se ç’na hapi varrin,
me nazet e saja.
***
O çibuku me maje,
ke duhan a nuku ke?
e kam sosur-o që dje,
hipur kalit hergjele…
O Bilbil Shakua me pallë,
s’diqe pa dhezur cigarë,
Bilbil Shako-kordhëtari,
se ç’u dogje si cingari!
***
Aman mike-aman nure,
aman-moj se më sëmure,
si peshkun në rrjetë më zure,
të gjallë në gropë më shpure,
më bëre për vaj e lule,
aman mike-aman nure!
***
Portatë nga deti,
dritaret nga lumi,
sytë si liqeni,
gushën si pëllumbi…
Sytë si liqeni,
gushën si pëllumbi,
që nga syri yt,
tek unë erdhi plumbi..
***
Shalët e tua si ngjalë,
më dridhen në duar-o,
në mes një pëllumb i bardhë,
ç’është për t’u qëlluar-o!
