Prokuroria e Matit kërkon burgosjen me 4 vjet të kryekomunarit të Xibës dhe 3 vjet për atë të Rukajt, sepse i akuzon për vjedhje dhe falsifikime, bashkë me kryefinancierin e komuës Rukaj dhe kolegun e tij në Baz. Për 2 të fundit kërkohet 5 dhe 3 vite burg. Gjithësej, nën akuzë janë vënë Lufti Çeka, titullari i komunës Xibër, Hamit Xhakrosa, kreu i komunës Rukaj, Gani Ruka, kryefinancieri i Xibrës dhe Hajredin Bardhi, shefi i Financës së komunës Baz, sepse organizonin tendera fiktivë, ku të gjitha i fitonte një subjekt, pa bërë asnjë punë. Vetë kryekomunarët paguanin dikë tjetër dorazi për punët dhe lekët xhiroheshin më shumë se shpenzimet reale, duke përfituar pjesën e mbetur.
Porositeshin dru për shkollat, rregulloheshin mure komunash apo restauroheshin godina pafund, por vetëm në letra të falsifikuara, ku çdokush mbyllte syrin e tij, për të përfituar sa më shumë prej shtetit. Në fakt shumat që ata dyshohet se kanë vjedhur janë të vogla, por të shpeshta, aq sa për të përfituar secili pjesën e vet, teksa sipas burimeve zyrtare të policisë gjithçka kishte lidhje me një tjetër process gjyqësor, ku javën e kaluar u dënua me 2 vjet burg Mustafa Celami, kryetari i komunës Gurrë, si dhe me një 2 vit burg Behar Metra, ish-nëndrejtori i spitalit të Burrelit dhe me 1 vit Etion Mani, ish-shef finance në shëndetësinë e Matit. Ndërkaq, seanca gjyqësore për 4 zyrtarët për të cilët është formuluar pretenca, do të mbahet më 29 maj të këtij viti.
Kryekomunari dhe skema e mashtrimit në Xibër
Lutfi Çeka, që nga korriku 2011 deri tani është kryetar i Komunës Xibër, Rrethi Mat dhe kryen sipas ligjit dhe detyrën e Titullarit të Autoritetit Kontraktor, ku deri në qershor 2012, ka nxjerrë urdhëra për prokurimin e mallrave dhe shërbimeve të ndryshme, me procedurën e blerjeve me vlera të vogla. Nga praktikat e prokurimit rezulton se fitues është shpallur subjekti fizik me emrin tregtar Yllka Selita, administratore e së cilës është po Yllka Selita, banore e qytetit Burrel. Prokuroria e Matit, gjatë gjykimit të kësaj çeshtjeje penale ka provuar se në të gjitha rastet e prokuruara ku fitues është shpallur subjekti Yllka Selita, procedurat që janë ndjekur në këto raste kanë qenë fiktive. Qëllimi, në këto raste ka qenë kriminal, për të përvetësuar fondet në fjalë, pasi subjekti Yllka Selita, nuk ka marrë pjesë në këto prokurime dhe nuk ka kryer punë apo ofruar ndonjë shërbim.
Subjekti Yllka Selita shërbente vetëm për të bërë të mundur kalimin e fondeve, të cilat ktheheshin përsëri në duart e autoritetit kontraktues, në rastin konkret, në komunën Xibër. Çeka, ka nxjerrë urdhërat e prokurimeve, por veprimet e komisonit që përbëhej nga shefi i financës së Komunës Xibër A. Topalli dhe dy anëtarët e tjerëe E. Sulaj dhe G. Kurti, kanë rezultuar fiktive. Komisioni, jo vetëm që nuk bënte testim tregu, siç kërkohej nga ligji, por përpilonte dokumentacion fals. Skema ishte e thjeshtë: Topalli, pasi takonte të pandehurin Dritan Farrici, që ishte prezantuar si përfaqësues i subjektit Yllka Selita, përpilonte dokumentacionin e faturën e thjeshtë tatimore, ku thuhej se puna apo shërbimi ishin kryer nga Selita. Kjo praktikë menjëherë i vihej në dispozicion shefit Çeka dhe ai nënshkruante, pa pasur dijeni për shërbimet.
Sipas prokurorisë së Matit, në çdo rast shumat e prokuruara, pasi kalonin nga Dega e Thesarit Mat, xhiroheshin në llogarinë bankare të subjektit Yllka Selita. Më pas të gjitha shumat e prokuruara tërhiqeshin nga Farrici, i cili pasi mbante 10 % të shumës së prokuruar, sipas marrëveshjes që ishte bërë më parë, pjesën tjetër të shumës ja jepte Topallit. Në kërkesën për gjykim të prokurorisë citohet se “Në të gjitha rastet, shtetasi A. Topalli ka tërhequr nga i pandehuri Dritan Farrici 90 % të shumave të parave të prokuruara dhe këto shuma të lekëve ja ka dorëzuar dorazi të pandehurit Lutfi Çeka. Para gjykatës Topalli ka deklaruar se shumat e tenderuara ai i ka marrë përsëri nga Dritan Farrici, pasi ky i fundit mbante 10% të shumës së prokuruar. Këto para ia ka dorëzuar kryetarit të komunës, të pandehurit Lutfi Çeka.
Tri të akuzuarit e tjerë
Prokuroria e Martit thotë se në rastin e Komumes Rukaj veprimet fiktive dhe të kundraligjshme kanë qenë flagrante, pasi as formularët për testimin e tregut, (tip 3 ) as procesverbali mbi përzgjedhjen e fituesit (4 ) dhe as proceserbali përfundimtar i marrjes në dorëzim të mallrave apo shërbimeve nuk janë nënshkruar nga personat që kanë qenë të ngarkuar për kryerjen e tyre, më konkretisht shtetasit Bashkim Këputa, Edison Troci, Flota Neziri dhe Gani Kuka. Nga akti i ekspertimi teknik, grafik, shkrimi dhe nënshkrimi ka rezultuar se: “Nëshkrimet “emër mbiemër” në emrin Bashkim Këputa, Edison Troci, Flora Neziri, Gani Kuka, nuk janë origjinale. Të gjitha praktikat e prokurimit i fitonte subjekti Yllka Selita, me qëllim përfitimin e shumave të lekëve të prokuruar, nga kryekomuari Hamit dhe kryefinancieri Gani Ruka.
Prokuroria thotë se provat e paraqitura nga Ruka nuk duhet të mbahen parasysh nga gjykata, pasi janë akte të falsifikuara dhe dëshmitarët kanë dhënë dëshmi të rreme. Ndërkaq, për Hajredin Bardhi, kryefinancierin e komunës Baz, prokuroria ka gjetur se për veprime fiktive me subjektin fizik Yllka Selita, është administruar dhe akti i ekspertimit teknik, grafik, shkrimi dhe nënshkrimi i 20 shkurtit 2013, ku rezulton se “Nënshkrimet e plota në emër të Yllka Selita, nuk janë nënshkrimet origjinale të Yllka Selitës”.
