PËRLOTJA E HIPOKRIZISË

Ornela

Viktor Malaj

Mundohu me u duk gjithmonë çka s’je, Ma e mirë se duka s’asht gja mbi dhe– At Gjergj Fishta

Askund nuk luhen më mirë farsat e hipokrizisë se në tregti, politikë dhe dashuri. Veçanërisht politika duket se është një teatër që josh dhe aktivizon më shumë, më shpesh dhe më turpshëm të gjithë gjenitë e hipokrizisë.

Njerëz pa nder që shiten si apostuj të moralit; individë pa integritet dhe dinjitet që vetëshpallen profetë të së drejtës dhe bartës të virtyteve; gjahtarë postesh, privilegjesh e përfitimesh vetjake që rrëmbejnë stafetën e bamirësit; njerëz pa din e iman që shiten si besimtarë të devotshëm; sharlatanë të paskrupuj që shfaqen si shqytarë e mbrojtës të parimeve; gangsterë e hajdutë të pashpirt të pasurisë kombëtare që bëjnë çmos të duken si të mëshirshëm e vetëflijues; flirtues të përditshëm e kudogjendshëm që betohen për dashuri e besnikëri të përjetëshme; shkelës të shumëhershëm të ligjeve dhe interesave shoqërore që kërkojnë të marrin licensën e avokatëve të popullit dhe përmbaruesve të dekriminalizimit etj.etj. nuk e lënë kurrë zbrazur skenën e teatrit të jetës tonë politike e shoqërore.

Të gjitha këto i kalova nëpër mend këto ditë kur, për të disatën herë, pashë dhe lexova se një zonjë e politikës u përlot ndërsa fliste përpara 500-600 militantëve të paguar partiakë që vijnë në shesh sa herë gënjehen nga opozita politike se prania e tyre para godinave të Qeverisë ose Parlamentit do të përmbysë vullnetin dhe besimin e gati një milion shqiptarëve, besim i shprehur nëpërmjet votimeve të qeta dhe të fshehta dhe jo nëpërmjet grumbullimeve, çjerrjeve dhe akteve të zhurmshme e të hapura të dhunës, në mes të ditës dhe në mes të kryeqytetit.

Zonja në fjalë ka qenë zyrtare e lartë e shtetit në disa qeveri të majta e të djathta pasi partia ku ajo bën pjesë është më shumë një “shoqatë gjuetarësh” dhe dihet mirëfilli se për gjuetarin ka rëndësi të kthehet në shtëpi me gjah dhe jo fakti nëse gjahun e vret në mal apo në fushë, nëse e qëllon me dorën e djathtë apo të majtë.

Zonja lehtësisht e prekshme nga fatkeqësia që e ka gjetur vendin qysh kur asaj iu hoq mundësia të ulej rreth sofrës së pushtetit, përlotet sa herë ushtria e budallenjve rrethon Qeverinë dhe Parlamentin në një përpjekje të pashpresë për të ndryshuar me dhunë atë që është vendosur me votë.

Madje, jo vetëm kaq, por ajo përlotet edhe kur kryetarja e partisë së saj mban fjalime dhe zonja e nderuar betohet se do ta mbështesë kryetaren në të gjitha gjërat, si atëherë kur godet me çizme kundërshtarët politikë, edhe kur betohet se do i tërheqë ata zvarrë për së gjalli. Nuk dihet ende nëse mbështetja për kryetaren do të shkojë deri në premtimin e saj për t’u bërë kamikaze vetëm e vetëm që të zhduket kryeministri Edi Rama.

Duke qenë “demokrate” 24 karatësh zonja i kumton turmës së dehur nga marrëzia se “Shqipëria është e jona dhe ajo duhet të jetë pa Edi Ramën”.

Madje, ajo e siguron turmën se “Shqipëria ka burra të vërtetë…”, por nuk e sqaron se çfarë tiparesh kanë këta burra dhe nuk begenis t’ua përmend emrat tani për tani. Me sa duket na e lë neve të hamendësojmë se “burrat e vërtetë” duhet të jenë ata me të cilët ajo ka lidhur aleancë dhe del në protesta dy herë në muaj.

Burrat e vërtetë duhet të jenë falsifikuesit dhe dhunuesit e shumëhershëm të proceseve zgjedhore, të njohur si të tillë kombëtarisht e ndërkombëtarisht, duhet të jenë zhvatësit e qindra milion eurove në ndërtimin e rrugëve si ajo Milot-Kukës apo në privatizimet si ajo e Armos, duhet të jenë dhunuesit, burgosësit, vrasësit e gazetarëve dhe opozitës politike, organizatorët e luftës veri-jug të 1997 apo nënshkruesit e marrëveshjes famëkeqe antikushtetuese me Greqinë, duhet të jenë postjerët dixhitalë dhe shpifësit e përditshëm, fyesit e paskrupuj të femrave deputete, kryeprokurore apo nëna dhe motra të kundërshatrëve politikë etj.

Zakonisht, përlotjet ndodhin tek njerëzit ose nga një gëzim i madh dhe i papritur ose nga një dhimbje e thellë për fatkeqësitë që ndodhin. Zonja që përlotet në çdo miting protestues ka qenë në drejtimin e njërës prej ministrive më të rëndësishme, asaj të arsimit në disa qeveri, edhe atëherë kur vetëm në qarkun e Kukësit figuronin 1800 fëmijë analfabetë, edhe atëherë kur fëmijët nga një fshat i Kukësit detyroheshin të shkonin në shkollë në Kosovë apo disa fëmijë në jug që i merrnin grekët me mikrobuzë dhe i çonin në shkollat e tyre, ngaqë nuk kishin shkolla të përshtatëshme brenda territorit shqiptar, edhe atëherë kur dhjetëra apo qindra shkollave në fshatrat e Shqipërisë u pikonte çatia dhe nuk kishin ngrohje gjatë dimrit.

Zonja ka qenë në drejtim edhe kur 57% e shqiptarëve rezultonin analfabetë funksionalë. Unë nuk gjeta askund në arkiva të medias të thuhej se zonja jonë e nderuar ishte prekur dhe përlotur nga këto fenomene jashtëzakonisht të dëmshme për të sotmen dhe të ardhmen e popullit shqiptar. Madje, unë nuk gjeta asnjë njoftim përlotjeje prej saj as kur u vranë fëmij në Gërdec dhe as kur u vranë katër protestues të pafajshëm në bulevard.

Me sa duket, aroma e tepsisë së pushtetit është shumë dehëse dhe të krijon ndjesinë se kur i ke barkun dhe xhepat e tu plot të mbushur i kanë edhe të tjerët, madje edhe ata që merrnin bukën e fëmijëve me lista të pambarimta.

Nga ana tjetër, kur njerëzit i zë histeria për pushtet iu krijohet ndjesia dhe bindja se gjithë populli vuan në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtët arësye, se të gjithë mendojnë siç mendon i eturi për pushtet dhe të gjithë janë të gatshëm të sakrifikohen për “kauzën” e politikanit lakmitar. Duhet të jesh pa kurrfarë dinjiteti ose mendërisht i mangët të shpallësh se “ky parlament nuk është i popullit por i oligarkisë…” gati dy vjet pasi procesi zgjedhor është certifikuar 100% nga KQZ dhe anëtarët e partisë tënde në çdo komision zgjedhor dhe pasi ai proces zgjedhor është pranuar si i lirë dhe i rregullt nga bashkësia ndërkombëtare.

Përveç të tjerave, zonja pushtetdashëse iu paraqit turmës si “përfaqsuese e brezit të dytë që bëri luftën…”. Është për të ardhur turp ta dëgjosh, aq më tepër një femër, një bashkëshorte, një edukatore dhe një nënë që flet për luftë. Luftë me kë dhe kundër kujt? Madje, edhe sot asaj i duket vetja si Nora e Kelmendit kur i thotë turmës se “si shqiponja të thërrasim: Rama ik! dhe ta shporrim…”.

Mirëpo ajo “harron” se Nora e Kelmendit, ndryshe nga kjo e sotmja, i nguli thikën pashait pushtues turk që kërkonte dhunimin e vajzave dhe grave shqiptare ndërkohë që zonja në fjalë kërkon dhe nxit luftë kundër shqiptarit dhe shqiptarëve që e kanë votuar për qeverisës, sepse të deklarosh se “nuk ka kthim prapa derisa të largohet kryeministri” do të thotë të përçmosh, fyesh dhe dhunosh ndërgjegjen dhe lirinë e të gjithë atyre votuesve shqiptarë që, në një moment të caktuar, me apo pa të drejtë, kanë menduar dhe vendosur t’i qeverisë ky Kryeministër dhe kjo parti politike. Etja e pashuar për pushtet dhe privilegje e Norës së sotme nuk mund të anulojë dëshirat, mendimet dhe vendimet e shumicës së shqiptarëve.

Ky sistem politik në të cilin kemi kaluar prej thuajse tridhjetë viteve dhe që e glorifikojmë parreshtur, por e mallkojmë kur s’na bën vend rreth tepsisë, i kërkon detyrimisht Norës së shekullit të 21-të, partisë së saj dhe aleatëve të tyre, tërësisht të diskredituar në opinionin e brëndshëm dhe të jashtëm, të presin edhe nja dy vjet të tjera dhe pastaj të “hipin” në peshoren e popullit.

Sa i përket krahasimit vetjak apo të turmës me shqiponjat duhet mbajtur parasysh se shqiponja është edhe simbol i trimërisë dhe forcës, por edhe bën pjesë në shpendët grabitqarë.

Sikur zonjën në fjalë ta kishim parë të përlotur edhe kur ishte shtruar këmbëkryq rreth sofrës së pushtetit dhe të konstatonim sfilitjen e saj kundër oligarkisë dhe në shërbim të fëmijëve që ushqeheshin me bukë të blerë me lista, do të kishim arësye që sot t’i besonim kur premton se “kur të vijmë ne në pushtet do ta ndërtojmë vendin…”.

Ti ishe në pushtet. Pse s’e ndërtove?! Kështu që na mbetet të besojmë më tepër faktin se “zonja e përlotur”, që e kalon mikrofonin hijshëm nga njëra dorë në tjetrën, ka përvetësuar mirë dhe vënë në jetë “këshillën” e sipërcituar të At Fishtës, megjithëse ai e kishte përdorur si mjet për të stigmatizuar hipokritët dhe sharlatanët e kohës së tij të cilët duket se, fatkeqësisht, kanë lënë mjaft pasardhës.

 

 

 

 

Share This Article
8 Comments
  • Qyqja bënë ku ku ,
    për t’ a kujtuar .
    Nora e përlotur ,
    Thotë unë jam këtu ,.
    Munikën për t’ mos harruar !

    Ulurinë Munika,
    si ulkonja mbi gjak ,
    Thërret në mes pyllit ,
    ulkonjat reja i përlot.

    Më të shkathtat vjaza ,
    e ndoqën me çizme ,
    Nora zbraz LOTËT ,
    e mbushin thasët.

    Monika valë-valë ,
    sulmon Policinë me hanxharë .
    Nora me urrejtje sillet vërdallë,
    pa mëshire i ndjek nga pasë.

    Të shijoshë bukurinë e jetës ,
    nënë ombrellë të Monikës ,
    Ke kryer detyrën ,
    ndaj vetëvetes dhe familjes .

    Për një ulkonjë në parlament ,
    me emrin Monikë .
    Nora luajti nga mentë,
    nuk ka turp ,as shpirt.

    I zgjidhi grykën thesit,
    kjo grua llafazane ,
    Na çau vrimën e veshit ,
    thonë se është dibrane .

    Thonë se kur ishte cucë ,
    ishte e urtë si dele .
    Tani me këpucë ,
    gjuan si gabele.

    E mori Skraparlliu,
    se ju duk e urtë .
    Mirpo fatëziu ,
    ishte pak i shkurtë.

    Tregojë fjalë të urta ,
    sot dhe atëherë.
    Kaun që vret lopa ,
    ai ka, duhet therë.

    Ditë për ditë vetëm protestë,
    sikur Monika me dalë për festë.
    Qeverisë me i fut frikën ,
    Në emërin tonë me zënë karriken.

    Opozita ska rrugë tjetër ,
    po përdor stilin e vjetër .
    Sa ka vjedhë e na ka ba,
    prap do me na fut në bela.

    Norës s’ i është tharë akoma loti ,
    policët kan dhimbje nga gurët e shkopi .
    E kan zënë rrugën n’ Milot ,
    Duan me marr pushtetin sot.

    Deri këtu shkon arroganca,
    me shpejtësi vjen ambulanca .
    Një i sëmurë ,gati me vdek ,
    Nora me dy gishta përpjetë.

    Qëndro ,moj Nora e Malit !
    nuk ke çfar me ba .
    Hallet e marrëzisë ,
    mbi ty paskan ra.

    E falenderoi V.Malajn bashkë me këtë shkrim brilant që stigmatizon e kryqëzon si në pasqyr fytyrën e sotme reale të kamelonve politik që ndrrojnë ngjyrën ,lëkurën dhe partitë sipas kuletës.

    • Nora Malaj si një ekzemplar i hipokrizisë dhe mbartëse e gjithçkaje nga ato që përmend paragrafi i dytë i shkrimit, është njëherazi dhe mbartësia e të gjitha veseve dhe karakteristikave që manifestojnë pjesa më e shëmtuar e gjithë trevave shqiptare. Kjo e ashtuquajtur ‘zonjë’, na çfaqet sot, e sa kohë, si përfaqësuesja më e shpifur e krahinës së Ulqinit, Mirditës, Kolonjës dhe Vlorës, të cilat në shërbim të dukjes së vet, siç thotë Fishta, na i paraqet me krenare si bijë apo nuse e të cilave është. Sigurisht që nuk i përfaqëson, përkundrazi ata ndjejnë neveri, kur ajo vlerat e pamohueshme të tyre, si ndershmëria dhe atdhedashuria, ajo reket t’i përmendë si vlera të saj.

  • SAKTE DHE BUKUR ..Z.Malaj . Ky eshte pislleku qe po i vjen rrotull Shqiperise , shpresojme ta kalojme pa dhimbje kete moment te demokracise dhe kur te vije koha ,po te doje populli, te ike Rama dhe te vije kush te jete me i afte ,,,por jo me pazare te qelbura dhe me banditizma te uleta ,se ndryshe skemi per tu bere shtet kurre

  • Shume drejt e bukur z. Viktor, por nuk e di ne se i ke mare leje Thanos apo jo se kur lendon Moniken ke lenduar edhe Thanon. Kam shume respekt per ju por mendoj se po shkruajte keshtu nuk e ke te gjate ne kete gazete te Like Floririt. Kot nuk eshte Thanoja aty dhe atij nuk ia ha qeni shkopin. Vetem ju dhe z. Xhevdet keni ngelur deri tani me integritet. Une mendoja edhe z. Bedri ishte i te njejtit lloj me ju, por kohet e fundit sikur ka filluar te marin kthesen edhe ai. Sa per ata Belulet e famshem me ne krye ” I fundit i Moikomeve” nuk ia vlen te meresh se jane aty per tu dukur dhe s’kane fare vlera intelektuale dhe morale. Megjithate rrofte z. Thano se keshtu e mbajme mire edhe me presidentin hajdut.

  • Gjithe hipokrizia ashtu si dhe pa aftesia jane te mbledhura te opozita. Gjithe sinqeriteti aftesia zgjuarsia jane mbledhur grusht bashkuar rreth Edi Rames. Por e keqja eshte se keta rreth e rrotull Rames, keta te sinqertet te aftet dhe mendimtaret akoma nuk po i shpalosin aftesite e tyre hyjnore. Akoma nuk po vijne ne pushtet…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *