Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në jugun e Italisë, veçanërisht në Siçili dhe në Kalabri.
Për pasojë, është shënuar një viktimë dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Forcat zjarrfikëse italiane gjetën ditën e sotme trupin e pajetë të një 43-vjeçari, të cilin e kishte marrë rrjedha e lumit në tentativë për të shpëtuar vajzën e tij 17-vjeçare.
Trupi i italianit u gjet rreth 250 metra larg automjetit të i tij. Si pasojë e reshjeve, lumi doli nga shtrati dhe shkaktoi dëmtim të rrugëve dhe linjave hekurudhore duke përpirë gjithçka i doli përpara. Nga dita e shtunë në Siçili janë regjistruar sasi të jashtëzakonshme shiu, me një erë të fortë deri në 80 km/h. Ndërkohë edhe ditën e sotme autoritetet vendase janë në gjendje emergjente pasi ende situata nuk është përmirësuar.
