Prej vitesh, qeveritë dëmshpërblejnë fermerët për përmbytjet e shkaktuara.
Me sa duket, kësaj historie po i vjen fundi, pasi fermerët do të duhet të sigurojnë bizneset e tyre. Nisma do të shndërrohet së shpejti në ligj nga Ministria e Bujqësisë, kreu i së cilët, Edmond Panariti, e bëri të ditur këtë gjatë konferencës për marrëveshjen me BERZH.
Ai foli edhe për përmbytjet aktuale, duke deklaruar se po vlerësohen dëmet. Ministri tha se fondi është prej 6 milionë eurosh.
“Ne po bëjmë vlerësimin e dëmeve. Tani që janë tërhequr ujrat e kemi më të lehtë të shohim shkallën e dëmit, dhe mbi këtë bazë do të procedojmë me dëmshpërblimin. Së shpejti nis rimbursimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e vjetshme. 4 milionë euro do të vihen në dispozicion në trajtën e rimbursimeve direkte në kontot e fermerëve, pjesa tjetër do kalojë në trajtën e granteve për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore dhe një pjesë tjetër në trajtën e asistencës teknike. 6 milionë euro do të vihen në dispozicion për përmbytjet”, tha ministri.
Teksa buxheti i shtetit pritet të çlirohet nga kjo barrë, Panirit tha se çdo fermer duhet të sigurojë biznesin e tij nga rrisqet.
“Por mendoj se kjo nuk është rruga e përballimit të këtyre historive. Por rruga do të jetë sigurimi i bizneseve bujqësore. Ai që merr përsipër fillimin e një aktiviteti në fushën e bujqësisë duhet ta sigurojë atë nga rreziqet. Kjo është një kërkesë që do të rregullohet dhe me ligj. Ne po fillojmë këtë vit me një projekt të parë të sigurimit të prodhimit bujqësor përmes një projekti pilot duke marrë përsipër mbulimin e primit, por sigurisht që do të rregullohet dhe në mënyrë normative: Pra bizneset bujqësore të sigurohen. Kjo është një kërkesë edhe nga sistemi bankar për ta financuar.
Sigurimet do të jenë një pjesë e kostove të investimeve në fushën e bujqësisë. Kjo do të zgjidhë dhe një cikël vicioz, ku sa herë që kemi dëme i paraqesim faturën shtetit i cili do të bëjë aq sa ka mundësi të bëjë por pjesën më të madhe rregullohen nga sigurimet”, tha ai./Dita/
