Sasia e madhe e ujit të shkarkuar nga hidrocentralet ditët e fundit nuk është vetëm pasojë e reshjeve, por edhe e shpyllëzimit të zonave përreth. Eksperti i Energjetikës, Gjergj Simaku, në një intervistë për gazetën Shqiptarja.com shpjegon se shpyllëzimi masiv ka ndikuar në grumbullimin e sasive të mëdha të ujit në kaskadën e lumit Drin.
Ish-kreu i Agjencisë së Energjisë thotë se një situatë e ngjashme me atë të ditëve të fundit është e destinuar të përsëritet. Ndërsa KESH-i detyrohet të hapë portat për të shpëtuar digat, koston e paguajnë banorët e ultësirës perëndimore, tokat dhe mundi i të cilëve mbyten në ujë çdo vit.
