Moikom Zeqo
Një histori, ndoshta e trilluar.
Shek XVIII-të. Në karnavalin magjepsës të Venedikut shfaqet një lloj tipi meksikan, i maskuar si Montezuma, perandori i mbramë actek, i shoqëruar nga një shërbëtor kuban.
Takojnë muzikantin italian Antonio Vivaldi. Ky artist i përkorë kishte flokë të kuqe dhe me pamjen e tij ngjallte habi të menjëhershme.
Vivaldi po kompozonte një opera kushtuar personazhit historik të Montezumës. Temën e kishte huazuar prej Historisë së Pushtimit të Meksikës (viti 1685), të kronistit spanjoll Antonio De Solis.
Ndodh paradoksi: aventurieri meksikan që quhej gjithashtu Montezuma e befason Vivaldin. Midis dy Montezumave, heroit tragjik operistik dhe Montezumës së vetëshpallur, Vivaldi përjeton një botë ku gërshetohen kohërat.
Shoqërisë së tyre i bashkohet dhe një tjetër muzikant, Skarlati. Mbas bisedave të mjegullta dhe shumëkuptimëshme, të gjithë tok vizitojnë manastirin Ospedale della Pietana, një manastir grash. Në një nga qelat e këtij manastiri Vivaldi vendosi të punonte mbi partiturat.
Ngjarjet pasojnë duke ngatërruar rendin kalendarik. Vivaldi kujtohet dhe flet për një muzikant rus të shek. XX-të, Igor Stravinskin. Është e habitshme sesi Vivaldi e klasifikon Stravinskin në rrafshin estetik dhe profesional.
Katrahura rritet edhe më tej. Ka debat të pareshtur. Meloditë muzikore ilustrojnë idetë. Domeniko Skarlati këndon gjithmonë vargun “Kabala Sum Sum”.
Rindërtohen disa botë imazhesh, që vërtiten në fuga të pandalura. Debatin e kryeson Vivaldi, si të ishte korifeu i një kori të lashtë antik. Vivaldi shprehet se vërtet çdo temë është potencialisht muzikore. Edhe mitologjia pagane, edhe Bibla.
Por Vivaldi kërkon t’a revolucionizojë operan. Në dialogët e tij, Vivaldi shprehet se “pas shumë Apolonësh, Orfejsh, Galateash ose profetësh plot fantazi mesianike, ka ardhur koha që në skenën e operas të ngrihet edhe Polonia, Shqipëria, Skocia, Armenia dhe se pas figurave të Tristanit dhe të Izoltës duhet të ngrihet “edhe shqiptari Skënderbe, që kaq e kaq të vrarë shkaktoi mes otomanëve pushtues”.
Po fryjnë erëra të reja.
Shumë shpejt publiku” do të velet me barinjë e dashuruar idilikë, me hyjneshat ndërhyrëse, me murgeshat vizionare dhe figurat e heronjve konkretë të historisë do të zënë vendin e tyre”.
Aventurieri Montezuma e parapëlqen këtë ide ndryshuese.
Ai shton se edhe një figurë e tillë si Salvator Golomoni, që u ndesh me hugenotët, armiq të besimit katolik papnor, mund të skalitet artistikisht.
Por Skënderbeu luftoi për lirinë e shqiptarëve dhe Europes.
Dhe ai shton “nëse e quajmë barbar kreolin tonë, Salvator Golomonin, nuk mund të themi se po aq barbar qe dhe shqiptari në bregun matanë”, pastaj duke thënë këto tregoi me dorë në atë drejtim nga duhet të ishte Adriatiku, sipas busullës së mendjes së tij, mendjes së tij të çorientuar prej verës së purpurt, që kishin pirë gjatë gjithë natës.
Përmendja e emrit të Skënderbeut duket si një rastësi, aspak e qëllimshme, por megjithatë befasuese. Dihet se Antonio Vivaldi ka mbetur i famshën në historinë e artit pikërisht se shkroi më pas edhe një opera kushtuar figurës së Skënderbeut.
Por kjo gjë më tepër nënkuptohet.
Nuk shprehet.
E gjithë historia e mësipërme ka tërhequr vëmendjen e shkrimtarit të famshëm kubanez, që lindi në vitin 1904, në Havana të Kubës, dhe vdiq në vitin 1980, në Paris.
Ky shkrimtar është Alejo Carpentieri, një nga më të famshmit dhe më të talentuarit mes shkrimtarëve të rëndësishëm latino-amerikanë.
Ai e shkroi një kryevepër të vogël me titullin “Koncerti Barok”.
E botoi në Paris në 1974.
Ai qe, përveçse shkrimtar, edhe muzikolog.
Pikërisht në këtë intrigë romaneske të ngatërruar autori fut edhe emrin e Skënderbeut shqiptar.
Ai mendon për bëmat e Skënderbeut sipas logjikës muzikore.
Ai e di që muzika moderne është bërë më e harlisur.
Ka qenë tek Klubi i Madh i Mermerëve të Abacisë së Westminsterit në Londër, ku orkestra oshëtin nga trumbetime misterioze dhe triumfale.
Ka dhe instrumenta të tjerë: saksofonë, klarineta, kontrabasa, kitara elektike, daulle kubaneze, gajde skoceze dhe instrumentat “tip inagua”të baskëve në Bilbao, instrumenta të lashtë në formë drurësh që godasin njëri tjetrin si çekan argjendarësh, piano të stilit surrealist.
Dikur dhe profeti Daniel kishte mësuar shumë gjëra në Kaldea dhe kishte folur për një orkestër fantastike me vegla të pangjashme frymore dhe harpa të trishtuar.
Mbi të gjithë këtë imazh tingujsh spikat trumpeta epokale e Luis Armstrongut, në një strike-up, mbi temën “I can’t give you anything but love, Baby”.
Kështu modernizimi i muzikës ringjall mitet arkaike.
Idea për të shkruar një skicë puritane për këtë fakt më ka lindur sapo kam lexuar librin e jashtëzakonshëm të Carpentierit.
Vite më vonë, gjatë një vizite në Vienë, kam parë në Muzeun e Armëve diçka që më ringjalli ndjesitë, duke m’i bërë më këmbëngulëse.
Aty qe ekspozuar përkrenarja prej ari e perandorit actek, Montezumës. Jo shumë larg ishte dhe vitrina ku ruhej përkrenarja me kokë dhie e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Bëra një alternim të historive përkatëse.
Montezuma qe një perandor i madh dhe i kulturuar, por i fiksuar mbas profecive astrologjike.
Kur erdhën spanjollët e Kortezit në Meksikë, Montezuma iu nënshtrua plotësisht profecisë acteke, që bazohej në llogaritjet kalendarike se do të vinin “hyjnitë e bardha për të marrë në dorëzim viset e actekëve, ku gjoja dikur, shekuj më parë, kishin lindur vetë këto hyjni”.
Spanjolli Kortez e burgosi Montezumën në një tempull. Montezuma, në shkëmbim të lirisë së tij, i tha Kortezit se mund t’a mbushte tempullin me objekte floriri, argjendi dhe gurë të çmuar deri tek pullazet.
Kortezi i premtoi se do t’a lironte.
Nga gjithë skajet e perandorisë actekët sollën thesare të panumërta.
Por Kortezi nuk e mbajti fjalën dhe e vrau Montezumën. Pikërisht mbas kësaj vdekjeje të pabesë, Montezuma u legjendarizua.
Shkëlqimi i emrit të tij u bë i pakufijshëm.
Kurse historia e Skënderbeut është ndryshe.
Skënderbeu nuk kishte thesarë, as pasuri marramendëse.
Skënderbeu kishte vetëm shpatën dhe vullnetin e lirisë.
Ai u përgjak për njëzetë e pesë vjet me pushtuesit aziatikë.
Këto fakte kanë trazuar ankthshëm ndërgjegjien e Antonio Vivaldit.
Dy operat e tij mund të krijojnë së bashku diçka të vetme. Natyrisht, stili barok nuk është vetëm ornamental.
Është gjithëpërfshirës dhe i mbush të gjitha hapësirat. Stili barok rishfaqet në një farë kuptimi edhe tek Xhejms Xhoisi.
Ndoshta ka dhe një kujtesë baroke të njerëzimit.
Por mbetet enigmë e veçantë fakti pse shkrimtari Carpentier u ngulit tek emri i Skënderbeut?
Ç’dinte ai për Skënderbeun?
Nëse në rrëfimin e tij të ngatërruar, Vivaldi e përmend një Montezumë të rremë, duhet thënë që pikërisht në Venedik janë shfaqur disa herë edhe Skënderbej të rremë.
Kjo është në substancën e ballove me maska, kaq të famshme në Venedik.
Kuptohet se maska e Skënderbeut mund të jetë edhe virtuale edhe artistike.
Kjo është një formë e simbolit në letërsi.
Kështu historia bëhet më metaforike, por ka gjasa edhe me një alegorizëm të pafund.
Duke mos patur shumë informacione të drejtëpërdrejta, idea ime për një skicë që lidhet me përmendjen e emrit të Skënderbeut ka mbetur përfundimisht e tërthortë.
Nënkuptimi bëhet kuptim.
Koktejli i kohërave dhe i emrave na jep kështu një shije të një ëndrre të pavdekshme.(2005)

Eshte si gjithmon kenaqsi te lexoshe .
Rrofsh …