E ardhmja e sulmuesit të Kukësit, Pero Pejiç me shumë gjasa sezonin e ardhshëm do të jetë jashtë Shqipërisë, por enigma më e madhe për sulmuesin kroat është nëse do të transferohet në Iran apo në një ndonjë vend tjetër. Sulmuesi kroat, që nuk ka rinovuar ende me Kukësin, ka kohë që përflitet në merkato për një largim të mundshëm nga verilindorët dhe zërat bëhen akoma më të zhurmshëm pas një informacioni të publikuar nga agjencia e lajmeve të Iranit, “Farsnews”, e cila bën të ditur se këtë të hënë kroati pritet të mbërrijë në Teheran për të firmosur marrëveshjen me klubin e Esthegalit, një prej më të mëdhenjve në vend.
Nxitimi i klubit iranian ka lidhje me faktin se merkato në Iran përfundon me datë 30 korrik, ndërsa kampionati nis në fund të muajit dhe klubi kërkon të mbyllë që tani marrëveshjet e lëna pezull. “Sportnews” ka kontaktuar me menaxherin e futbollistit, që bëri të ditur se ka interes nga Irani, por më shumë mundësi lojtari mund të transferohet në Turqi ose në Izrael, ku ofertat duken më serioze. Gjithsesi e ardhmja e lojtarit me shumë gjasa do të jetë jashtë Shqipërisë. Nëse zërat nga Irani janë të vërteta apo jo, kjo mbetet për t’u parë në orët në vazhdim megjithatë duket pak e vështirë që Pejiç të udhëtojë drejt Iranit, pikërisht përpara një ndeshje të rëndësishme si ajo e kthimit në Europa League me Mladost Podgoricën, ku Kukësi do të kërkojë të përmbysë humbjen e parë të pasur në “Qemal Stafa” me shifrat 0-1.
