Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, një nga çmimet më të lakmuara në botë, këtë vit është shpallur Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara.
Nisma u krijua në 1961, dhe sot siguron ushqim për mbi 90 milion njerëz në vit.
Vlerësimi për Programin e Ushqimit, me motivacionin “për përpjekjet e tij për të luftuar urinë, për kontributin për të përmirësuar kushtet për paqe në zonat në konflikt dhe për sjelljen si forcë drejtuese për të parandaluar përdorimin e urisë si armë lufte dhe konflikti”.
Berit Reiss-Andersen, kryetarja e komitetit norvegjez Nobel, vuri në dukje ndikimin e pandemisë së koronavirusit në furnizimet globale të ushqimit.
“Përballë pandemisë, Programi Botëror i Ushqimit ka demonstruar një aftësi mbresëlënëse. Siç ka deklaruar vetë organizata: deri në ditën kur kemi një vaksinë, ushqimi është vaksina më e mirë kundër kaosit”.
Komiteti Nobel u dërgoi një mesazh qeverive në të gjithë botën, duke i lutur që të mos shkurtonin kontributet financiare për grupet ndërkombëtare humanitare.
Organizata ka vuajtur nga një rënie e kontributeve në vitet e fundit, pasi vendet përfshirë Shtetet e Bashkuara financojnë më pak për organizatat globale.
David Beasley, drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, reagoi me gëzim dhe mosbesim ndaj lajmit për fitoren e Nobelit nga organizata e tij.
“Nuk mund ta besoj!”-tha ai.
Programi Botëror i Ushqimit është një degë e Kombeve të Bashkuara dhe organizata më e madhe humanitare botërore që trajton çështjet e urisë dhe promovon sigurinë ushqimore.
Përgjatë 2019, Programi Botëror për Ushqimin furnizoi me ushqime gati 100 milion vetë në 88 vende.
WFP është në gjendje të depërtojë edhe në rajone të vështira për t’u arritur si në Siri ose Jemen.
Që nga krijimi i Nobel-it ky është çmimi i 101 për Paqen në histori.
Në të shkuarën e kanë fituar 107 persona dhe 27 organizata. Favoritë për çmimin e këtij viti ishin OBSH, Greta Thunberg, Jacinda Ardern.
o.j/dita
