Përparim Bala, 23 vjeç, ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar pasi, sipas policisë, pas një grabitjeje të kryer në Bulqizë u përplas me blutë në Elbasan dhe vendosi t’i japë fund jetës me një plumb pistolete
Ervin Sanja
Dyshohej për një grabitje në Bulqizë, por përballet me armë me efektivat blu në Elbasan dhe vdes duke vrarë veten i rrethuar nga agjentët e policisë mes Librazhdit dhe Elbasanit. Burimet nga policia rrëfyen edhe skenarin e ngjarjes.
Sipas tyre, Përparim Bala, 23 vjeç, nga Bulqiza, është përballur papritur me një postbllok në vendin e quajtur Ura e Lizës dhe kur efektivat ndaluan furgonin dhe u bënë gati për kontroll, ai doli nga furgoni me një pistoletë dhe filloi të qëllojë.
Ndërsa efektivat janë organizuar, ai ka vrapuar për 100 metra në rrugë dhe ka ndalur një automjet që po hynte në Elbasan. Fillimisht ka tentuar të hyjë në sedijen e pasme, por ajo ka qenë e mbyllur me siguresë dhe ai i ka drejtuar pistoletën drejtuesit të mjetit nga Durrësi. Pasi ka zbritur drejtuesin dhe bashkëshorten e tij nën kërcënimin e armës, i riu ka marrë automjetin dhe është nisur drejt Elbasanit. I ndjekur nga policia, pasi ka bërë një rrethrrotullim, është kthyer nëpërmjet Unazës për t’u nisur sërish drejt Librazhdit. Forcat e policisë janë organizuar dhe nga Librazhdi gjithashtu janë nisur patrulla të lajmëruar për rrëmbyesin e automjetit. Pikërisht në vendin e quajtur Ura e Murrashit 23-vjeçari është detyruar të ndalet. Pasi ka qëlluar disa herë i rrethuar nga të dy krahët, plumbin e fundit e ka mbajtur për veten duke u vetëvrarë me armën e tij. Ose të paktën ky është pretendimi i policisë.
Policia: Vrau veten
Drejtoria e Policisë në Elbasan deklaron se kishte informacione për qarkullimin e grabitësit të argjendarisë në Bulqizë në zonën e Librazhdit. “Nga Drejtoria e Policisë Dibër kishim informacione se autorët e grabitjes së ndodhur sot (dje) në mëngjes në Bulqizë ishin larguar me drejtim Librazhdin. Menjëherë pas këtij informacioni, Drejtoria e Policisë Elbasan nisi kërkimet dhe gjatë shërbimit postbllok në aksin nacional Elbasan-Librazhd është ndalur për kontroll pas dyshimeve për qarkullimin e personave në kërkim, një furgon që vinte nga Librazhdi. Sapo është ndalur furgoni, një person ka dalë duke qëlluar në drejtim të forcave të policisë, të cilët për fat të mirë nuk janë lënduar.
“Të gjitha shërbimet e drejtorisë dhe komisariatit u vunë në ndjekje të personit që grabiti një automjet tip “Reno” me targa DR 6457E i cili është nisur drejt Librazhdit. Në vendin e quajtur Ura e Murrashit, 23-vjeçari Bala qëllon mbi veten duke gjetur vdekjen. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur drejtues të Prokurorisë Elbasan të cilët nga këqyrja e vendit të ngjarjes deklaruan se Bala ka qëlluar veten me pistoletë, armë e cila u gjet në mjet.
Ndërkohë nga këqyrja e jashtme, mjeti ka pasur të thyer xhamin e pasëm, i cili mendohet të jetë shkaktuar nga shkëmbimi i zjarrit me efektivat e policisë.
Dëshmitarja: I vuri pistoletën në kokë tim shoqi
Një çift bashkëshortësh nga Durrësi janë gjendur papritur në mes të përballjes polici- person në kërkim, i dyshuar për grabitje me armë në vendlindjen e tij. Menjëherë sapo ka lënë furgonin, pasi është endur me vrap në rrugë, i riu ka dalur mjetin me targa të Durrësit për të realizuar arratisjen e tij.
Ata kanë treguar tmerrin e atyre momenteve ndërsa ishin duke udhëtuar. “Ishim duke ecur kur pamë rrëmujën që ishte krijuar. Ndaluam kur pamë këtë personin me pistoletë afër makinës sonë. Fillimisht ai tentoi të hipte mbrapa. Dera qëlloi e mbyllur me siguresë, atëherë ai afrohet tek burri im dhe i vë pistoletën. U tmerruam. Na tha të zbrisnim dhe unë e burri nuk bëmë zë. E lamë makinën. Ai iku drejt Elbasanit dhe ne qëndruam aty në këmbë. Më pas për pak minuta e pamë të kalonte i ndjekur nga policia për në Librazhd. Pastaj mësuam se kishte vrarë veten”, përfundojnë tregimin ata ndërsa e kanë parë veten të përfshirë në një situatë mjaft të vështirë që mund të kishte rrezikuar edhe jetën e tyre. Tashmë automjeti i tyre i rrëmbyer nga 23-vjeçari ka shenjat e plumbave.