Vjen “El Clasico” i parë i sezonit, Barcelona pret Realin në “Camp Nou” sot në mbrëmje. Mesi e Ronaldo mbeten dy superyjet e sfidës, por vëmendja do të përqendrohet edhe te dy asët e rinj, Neimar dhe Bale
Vëmendja e të gjithë tifozëve të globit do të rikthehet në “Camp Nou” sot në mbrëmje, arena ku do të luhet “El Clasico” i parë i sezonit. Në mesjavë yjet u kursyen duke pasur në mendje pikërisht ndeshjen e madhe, e cila, për protagonistët e saj vlen sa një titull më vete. Në çdo përballje midis Barcelonës e Realit në vitet e fundit projektorët kanë qenë drejtuar më së shumti te dy superyjet sfidës, Leo Mesi e Kristiano Ronaldo, në duelin midis dy më të mirëve në botë. Këtë herë, një pjesë e vëmendjes do të shkojë te dy të sapoardhur në secilën prej skuadrave, Neimar e Gareth Bale. Braziliani është përshtatur më së miri në skuadrën e tij të re.
Padron i krahut të majtë, Neimar është kërcënim i vazhdueshëm dhe përpjekjet për ta frenuar kanë krijuar mundësi të mëdha shënimi për shokët e tij, ndërkohë që mirëkuptimi me Mesin është i shkëlqyer. Që tani ai është në qendër të debateve të shumta nga të gjitha anët. Barcelona ankohet shpesh për trajtimin brutal që i bëhet nga mbrojtësit që kanë për detyrë ta mbulojnë. Të tjerët e kritikojnë se e tepron me reagimin ndaj këtyre faulleve, ka edhe që e akuzojnë se hidhet kot.
Në kahun e kundërt, Gareth Bale ende nuk ka mundur të japë më të mirën për Realin, shkak i një dëmtimi që ka ardhur nga mospërgatitja e duhur gjatë verës dhe padurimi për të luajtur sa më shpejt. Të mërkurën hyri në fushë duke zëvendësuar Ronaldon, ndaj pritet që sot të jetë së bashku me portugezin që nga fillimi i lojës, megjithëse ka një konkurrent të fortë, Dia Marian.
E megjithatë, më të shumëpriturit nga milionat e tifozëve mbeten sërish ata, Leo e Kristiano. Dy asët vijnë në përballjen midis tyre me një mesatare me më tepër se një gol për ndeshje këtë sezon. Pasi shënoi dy herë kundër Juventusit, Ronaldo ka 15 gola në 12 ndeshje dhe në Champions League numëron shtatë në tre takime, duke qenë shënuesi më i mirë deri tani. Ylli portugez ka luajtur në të gjitha ndeshjet e skuadrës dhe ka mesatarisht 1.25 gola për ndeshje. Mesi ka qenë pothuajse aq rezultativ, duke shënuar 12 herë në 11 ndeshje, me mesataren 1.09.
Dëmtimet e kanë penguar argjentinasin të luajë aq rregullisht sa Ronaldo. Ai ka 822 minuta në total, përfshirë Superkupën e Spanjës, ndërsa Ronaldo 1032, megjithatë është vetëm tre gola poshtë portugezit për të gjitha kompeticionet. Në kampionat të dy kanë shënuar njësoj.
