Të paktën katër persona kanë gjetur vdekjen pas përplasjes së dy trenave në rajonin e Bavarisë në Gjermani.
Dy trenat e pasagjerëve u përplasën fort pranë qytetit Bad Aibling, rreth 60 km në juglindje të Mynihut.
Një nga trenat doli nga shinat në aksident dhe disa vagonë janë përmbysur, raportojnë mediat gjermane.
Policia tha se ekipet e shpëtimit janë duke u përpjekur për të liruar njerëzit që janë të bllokuar nën vagonët e rrëzuar. Policia federale tha se të paktën 150 persona kanë mbetur të plagosur.
Shumë ambulanca, helikopterë dhe stafe mjekësore shkuan në vendin e ngjarjes. Një zëdhënës i policisë në rajon tha se “ky është aksidenti më i madh që kemi pasur në vitet e fundit”.
Ai tha se dy trenat rajonalë janë përplasur në mes të Rosenheim dhe Holzkirchen pak para 07:00 sipas orës lokale. /Dita/
