Familja Prenga dhe ajo Cali i janë futur rrugës së pajtimit. Sherri që çoi prapa hekurave deputetin socialist, Armando Prenga, duket se po zgjidhen me “pleqnim”.
Konflikti midis dy familjeve që përfundoi me përdorimin e armëve lindi për shkak të shfrytëzimit të Lagunës së Patokut. Familja Prenga tentonte të merrte administrimin e kësaj Lagune, ndërsa familja Cali e kishte nën shfrytëzim prej dekadash.
Tashmë, dy familjet kanë nisur rrugën e pajtimit. Një fakt i tillë pranohet edhe nga Gjon Cali, një prej pjesëtarëve të familjes që për vite shfrytëzoi lagunën, e cila shërbeu si mollë sherri, duke sjellë për pasojë shtatë të plagosur dhe burgosjen e deputetit.
Gjatë një bisede telefonike me “GSH”, Gjon Cali ka pohuar se një i njohur i familjes së tyre ka biseduar me ta për çështjen e pajtimit me Armando Prengën, por deri më tani nuk e kanë konsideruar si mundësi pajtimi, pasi asnjë pjesëtar i familjes Prenga nuk ka trokitur në derën e tyre.
“Është e vërtetë që një mik i largët na ka bërë një bisedë për pajtim me familjen Prenga. Por, asnjë pjesëtar i kësaj familjeje nuk ka ardhur në shtëpinë tonë për të folur për pajtim”, tha Gjon Cali.
Ai theksoi se tentativa e parë është bërë nga personi në fjalë, duke u kërkuar pikërisht Calëve të kërkojnë falje, ata në drejtim të deputetit, për shkak se vëllai i Armando Prengës ka mbetur gjithashtu i plagosur rëndë. “Ne na vranë, na masakruan dhe s’kemi pse t’i kërkojmë kujt falje”, thotë më tej Gjoni.
Por, pyetjes sesi do të veprohet nga fisi Cali nëse familja e deputetit kërkon pajtim, Gjon Cali i përgjigjet: “Do ta bisedojmë gjatë dhe do marrim një vendim, nëse familja në fjalë kërkon pajtimin, sipas zakoneve që kemi ne si krahinë. Ne nuk duam të jemi në konflikt me askënd. Nuk duam të lëmë problem të hapura për fëmijët tanë”, dëshmon më tej ai. Tentativa për pajtim, duket se është një lëvizje e menduar mjaft mirë nga Armando Prenga.
