Përralla presidenciale

redaktor

Nga Viktor Malaj

 

Paraqitja e Presidentit të Republikës z. Ilir Meta në Komisionin Parlamentar të ngritur posaçërisht për të meriton të vlerësohet si një veprim dinjitoz dhe korrekt, si një respektim i institucioneve shtetërore duke filluar nga kreu i shtetit e deri tek qytetari më i thjeshtë. Kjo paraqitje shprehu anën formale, por jo edhe përmbajtjen.

Përmbajtjen do ta përbënin shpjegimet e argumentuara të Presidentit për rrethanat dhe shkaqet që e çuan arsyetimin e tij në përfundimin se zgjedhjet e dekretuara për t’u mbajtur në 30 qershor 2019 duheshin anuluar dhe u anuluan me një dekret tjetër.

Megjithëse veprimet e Presidentit opinioni i gjerë i kishte lexuar si lëvizje të tij për të mbështetur agjendën disa mujore të opozitës, pati kërshëri për t’i dëgjuar shpjegimet që do jepte para Komisionit Parlamentar. Etika e pyetje-përgjigjeve në Komision nuk pati shans të mbulonte verbërinë intelektuale dhe mjerimin moral të të gjithë atyre opinionistëve që, duke u garantuar mitingashëve mosndëshkim ligjor, shpresuan të përfitonin nga dekreti për anulimin e zgjedhjeve, pa u merakosur fare për pasojat që do të kishte vendi.

Presidenti i zhgënjeu. Argumentet e tij ishin të zbrazta, të ngjashme me përrallat që dikur gjyshërit u tregonin fëmijëve. E, ndërsa përrallat që iu tregohen fëmijëve synojnë zbavitjen dhe vënien e tyre në gjumë, përrallat tona presidenciale lidhur me rastin në fjalë synojnë të fshehin motivin dhe shkaqet e vërteta të një veprimi të tillë.

Në thelb, shpjegimet presidenciale na thonë se ai e mori vendimin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit sepse: i kishte ardhur një informacion nga institucione të besueshme të sigurisë se “Persona të caktuar do të shfrytëzonin mitingun e opozitës në 8 qershor për djegien e Kuvendit të Shqipërisë”, se këtë dekret të paparashikuar nga Kushtetuta e nënshkroi pa u konsultuar me palët politike, se nuk e gjykoi të arsyeshme të caktonte një datë tjetër dhe se anulimi i zgjedhjeve ka qënë dhe mbetet kushtetues, siç pretendoi.

Që një veprim presidencial të konsiderohet kushtetues ai duhet të jetë parashikuar në ndonjë nga dispozitat e Kushtetutës dhe nuk duhet t’i bjerë ndesh asnjë ligji tjetër që ka hyrë në fuqi. Neni 92/gj i Kushtetutës ia njeh Presidentit të Republikës të drejtën e caktimit të datës së zgjedhjeve për Kuvendin dhe organet e pushtetit vendor, por kjo e drejtë nuk jepet e pakufizuar. Ajo përcaktohet qartë në nenin 65 të Kushtetutës dhe më hollësisht në nenet 3, 8, 9 dhe 10 të Kodit Zgjedhor.

T’i përmendim shkurt: “Zgjedhjet janë periodike”- shprehet neni 3 i K.Zgjedhor; “Për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore Presidenti zbaton rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 9 të këtij Kodi”- shprehet Neni 10 i K.Zgjedhor; se “Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit… Mandati i Kuvendit mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së mbledhjes së parë të tij”- shprehet neni 9/1 i Kodit Zgjedhor; se “Presidenti i Republikës nxjerr dekret për caktimin e datës së zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit”- shprehet neni 9/2 i Kodit Zgjedhor, se “Mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve vendore”- shpehet neni 10/2 i K.Zgjedhor.

Nga kuadri ligjor që cituam na del se caktimi i datës së zgjedhjeve vendore pas 30 qershorit ka qënë dhe mbetet antikushtetues dhe i paligjshëm. Çdo akt ligjor apo nënligjor që i zgjat mandatet qeverisëse, qendrore apo vendore, përtej afateve të përcaktuar më sipër mbetet antikushtetues. Neni 66 i Kushtetutës përcakton se “Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte”.

Nëse dekreti presidencial që anuloi datën 30 qershor për zgjedhjet vendore do të kishte caktuar apo lënë hapësirë kohore për një datë tjetër zgjedhore, brenda kornizave kohore kushtetuese dhe ligjore, atëherë ai dekret do të ishte kushtetues.

Presidenca dhe tufa e përrallëtarëve politiko-mediatikë e kanë të qartë paligjshmërinë e anulimit të zgjedhjeve, por ata kanë shkuar larg dhe prandaj vazhdojnë të kakarisin në përpjekje që të justifikohen dhe t’i japin karakter kushtetues dekretit me “argumente” të stisura si: situata politike, informacione sekrete apo “fryma e Kushtetutës”. Shteti ligjor, si bazë e shtetit demokratik, nuk mbështetet në “frymën” e ligjit por në vetë ligjin dhe në parimet kushtetuese, përndryshe do të kishim po aq “frymë” sa kemi pikëpamje, interesa apo interpretime.

“Fryma” e ligjit, që nënkupton interesin themelor të shoqërisë në zbatimin e tij, është marrë parasysh kur është formuluar dhe miratuar ligji. Nga momenti që Kushtetuta dhe ligjet hyjnë në fuqi ato zbatohen siç janë shkruar dhe jo si i intereson njërit apo tjetrit individ, njërës apo tjetrës palë politike në një çast të jetës së tyre. Përndryshe do të lodronim në fushën e kaosit dhe do t’i thoshim “lamtumirë!” shtetit ligjor.

E besova Presidentin kur dha argumentin se kishte një informacion tepër sekret, por nuk mund të pajtohem ligjërisht as moralisht me pretendimin e tij se ky informacion përbënte bazë për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore. Në SHBA, dhe jo vetëm, organet e zbulimit marrin informacione për akte terroriste gati çdo javë gjatë fushatave zgjedhore, prej të cilave shumë dalin se nuk kanë bazë reale dhe një pjesë synojnë të dezinformojnë për të arritur qëllime të vogla. Sikur në organet shtetërore të përdornin “argumentin” tonë presidencial, atje s’do të zhvilloheshin kurrë zgjedhje politike.

Kur ka informacione të këtij karakteri dhe Presidenti i beson për të vërteta ai duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, drejtuesit e palëve politike dhe ata të institucioneve të Rendit e Sigurisë për të parandaluar një të keqe që pritej të ndodhte dhe jo të anulonte një të drejtë kushtetuese popullore që do të ushtrohej pas tri javëve.

Presidenti i vendit duhej të gjente rrugët dhe mjetet për të “anuluar” 8 qershorin kur pritej të ndodhte akti terrorist dhe jo 30 qershorin kur populli (ajo pjesë që do të dëshironte) do të ushtronte të drejtën e zgjedhjes dhe të të zgjedhurit. Nëse e pranojmë pretekstin presidencial si arsye kushtetuese, atëherë Kryeministrit aktual mund t’i lindte dëshira të rrinte gjithë jetën aty ku është dhe për të arritur këtë do i mjaftonte që çdo 4-5 muaj të përhapte dezinformacione të ngjashme për akte terroriste, gjë që do ta “detyronte” Presidentin t’i shtynte pafundësisht datat e zgjedhjeve të përgjithëshme.

Pretendimet presidenciale i kompromentojnë edhe një sërë veprimesh dhe pohimesh të z. Ilir Meta. Ndërsa pretendon se e anuloi datën e zgjedhjeve sepse kërkonte të parandalonte dhunën dhe djegien e Parlamentit, nga ana tjetër përpiqet të sjellë si “argument” faktin se nuk mund të lejonte “zgjedhje moniste” dhe për këtë i referohet një vendimi të Gjykatës së Strasburgut. Jo vetëm që vendimi në fjalë i Gjykatës së Strasburgut nuk ka kurrfarë lidhjeje me situatën dhe rrethanat e Shqipërisë në qershor 2019, por vendimi i Presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore dhe zgjatjen pa afat dhe përtej kufijve ligjorë të mandateve të qeverisjes vendore, realisht ua heq të drejtën e ushtrimit të vullnetit popullor të gjithë shqiptarëve. Vullneti i zgjedhësve mbaron kur mbaron mandati qeverisës dhe shtyrja tej afateve ligjore e zgjedhjeve pengon vullnetin e ri popullor për t’u shprehur brenda afateve që ua garanton Kushtetuta.

Në vend që të neutralizojë ata që, duke bojkotuar zgjedhjet dhe duke ushtruar terror psikologjik dhe fizik mbi votuesit, ia hoqën të drejtën e votimit pjesës më të madhe të popullit, Presidenti ua mori këtë të drejtë edhe atyre që refuzuan bojkotuesit dhe dhunuesit, duke shpresuar kështu të neutralizojë palën që ishte e vendosur të bëheshin zgjedhjet në afatet kushtetuese. Së dyti, duke pohuar se “Presidenti nuk mund të pranonte, lejonte apo të mos shmangte një Rajhshtag të ri në Shqipëri”, z. Ilir Meta synon, nga njëra anë, t’i heqë etiketën e merituar si dhunuese dhe terroriste opozitës politike ku bën pjesë bashkëshortja e tij dhe ku është rreshtuar edhe ai dhe, nga ana tjetër t’ia ngjisë këtë etiketë pushtetit dhe Kryeministrit, duke lënë të kuptohet se pas atyre “që do të shfrytëzonin mitingun e opozitës më 8 qershor për të djegur Kuvendin e Shqipërisë” fshihej dora e Edi Ramës.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu më tutje me akuza dhe kundërakuza, insinuata dhe aludime gjithfarëshe. Ose Kryeministri duhet të shkojë në burg nëse vërtetohet pasja dorë në aktin terrorist të dyshuar ose akuzuesi i tij duhet të shkarkohet dhe t’i jepet organeve të drejtësisë.
Detyra e Presidentit ishte që, nëse informacioni (i cili, shumë lehtësisht, mund të ishte dezinformacion) tregonte se djegien e Kuvendit do ta bënin njerëz të opozitës apo “asnjanës” që do të shfrytëzonin mitingun opozitar, t’i thërriste drejtuesit opozitarë (bashkëshorten dhe kryetarin real të PD-së me të cilin i lidh “një kimi e veçantë”, z. Berisha) dhe t’i bindte të mos e bënin mitingun ose të mos e zhvendosnin atë tek Parlamenti.

Nëse informacioni thoshte se autorët e pritshëm të aktit terrorist ishin njerëz të Qeverisë, atëherë t’iu thoshte “të dashurve” të tij opozitarë se “Z. Rama po kërkon t’u marrë në qafë, duke djegur Parlamentin dhe fajësuar juve prandaj, për t’ia djegur “letrat” në duar, anuloni mitingun ose i mblidhni përkrahësit larg ndërtesës që Rama ka planifikuar të djegë…”. Anulimi i datës së zgjedhjeve nuk e ndalonte dhe as zhdukte mundësinë që planifikuesit dhe realizuesit e djegies së Parlamentit ta bënin atë më vonë.

Pretendimet e Presidentit i kompromenton edhe gjithë sjellja e tij qysh kur është zgjedhur në atë post e, sidomos, ditët e fundit kur, nga pozitat e “përfaqsuesit të unitetit të popullit” i bën thirrje gjysmës së popullit të ngrihet kundër gjysmës tjetër me ultimatumin “O sot, o kurrë!”.

Ai që kërkonte një vit më parë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pse policia nuk kishte arritur të kapte Klement Balilin (të akuzuar për trafik droge), si nuk e pa të udhës ta mblidhte këtë këshill kur u informua për përgatitjet për djegien e Parlamentit?! Ai që iu drejtua të gjitha institucioneve shtetërore për marrjen e masave për të përballuar një tërmet imagjinar (para dy muajve), në qershor 2019 nuk e gjykoi të nevojshme alarmimin e të gjithë institucioneve shtetërore për ngjarjen e sipërpërmendur.

Tani që na rezulton se informacioni për diegien e Kuvendit nuk i kishte shkuar vetëm Presidentit, por edhe Kryeministrit nuk kemi ç’themi më shumë për “argumentin” presidencial dhe as për qëllimin e vërtetë të anulimit të zgjedhjeve. Pavarësisht nëse Kryeministri aktual është i vlefshëm apo jo, i ndershëm apo jo, i ditur apo jo, engjëll apo djall; pavarësisht nëse Presidenti do të shkarkohet apo jo nga detyra që mban, anulimi i datës së zgjedhjeve nuk ka kurrfarë lidhjeje me ato që pretendon z. Meta dhe nuk ka kurrfarë baze kushtetuese dhe ligjore.

Dekreti për anulimin e zgjedhjeve nuk ka qenë një masë për “shpëtimin” e vendit, por për shpëtimin e opozitës, nuk ka qenë një veprim për ndalimin e dhunës, por për të arritur “me laps” objektivat që nuk u arritën me molotov; për të arritur nga zyra synimet që nuk u realizuan nga rruga. E thënë shkurt: është një dhunim i Kushtetutës për të arritur atë që s’u realizua duke dhunuar institucionet. Dekreti nuk ishte një mjet për ta shpëtuar vendin nga monizmi, por një mjet për t’i imponuar pluralizmit dhe popullit vullnetin e atyre që i kanë dhunuar të dy sa herë ua kanë dashur interesat. Sistemi nuk është “monist” kur dikush refuzon pjesëmarrjen në zgjedhje, por kur dikujt i mohohet e drejta e zgjedhjes. Prandaj ambasadori italian në Tiranë, z. Kutillo shprehej: ” Për mua, këto zgjedhje janë legjitime.

Zgjedhja për të mos marrë pjesë është një zgjedhje personale që duhet respektuar, por që nuk i bën të pavlefshme këto zgjedhje “.
Akti presidencial i anulimit të datës së zgjedhjeve nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse z. Meta do të sillej në postin që mban sipas kërkesave kushtetuese dhe nëse ai s’do të ishte bërë vazhdimisht dhe hapur palë me opozitën. Presidenca tha se Presidenti nuk iu përgjigj pyetjes së njërit nga deputetët e Komisionit Parlamentar pasi deputeti ishte në konflikt interesi ngaqë kishte nënshkruar kërkesën për ngritjen e komisionit dhe se ishte deputet i dalë nga zgjedhjet e shtyra të vitit 2017.

Kjo përgjigje është tymnajë që synon errësimin e kujtesës. Zgjedhjet e përgjithëshme të vitit 2017 u shtynë brenda afateve kushtetuese dhe pas konsultimeve me të gjitha palët dhe përpjekjet për t’i marrë ato si precedent shtyrjeje janë mashtruese dhe, si çdo akt mashtrimi, të pandershme. Sa i përket konfliktit të interesit, në politikën shqiptare konflikti më i madh i interesit është fakti se bashkëshortja e Presidentit është bashkëkryetare e opozitës politike dhe se vetë z. Meta ka pohuar se synon që pas lënies së kësaj detyre të kthehet sërish në politikën aktive partiake. Politikanë që sillen në këtë mënyrë as që bëhen ndonjëherë burra shteti dhe as që mund të pritet të sillen si simbol i unitetit kombëtar.

Thirrjet e tij më të fundit për të mbrojtur Kushtetutën dhe demokracinë përmbajnë hipokrizi dhe janë tallje e shumëfishtë me shqiptarët. Njeriu që ka tridhjetë vjet në politikën aktive dhe që ka mbajtur të gjitha postet e mundshme politike të deputetit, ministrit, zv.Kryeministrit, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit na del tani si shpëtimtar dhe për të metat dhe prapambetjen tonë ekonomike, politike dhe demokratike i fajëson të gjithë përveç vetes.

Dekreti presidencial i anulimit të zgjedhjeve nuk ia hoqi dhe s’kishte mundësi t’ia hiqte opozitës vulën e qenies e dhunshme dhe as mund ta shpëtonte atë nga qorrsokaku ku vazhdon të jetë duke u endur. Fill pas pohimit të Presidentit për pasjen e informacionit për dhunë ndaj Kuvendit, reaguan me shpejtësi baballarët dhe bijt e dhunës duke pohuar se PD është kundër dhunës, pro paqes dhe broçkulla të tilla. Nëse Parlamenti do të sulmohej dhe digjej në 8 qershor atë do ta bënte e njëjta ushtri nën komandën e të njëjtëve “gjeneralë” që gjatë 30 vjetëve kanë djegur ndërtesa, institucione, komisariate policie, që realizuan 14 shtatorin 1998, që hodhën tymuese dhe çizme në Parlament, që shpallnin se “Jemi në gjendje lufte. Nesër vazhdon lufta… Iu bëj thirrje qytetarëve ta marrin zvarrë dhe ta hedhin në koshin e plehërave një fundërrinë si Rama” (K. Balliu); “Populli do ta tërheqë zvarrë Ramën” (A. Bumçi); “Rama duhet tërhequr zvarrë për së gjalli… Një kryekriminel si Edi Rama ka vrarë shpresën e shqiptarëve… Edi Rama të mos çuditet kur të përdorim Kanunin ndaj tij” (M. Kryemadhi); “Ne nuk hedhim asnjë hap mbrapa. Koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm sovrani… Largimi i Edi Ramës është i panegocueshëm. Ne do ta largojmë atë me çdo mjet (!?) dhe me çdo çmim.” (L.Basha); “30 qershori do të jetë ditë ferri. Nuk do të ketë zgjedhje atë ditë” (S.Berisha) etj. Parlamentin do ta digjnin ata që e kishin shpallur ilegjitim dhe si “strofulla e krimit” (L.Basha) dhe që pretendonin se do të zhvillonin “luftë për jetë a vdekje” (S.Beridha & L.Basha).

Parlamentin do ta sulmonin dhe digjnin ata që ne i kemi parë në TV duke e sulmuar dhe tentuar t’i vinin flakën. Dhe në krye të tyre kemi parë Bashën dhe Kryemadhin. Veprimet e tyre terroriste nuk i ka penguar z. Meta që shqetësohej për rrëzimin e atletit Sahit Dollapi, por jo për dhjetëra policë të plagosur në protestën e 11 majit 2019. Ata i kanë penguar mesazhet dhe telefonatat që iu vinin “gjeneralëve” pak përpara se të fusnin njerëzit në Parlament. Dhe këto telefonata, që e bënin Bashën t’i vinte një fytyrë dhe t’i ikte tjetra, nuk i bënin Nard Ndoka e Dash Shehi por ndonjë DASH tjetër, nga ata deshët që opozitën dhe drejtuesit e saj “paqësorë” i paralajmëruan se do t’i shpallnin organizata politike të dhunshme dhe se do iu hiqnin të drejtën e hyrjes në SHBA.

Dekreti presidencial as nuk mundi të pengonte 30 qershorin dhe as dhunën. Fill pas njoftimit të tij opozita filloi dhunën, molotovët dhe djegien e ndërtesave ku ishin caktuar qendrat e votimit. Pas deklarimeve të qarta dhe të prera të Uashingtonit dhe Brukselit se “Ambasada e SHBA i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhur në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht” dhe se “Ne konsiderojmë se parlamenti dhe Qeveria shqiptare janë plotësisht legjitime”, opozita e kuptoi qorrsokakun ku ishte futur dhe dhuna ishte e vetmja shpresë. Por hovin antidemokratik dhe kriminal e ndaloi një deklarim i gjatë, i qartë dhe i prerë i z. Mëthju Palmer, zyrtar i lartë i DASH me të cilin, në mënyrë nominale fajësonte Bashën dhe Kryemadhin për dhunën e ushtruar nëpër Shqipëri dhe i “kërcënonte” ata se do iu hiqej e drejta të hynin në SHBA dhe se formacionet e tyre politike do të futeshin në listën e organizatave politike të dhunshme.

Meqë shpresat për arritjen me dhunë të synimeve të tyre politike u shuan plotësisht, atëherë hyri në veprim “plani B”, anulimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti. Duket se z. Meta mezi po e priste një pretekst për ta bërë këtë dhe besoi se informacioni i përmendur prej tij mjaftonte dhe kishte epërsi mbi Kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar. I inatosur nga deklarimet e z. Palmer, dhe jo vetëm, pak orë pas transmetimit të intervistës së tij, ai ndërmori aktin e menduar keq, të peshuar gabim dhe të qepur mbrapsht, duke anuluar datën e zgjedhjeve.

Në përpjekje për ta justifikuar këtë akt, ai i thotë Komisionit të Venecias se “Kodi Zgjedhor nuk ka asnjë parashikim ligjor mbi mënyrën se si mund të zgjidhen apo trajtohet çështja kur në zgjedhje merr pjesë kryesisht vetëm një forcë e qëndrueshme politike”. Me këtë pohim, ai dhe këshilltarët e tij ligjorë do t’i çudisin juristët e Komisionit të Venecias, pasi do iu lënë të kuptojnë se Presidenti i Shqipërisë beson se mund të sajojë vetë një nen shtesë në cilindo Kod apo ligj kur i nevojitet atij dhe se Presidenti shqiptar beson se sa herë dikush braktis zgjedhjet duhet anuluar krejt procesi zgjedhor.

Nuk mund të shërbejnë si alibi për anulimin e zgjedhjeve keqinterpretimet e parimeve demokratike dhe, sidomos nga një figurë politike si z. President, i cili në vitin 2011 thoshte se ” Ne jemi të gatshëm për të përballuar çdo skenar destruktiv që kërkon të zgjasë mandate pushtetarësh vendorë në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese vetëm për një arsye, sepse nuk kanë kurajën, nuk kanë bilancin për t’u ballafaquar me votuesit e tyre “. Parimet janë norma universale që duhen respektuar e zbatuar nga të gjithë dhe në çdo kohë dhe nuk janë topa plasteline që mund t’iu jepet çfarëdo forme në varësi të interesave të çastit të një individi apo grupi.

Populli shqiptar i njeh mirë Berishën, Ramën, Metën, Bashën e Kryemadhin dhe, me përjashtim të bërthamave të fanatikëve partiakë, askush nuk i konsideron ata shpëtimtarë të kombit. Nëse, midis tyre, z. Rama gëzon përkrahje më të lartë popullore kjo vjen nga fakti se ai është kryetari i partisë më të madhe politike të vendit dhe sepse qasja e tij në konsolidimin e shtetit, megjithë gabimet dhe të metat e njohura, është më realiste, e vendosur dhe e drejtë.

Ne nuk na nevojiten Presidentë që mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, por Presidentë që mendojnë për të ardhmen e vendit, nuk na duhen Presidentë që na tregojnë përralla por Presidentë që i përmbahen Kushtetutës së Republikës.

 

*****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Share This Article
18 Comments
  • Nje analize e shkelqyer kjo e zotit Viktor Malaj,qe u jep pergjigje shteruese te gjitha situatave te ndodhura ose te supozuara duke i gjykuar te gjitha ceshtjet nga kendveshtrimi moral,shoqeror,politik dhe juridik!
    Me keto arsyetime llogjike,te bazuara ne fakte dhe prova te pa kundershtueshme,zoti Meta duhet te kete marre pergjigjen e plote se perfundimisht ka deshtuar misioni i tij si president dhe se me veprimet e tij ka dale hapur ne mbeshtetje te destabilizimit te vendit per interesa krejtesish personale duke e diskredituar veten si president dhe per me teper duke u treguar i pa afte per te justifikuar arsyetimet dhe veprimet e tij antikushtetuese!
    Meta keshtu ka shkelur rende Kushtetuten ndaj meriton plotesisht te shkarkohet dhe t’i jepet drejtesise!
    Prokuroria duhet te filloje urgjentisht hetimin e ketij presidenti sepse populli shqiptar nuk mund te prese me shume lojrat antishqiptare te lidereve te caktuar!

    • Urime Z.Malaj pasi me kete analize i keni vene piken apo pikat mbi( i),me nje llogjike te ftohte besoj se del qarte verprimi antiligjor i Like floririt.DREJTESIA VONON POR NUK HARRON.FALEMINDERIT USA dhe EUROPES.

      • E pershendes zotin Viktor per kete shkrim shume te sakte,qe vlen per te mesuar prokuroret tane se si duhet te arsyetojne provat dhe faktet ne ngjarje te tilla!
        Por….mbeta i zhgenjyer nga mbyllja qe i ben analizes se tij me frazen se,

        “…… z. Rama gëzon përkrahje më të lartë popullore kjo vjen nga fakti se ai është kryetari i partisë më të madhe politike të vendit dhe sepse qasja e tij në konsolidimin e shtetit, megjithë gabimet dhe të metat e njohura, është më realiste, e vendosur dhe e drejtë.”!
        Per mua eshte gabim,qe Rames i faturohen suksese dhe mbeshtetje popullore,duke harruar se Rama me rrenimin e shtetit ligjor,administrates qendrore dhe vendore i ka vene kazmen demokracise duke u mbyllur gojen qytetareve,qe trajtohen sot nga e gjithe administrata jo si pjese e sovratit,qe kane votuar qe keta sharlatane te jene ne pushtet,por si kliente dhe skllever,qe duhet t’u paguajne ryshfet atyre ne kembim te sherbimit!
        Kjo ndodh se qeveria dhe administrata nuk i konsideron ankesat e qytetareve si vlerat me te medha te demokracise,por edhe te ekzistences se shtetit ligjor!
        Rama sot mund te jete me i kuotuari ne krahasim me Berishen,Bashen apo Meten,por kjo nuk duhet te etaloni me te cilin ne qytetaret apo me teper ju si media avangarde e demokracise sot ne vend,t’i jepni Ramas nje cartabianke vet sugjestionuese per t’u bere akoma me harbut dhe me anti popullor ne te ardhmen!
        Sot Rama eshte ne pushtet dhe duhet te gjykohet per fajet dhe krimet qe ka bere dhe ben e jo te futet ne nje thes me te tjeret!
        Ne se Berisha,Basha dhe Meta jane autoret me te rrezikshem te rrenimit te shtetit ligjor dhe percarjes totale te popullit,pikerisht prandaj i dhame 2 here nga 1 milion vota Rames,por ai jo vetem nuk beri asgje ne kete drejtim,por e coi zullumin e tyre deri ne fund!
        Cfare buxheti shtese i duhej rames,qe te mos perdorte ne asnje rast fjalorin e rrugacit ne te gjitha komunikimet brenda vendit?
        Cfare buxheti i duhej Rames,qe te kerkonte me force,qe e gjithe administrata qendrore dhe vendore te bente cdo dite pritje populli dhe te zgjidhte ne moment ty gjitha ankesat e qytetareve,ne radhe te pare administrata vendore?
        Cfare buxheti i duhej Rames qe kur duheshin perzgjedhur kandidatet per deputete,ministramdrejtore etj,te merrej me pare mendimi i elektoratit,bile te kryhej votimi “nje antar nje vote”,sic e beri nje here ne fillim dhe pastaj e hodhi ne koshin e plehrave?
        Cfare buxheti i duhej Rames,qe e gjithe PS-ja nga qendra ne baze,te funksiononte si organizem i gjalle,qe sot nuk gjen asnjeri ne PS te ankohesh per padrejtesite e medha qe ben administrata e kesaj partie?
        Cfare buxheti i duhej Rames,per t’i krijuar mundesite qytetareve te vleresonin dhe gjykonin per sherbimin ndaj qytetareve te gjitha firmat e tenderuara ose koncesionare qe nga transporti urban,pastrimi i qytetevemujesjellesit dhe OSHE etj?
        Ka shume si keto,por Rama nuk pyet per qytetaret se atij me shume i interesojne oligarket per t’i mjele se sa qytetaret!

  • BRAVO e madhe,nuk e luan as topi arsyetimin tuaj,lidhur me pergjegjesine e presidentit dhe te opozites per katrahuren qe kane krijuar prej muajve me pare dhe e finalizoj presidenti duke shkateruar zgjedhjet pluraliste.Shkak per kete nuk eshte maxhoranca por ne rradhe te pare presidenti dhe Sali Berisha dhe pastaj kamikazet e tyre Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi…

  • Shkrim shume i sakte dhe bukur fort i argumentuar ne diskreditimin dhe nxjerrjen lakuriq te nje individi thellesisht te korruptuar dhe nxites i vellavrasjes dhe zjarrvenies. Diskreditimi qe behet ketij individi ie rrezikshem per Shqiperine eshte brilant dhe kristal i paster ne shpjegim. Nuk mbetet gje tjetet vecse kete individ qe nuk u ngrit kurre ne nivelin e detyres se besuar ta flakim jashte zyres presidenciale dhe ta dergojme atje ku e meriton…ne burg!

  • Mirë e ka Viktori , qanë hallin e të shenjtës kushtetutë , që e nëpërkëmbi presidenti !
    Materialin e lexova nëpërtë , pa pikën e interesit.
    Dhe jo se s’janë të drejta ato që thuhen, por , sepse në Shqipërinë tonë gjëja më pa vlerë janë kushtetuta , programet e partive dhe ligjet . Brënda natës në 2008 – ën , dy vetë , dy rrufjanë politikë e ç’bënë , e kthyen kokëposhtë , e hodhën në erë të shenjtën kushtetutë të aprovuar me pompozitet në referendum popullor , të aprovuar e të lavdëruar nga Venecia, nga SHBA e me radhë …..
    Politikanët tanë , maskarenj e hipokritë , jo vetëm presidenti , por , përfshi edhe presidentin , duhen hequr zvarrë e përzënë nga zyrat e shtetit .
    Popull ku je ?!

  • Ky artikull i sherben te vertetes, popullit dhe interesit te kombit tone.
    Pallavrat dhe perrallat e presidentit dhe ortakeve te tij jane mashtrim, manipulim, demagogji dhe destruktivitet i hapur ndaj çeshtjes kombetare.
    Deklaratat e dhuneshme te Lul(ë)zim Bashes, Monika Metës, sali Berisha, k. balliu e zara te tjere, te cituara ne ligjerate te drejte nga z. Malaj, si nuk i rane ne sy presidentit tone, por nje “informacion i besueshem” per djegien e Parlamentit me 30 qershor i dha shtyse te anulloje ne menyre te njeaneshme daten e zgjedhjeve?!
    “Miku” i tij i perzemert paralajmeron se 30 qershori do te jete dite ferri, ndersa monika e tij perseri nxjerr ne skene perdorimin e kanunit! Zjarrvenesit e mundshem duken hapur. Kush nuk e pranon, ben miopin.
    Meta nuk eshte presidenti i Mbrojtjes dhe Simboli i Unitetit te Kombit.
    Te presim mendimin e Komicionit te Venecias.

  • Si nuk neverisin veten,lloji i dinosaureve arnautas te tipit malaj,apo mos e pyet me per islam e compani, qe vec mjaullijne pafundesisht,te njejtat gjera,pa ngritur as nje centimeter mullaqet e tyre nga postiqja,qe jo vetem nuk i lexon njeri(e kam fjalen per njerez,jo per skrap),por vec evokojne kthimin dhe me thelle ne erresirat e errta,ku ketyre specieve u pelqen ta mbajne kete vend.
    Kundrejt nje shqetesimi krucial,qe ka ngritur z.Elezi,ne kete gazete,per te hedhur drite,se kush jane autoret e vepres terroriste te hedhjes ne ere te kuvendit,e mbetur ne tentative,qe u pasua nga hedhja ne ere e shtyllave te tensionit te larte ne Erseke,kryeredaktori,merhumi rama,apo ´´media´´kam-kum arnautase,vec heshtin.
    Kopesht zoologjik,pa gardhe,ku hienat e te gjitha llojeve kane tre dekada qe bejne kerdine kurse jashte tek hyrja qendron tabela e brejtur nga dhembet e kafsheve me shkronjat “shtet´´.
    Do permendeni ndonjehere valle?
    Mire per te vepruar,qe nuk veproni,qe ose jeni njesoj,ose nuk ja u mban bytha.por se paku filloni te shkarravisni,per dhembjen aktuale dhe mundohuni ta ndiqni deri ne fund.

    • Ky Vasiloqja qenka ndonje lolo nga ata qe i vijne rrotull dhe e bejne te hargaliset Saliun, Ilirin, Lulin dhe Monen, prandaj mos ia merrni per keq. Findja per kete pune paguhet.

  • Bravo , ke lehtesuar prokurorin dhe mendoj se nuk mund te bente me mire e me qarte nje pretence te shkelqyer per kete president tinzar .

  • Viktor! Shkrimet e tua i lexoj me shume endje, sepse ne to ka argumente, ka analize te mirefillte te problemit, ose problemeve, jo “kodra mbas bregut”, siç ndodh rendom. Ata qe nuk i pelqejne, po te kene kellqe, le te dalin t’i kundershtojne me kunderargumente, jo me mbroçkulla gjekmarkiane.

  • Analize e shkelqyer kam vetem nje verejtje

    Mos e kurse Ramen kot se njesoj me Liken dhe Luludh karin eshte po erdhi puna te pushteti

    Dhe bej thirrje te zhbehet 2008 dhe te lirohet tregu politik dhe mendimi politik nga koncesioni PS-PD-LSI dhe morrat e vogla te deritanishme

  • Një analizë shteruse,që e ka lënë “qepën president” pa veshjen,që e mbron nga dheu dhe lagështia! E ka qëruar dhe e ka pregatitur për tu hedhur në tenxhere.Tani ustallarët e dinë vetë se çfarë duhet të bëjnë me ” Qepën president”! Një shprehje popullore thotë : ” Çfarë të të duroj moj qepë,të qelburën apo të djegurën”.Ky është “presidenti”jonë,simbol i unitetetit!!

  • Dihet se s’ka zhvillim pa interesa, te pergjitheshme apo vetjake. Edhe kryeministrat kane interesa. Por ky i yni duket se prioritet ka interesat personale e sidomos ato per pushtet e para.

    Interesi personal mbi te gjitha, te tjerat koincidence. Edhe ligjet interesa jane. Interesa jane edhe parimet, idealet apo kauzat. Pa problem, sot je socialist e neser ballist, sot demokrat e neser fashist. Edhe keto lojera interesa jane. Si thoni ju? Ortuna.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *