Kjo lojë në mbrojtje e Berishës, sidoqoftë, nuk e shmang dot fitoren e koalicionit të majtë, sado minimale. Prandaj, Berishës i duhet që të luajë në sulm në të paktën një qark verior ku ka qenë më pranë marrjes së mandatit shtesë në 2009-ën. Por ka disa faktorë që e pengojnë tashmë, vecanërisht tkurrja e pashmangshme nga lodhja 8 vjeçare e pushtetit
Një nga qarqet ku ngeci numërimi i votave në vitin 2009, ishte ai i Lezhës. Dikush i kishte bërë llogaritë gabim dhe kutitë e komunës Fushëkuqe u bllokuan, me shpresën se brenda tyre ishte një avantazh prej 250 votash për mazhorancën, i cili, sipas atij dikushi, do t’i jepte asaj mandatin e 5-të në qark. Si përfundim, ato kuti u sollën për t’u numëruar në Tiranë, dhe rezultoi se mazhorancës nuk i duheshin 250, por plot 2500 vota, për të marrë mandatin e 5-të…
Aktualisht, Berisha i është rikthyer shpresës për marrjen e mandatit të 5-të në Lezhë, pavarsisht fiaskos së 4 viteve më parë. Madje, e ka quajtur atë mandat “të artë”. Dhe ja përse.
Këshilltarët pranë tij, duke i bërë llogaritë më me kujdes tani, duket se i kanë thënë se, po të mbledhësh të gjitha votat e 2009-ës për çdo qark, sipas konfigurimit aktual të koalicioneve, rezultatit i mandateve del 71-69 për mazhorancën. Kjo, pavarsisht se në numër votash, në rang vendi, partitë e opozitës kanë patur një epërsi prej rreth 40 mijë votash. Dhe rezultatin 71-69 Berisha e theksoi edhe në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PD-së.
Por këshilltarët e tij do t’i kenë treguar gjithashtu Berishës se në 4 qarqe (Tiranë, Elbasan, Fier e Berat) mandati i fundit i mazhorancës varet në fije të perit – një rritje prej vetëm 0.2 pikë përqindje e partive të koalicionit aktual të majtë në secilin prej këtyre qarqeve, i çon ato në kuotën e 73 mandateve. Dhe ai e di se në Tiranë e Berat është praktikisht e pamundur ta parandalojë ndryshimin e raportit të mandateve.
Mjafton një rrjedhje prej rreth 790 votash të djathta në Tiranë ose një shtesë neto prej po kaq votash të majta në këtë qark, që koalicioni i majtë të marrë mandatin e 17-të. Mjafton që komisionerët e majtë të nxjerrin të pavlefshme rreth 170 vota të majta më pak seç nxorrën në Urën Vajgurore në 2009-ën dhe koalicioni i majtë merr mandatin e 6-të në Berat (Falë konkurencës së sëmurë mes kandidatit të 5-të të PS-së dhe kandidatit lokal të G-99-ës, në Urën Vajgurore dolën rreth 1600 vota të pavlefshme, nga rreth 2800 që pati i gjithë qarku).
Në këto kushte, Berisha do të luftojë me të gjitha mënyrat që të marrë mandatin e 7-të në Fier e Elbasan, si dhe të ruajë status kuonë në të gjitha qarqet e tjera ku është në mbrojtje të rezultatit të 2009-ës (si p.sh., në Vlorë, ku mbrojtja e mandatit të fundit të mazhorancës është vetëm 1.8%; në Korçë, ku mbrojtja është 2.4%; në Durrës, ku mbrojtja është 2.5%; etj.).
Por kjo lojë në mbrojtje e Berishës, sidoqoftë, nuk e shmang dot fitoren e koalicionit të majtë, sado minimale. Prandaj, Berishës i duhet që të luajë në sulm në të paktën një qark verior ku ka qenë më pranë marrjes së mandatit shtesë në 2009-ën. Dhe kjo nevojë e Berishës për të sulmuar, na sjell te Lezha, ku i duhet shtesa më e vogël neto e votave për të marrë mandatin ekstra.
Nga një mbledhje strikte arithmetike e votave të 2009-ës të partive që aktualisht janë në koalicionin e djathtë, rezulton se ato kanë arritur kuotën 57% në qarkun e Lezhës (këtu përfshihen edhe votat e PDK-së, LZHK-së, etj., që iu bashkuan rishtas koalicionit). Por një mbledhje më pak strikte do të kërkonte që edhe 1630 votat e Partisë për Ligj e Drejtësi, pavarsisht se nuk është aktualisht pjesë e koalicionit të djathtë, të konsiuderohen si të djathta. Kjo sepse kandidati i kësaj partie ishte Preç Zogaj, i cili kishte qenë deputet i PD-së për 4 vjet në Lezhë dhe i mori ato vota si një kandidat alternativ i djathtë. Sot Zogaj nuk është zyrtarisht kandidat për deputet, por duket se do ta përdorë ndikimin e vet që 1630 votat e tija të shkojnë për ndonjë parti të djathtë.
Duke shtuar edhe votat e Zogajt, koalicioni i djathtë shkon në kuotën 59.3% me votat e 2009-ës dhe i duhet të shkojë në kuotën 62.5% në 2013-ën, që të marrë mandatin “e artë” siç e ka quajtur Berisha. Thënë ndryshe, atij i duhen rreth 2600 vota shtesë neto, për të marrë mandatin e 5-të, të cilin nuk mori dot në 2009-ën.
Dhe shpresën për këtë shtesë neto Berisha duket se e ka varur tek biznesmeni Gjovalin Kadeli, i cili deri dje ishte deputet i PS-së dhe sot është kandidat i PD-së. Në qoftë se ky biznesmen do të jetë i aftë të transferojë 1300 vota nga majtas djathtas, arrihet shtesa neto prej 2600 votash, por me kushtin që çdo gjë tjetër të mbesë e pandryshuar.
Dhe pikërisht ky kusht mund të mos plotësohet…
Së pari, në qarkun Lezhë po kandidon në kampin e majtë Monika Kryemadhi, e mbështetur nga kryebashkiaku LSI-st i Lezhës. Ajo ka demonstruar në 2009-ën se është një fushatiste mjaft eficiente, duke arritur të marrë në qarkun e Dibrës rreth 3800 vota në ato zgjedhje, ku luftohej ashpër nga të dyja partitë e mëdha. Së dyti, bashkitë e Laçit, Rrëshenit, Rubikut, si dhe komunat përgjatë autostradës Rrëshen-Kalimash janë fituar nga e majta në zgjedhjet e fundit lokale, ndërkohë që kanë qenë tradicionalisht të djathta. Së treti, qarku i Lezhës ka vuajtur keqazi këto 4 vjet nga mosmbajtja e premtimeve për investime që bëri Berisha në 2009-ën. Dhe së fundi, por jo më së pakti, votuesit e vakët të djathtë dhe të lëkundurit e këtij qarku, si kudo tjetër, mund të jenë tkurrur nga lodhja 8-vjeçare e pushtetit berishian…
Prandaj, edhe shpresa për të fituar mandatin “e artë” në Lezhë, nëpërmjet ndihmës së Kadelit, mund të rezultojë e kotë për Berishën. Ashtu siç mund të rezultojë e kotë shpresa për të marrë mandatin e 7-të në Fier me ndihmën e Dritan Priftit, për të mbrojtur mandatin e 3-të në Berat me ndihmën e Lefter Maliqit, mandatitn e 16 në Tiranë me ndihmën e Kastriot Islamit, mandatin e 7 në Elbasan me ndihmën e Qifes së Peqinit, mandatin e 5-të në Vlorë me ndihmën e Arben Malajt, e kështu me rradhë…