Strategjia e re e SHBA-së për të mos i dërguar më ndihma Penianit dhe ndryshimi i politikës së Kinës, më pak toleruese sa i takon tregtisë, po e detyrojnë Korenë e Veriut të zbusë tonet kërcënuese të përdorura deri një javë më parë dhe të kërkojë rihapjen e bisedimeve
Pas disa javësh të përdorimit të një retorike të ashpër dhe kërcënimeve ushtarake kundër Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, Koreja e Veriut ka komunikuar kushtet e saj për të nisur dialogun. Sipas Penianit kushtet janë: tërheqja e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, ndërprerja e bashkëpunimit ushtarak të SHBA-së me Korenë e Jugut, tërheqja e raketave bërthamore amerikane nga rajoni, si dhe që Koreja e Jugut të kërkojë falje zyrtare për ofendimet drejtuar udhëheqësit koreanoverior.
Sipas analistëve Majkëll Grin, Viktor Ça dhe Kristofer Xhonson, nga Qendra Ndërkombëtare e Studimeve Strategjike, arsyet e ndryshimit të qëndrimit të qeverisë së Penianit janë të shumta e midis tyre: strategjia e re e administratës Obama ndaj Koresë së Veriut, e cila u bë e qartë nga deklaratat e sekretarit amerikan të shtetit, Xhon Kerri, gjatë vizitës në Kinë; si dhe distancimi progresiv i Kinës nga aleanca e saj tradicionale me fqinjin tjetër komunist.
Pika më e rëndësishme e propozimit të Kerrit ishte ajo mbi sistemin e mbrojtjes së rajonit aziatik me raketat amerikane. Ai tha se ky sistem mund të reduktohej, në rast se Peniani vendos të braktisë programin bërthamor. Kjo temë është shumë e rëndësishme për Kinën, e cila prej disa vitesh e sheh rritjen e angazhimit ushtarak amerikan në rajon si një kërcënim ndaj sigurisë së saj. Frika e saj u rrit në fillim të prillit, kur administrata amerikane dërgoi dy anije të pajisura me sistemin mbrojtës së raketave “Aegis” në Korenë e Jugut, pa marrë parasysh faktin që administrata Obama kishte shpallur përforcimin ushtarak në ishullin Guam për të mbrojtur aleatët. Me një fjalë, nëse Kina dëshiron që Shtetet e Bashkuara të reduktojnë presionin në rajon, duhet të sillet në mënyrë të tillë që Koreja e Veriut të jetë më pak e zhurmshme dhe kërcënuese.
Edhe strategjia e administratës Obama është shumë e ndryshme në krahasim me atë që ishte adoptuar në të kaluarën: Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të ndërpresin furnizimin me ndihma, të cilat prej kohësh i dërgoheshin Penianit, për ta nxitur këtë që të mbante qëndrime më pak agresive në politikën e jashtme. Por për shumë, kjo strategji konsiderohej e dështuar, sepse sa herë që merrte ndihmat amerikane, Koreja e Veriut i kthehej retorikës së saj agresive.
“New York Times” thekson se qeveria e Pekinit është e vetmja që mund të ushtrojë njëfarë ndikimi mbi Kim Jong Un-in, duke pasur parasysh këndvështrimin ekonomik. Gjatë viteve të fundit shteti koreanoverior është bërë gjithnjë e më i varur nga tregtia me Kinën. Ndërkëmbimi tregtar që në 2010-n vlerësohej me 3.4 miliardë dollarë në vit, gjatë 2012-s u rrit në 5.9 miliardë dollarë.
Rreth 2/3 e sipërmarrësve të huaj që veprojnë në këtë vend janë kinezë, ndërsa pjesa tjetër janë koreanojugorë, japonezë dhe evropianë. Në tre muajt e parë, eksportimet kineze drejt Koresë së Veriut ranë me 13.8% në krahasim me te njëjtën periudhë të 2012-s. Ulja e eksporteve ishte rezultat i politikës së Kim Jong Un-it, i cili nuk i pranoi kërkesat kineze për të mos zbatuar lëshimin e raketave në hapësirë dhe për të mos realizuar një test të tretë bërthamor, gjë që ndodhi në shkurt të 2013-s. Si kundërpërgjigje Kina vendosi të mbështeste sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut, si dhe i forcoi ndjeshëm kontrollet mbi mallrat e eksportit. Përgatiti: Dorina Gjuzi
Komenti u fshi nga moderatori per arsye etike.