Qyshkurse Sali Berisha ka ardhur në pushtet, janë transferuar jashtë Shqipërisë 1.3 miliard dollarë në rrugë të paligjshme, nga fitime natyrisht të padeklaruara në Shqipëri. Nga kjo shifër tronditëse, të cilën e publikoi dje “Global Financial Integrity”, një institucion amerikan që bazohet në të dhëna të Bankës Botërore dhe FMN, më tërhoqën vëmendjen dy fakte. E para, fakti që Familja nuk ka besim t’i investojë në Shqipëri lekët e vjedhura, dhe e dyta, periudha kur ka mundur të bëjë më shumë pare të paligjshme. Shifrat koincidojnë me skandalet e bëra publike në Shqipëri. Rekordin e këtyre transfertave e ka pasur viti 2008 me rreth 400 milion dollarë. Është viti i Gërdecit, kur Familja në pushtet kishte marrë kontrollin e plotë mbi ekonominë dhe kishte fituar arrogancën e duhur për të bërë para pa pasur më frikë.
Është koha kur sekserët e njohur të Familjes shisnin e blinin kompani fiktive me Qipron, me studio avokatie të bijën e kryeministrit, në një parajsë fiskale, ku siç e përshkruan raporti, arratisen zakonisht rreth 130 milion dollarë në vit. Është koha kur demontoheshin fishekë, shitej barut, trafikoheshin armë kineze në Afganistan, blihej me 1 euro Portoromano, shiteshin tokat në bregdet në emër të pronarëve, të cilëve u jepej për tu rikthyer pjesa, dhe ishte në kulmin e saj një nga skandalet e mëdha financiare në vend, ndërtimi i një rruge 60 km fiks 1.3 miliard dollarë. Në funksion të pasurimit të paligjshëm nuk është përdorur vetëm biznesi me mbështetje shtetërore, por dhe përdorimi i pushtetit për të gjobitur kundërshtarë apo biznese konkurrente. Sot njerëzit kanë frikë të flasin dhe denoncojnë hapur, por ka disa raste të gjobave të rënda ndaj biznesit në mënyrë arbitrare, të cilëve më pas u është thënë të shkojnë të paguajnë diku jashtë, në një fond investimesh një shumë të madhe për tu shpëtuar gjobave.
Një ditë këta biznesmenë natyrisht që do të flasin, por kur gjobëvënësit të mos jenë më në pushtet. Largimi i paligjshëm i 1.3 miliard dollarëve, në një përqindje të vogël është shkaktuar dhe nga klima monopoliste në vend dhe pamundësia për të investuar në një shoqëri me liri ekonomike. Biznesmenë që shikojnë se për të investuar në këtë vend duhet të njohësh djalin, vajzën, gruan dhëndrin apo bodigardin e Berishës, i kanë rënë shkurt dhe kanë nxjerrë lekët jashtë Shqipërisë. Por lajmi më i keq nuk është se ato kanë ikur jashtë nga njerëzit e Familjes në pushtet. Lajmi i keq është se vetë ata që po na qeverisin, nuk besojnë tek ky vend, nuk e duan këtë vend, dhe nuk denjojnë të investojnë në këtë vend, jo vetëm fitimet e ndershme, por as lekët që na vjedhin përditë. 1.3 miliard dollarë janë shumë pare për këtë vend. Ato pare janë më shumë se sa oferta shumë e lartë që është dhënë për shitjen e Albpetrolit.
Në shifra të tjera ato janë gjysma e buxhetit real të Shqipërisë, e cila ka kaluar në emigracion klandestin në parajsa fiskale për tu rikthyer në Shqipëri. Me kaq pare të çuara jashtë, Familja mund ta blinte vetë Albpetrolin dhe CEZ duke i ripastruar paret në pasuritë publike të shqiptarëve, apo investime të tjera në energjetikë apo turizëm. Mund të kishte hapur vërtet nja 200 mijë vend pune dhe mbi të gjitha mund t’i kish shumëfishuar ato në biznese fitimprurëse këtu. Vetë Familja bëri dy amnisti për gjoba dhe deklarim pasurish, por nuk ka guxuar të legalizojë fitimet e saj përrallore. Ata kanë preferuar të mos ia besojnë të ardhmen e vet këtij vendi. Këtë vend e kanë vetëm për ta plaçkitur, shitur e rishitur dhe për të ikur pastaj të qetë të gëzojnë fitimet e pushtetit të tyre në Shqipëri.
Me aq shumë pare natyrisht që blen gjithçka, blen mediat, politikën, gjyqësorin dhe çdo segment të pushtetit, që do të tentojë t’i gjurmojë ku kanë shkuar. Me aq pare nuk blen dot vetëm qytetarët, të cilët mund të të përmbysin nga pushteti dhe pastaj mercenarët që kanë emëruar do të bëhen denonciatorët më të mëdhenj të tyre. Ikja e kaq shumë pareve jashtë Shqipërisë nga fitimet e paligjshme, na kujton të gjithëve se nga kush qeverisemi. Nga disa që nuk duan të lënë në këtë vend asnjë dollar nga ato që kanë grabitur në emër të pushtetit. Ndryshe nga ish- Mbreti ynë, që mori aq flori sa i duhej kur iku, këta kanë nisur një herë lekët dhe pastaj do të ikin vetë. Nuk i besojnë më as vendit, as njerëzve, dhe as të ardhmes këtu. E ndjejnë veten të përkohshëm dhe të pasigurt, siç ndjehet një hajdut i futur në një bankë.