Nga Fotaq Andrea
Letër Moikom Zeqos për Poezinë
I dashur Moikom.
Po e filloj me rrethanat kur e lexova shpejt, por 4 herë poemën tënde botuar tek MILOSAO, me titull “Epostolae in tenebris” (Letra në errësirë).
- a) Fillimisht, të lëçita drejt e në origjinalin e internetit, ku gjithçka m’u duke e vorbulluar, shtjellë poetike, pa ditur ku isha unë vetë, në ndonjë tsunam oqeanor, në shtjellën ujore të dikurshme të lumit të Tapizës, ku lahesha gjatë verës me shokët e mi laprakas 10-12 vjeçar e që më ka friguar sa herë apo te shtjella e gotës së ujit, që po e përzieja atë çast fort, limon me sheqer, për ta prerë me sodë e për ta shkumëzuar, se po më ngacmonte një hop stomaku.
- b) Më pas, të lexova qetas në version letër, sot që në mëngjes.
- c) Hera e tretë ndodhi sërish në divan, kur të lexova, aty nga dreka, po këtë herë kisha në dhomë një mik të posaçëm e të rrallë këtu në Strasburg, vetë Z. Diell, që më nderonte me praninë e tij. Z. Diell të tablosë së Van Gogut.
- d) Më në fund, të lexova së prapthi këtu në kompjuter, po, po së prapthi, se informatika ta jep këtë mundësi me miun (mausin) në dorë.
Çdo gjë e fillova enkas nga fundi për të të nakatosur, turbulluar e më pas për të qartësuar idetë e mia, dmth., të tuat. Dhe m’u duk sikur zbulova një mesazh, për ty, për mua, për të gjithë, për asnjë: mesazhi: “Ma destinée”.
Por po të flas më pas për këtë.
Ti e di që Viktor Hygoi ka një vizatim të rrallë që përfaqëson një thjellë gjigante, e që e ka quajtur me shkrimin e tij brenda: “Ma destinée”, “Fati Im”.
Ai fat që përbëhet nga “Unë dhe e Vërteta Dylëkurshe”, siç the ti.
Vërtet, aty nga Letra 7, ti je në kërkim të vetvetes, me pyetjen ngulmuese: A jam unë? Kjo tingëllon gjer edhe si hingëllimë Pegasi në majë kullës “Eiffel”, pa qenë aspak kërthizë egocentrike narcistike.
Dhe përgjigja, sikur vjen aty nga Letra 8: Jam unë Misteri, jam unë Njeriu, jam unë Poeti, por kur pyetjen tashmë ta bën Hiçi në mënyrën ekzistenciale: Ç’është Fati tënd?
Mos vallë Fat i pakushtëzuar, gjer në papunësi, më fal, gjer në pafundësi?
Kësisoj, një përgjigje e lezetshme ia vlen të veçohet: Jam unë, Zanafilla (apo Gjeneza).
Dhe domosdo, tek Uni yt, është edhe Uni im, Ti je Unë, Unë jam Ti, një Unë, pra, i përgjithshëm e i papërgjithshëm: Ti, Ne, Ata, Kush, Gjithkush e Askush.
Në fakt, brenda këtyre raporteve shoqërore ka ndodhur e ndodh krejt tragjikomedia njerëzore, ku aktorët janë spektatorë dhe spektatorët aktorë, nga teatri antik gjer te teatri atomik.
Pra, një Gjenezë e grishur (e grisur, thua ti), që ti e hedh poshtë me revoltë në shuka letre në kosh të Hiçësisë.
Gjenezë, pra, e shpërbërë në copëza realiteti, ku unë bëj e shpërbëj realitetin tim ti tëndin, e kështu me radhë.
Kësisoj, letrat e tua mbartin poetikisht mesazhe në raportin midis absurdit dhe realitetit dhe kjo kuptohet.
Materia, hapësira, koha, gjithçka vihet në lojën e së sotmes me të djeshmen, e së nesërmes me të pasnesërmen, e së pasnesërmes me të pasi-pardjeshmen, e kështu me radhë.
Bukur!
Ndien dihatjen dhe frymëmarrjen e poetit, ku e asfiksuar, ku e ekologjizuar, siç thua, të poetit në kërkim të shpëtimit të vetvetes e të njerëzimit (Arti është Shpëtim kolektiv! Siç thotë Malro), duke zbërthyer kështu një për një kode tematike, nga mitikja e epikja e gjer, më në fund, te realitetet e dubluara a tripluara (hej bel, programi automatik i drejtshkrimit të shqipes në kompjuter fjalën tripluara ma bën vetiu të trilluara, duke i dhënë kështu kuptim krejt tjetër fjalisë sime e duke më humbur kohë për t’iu kthyer mbrapsht e për ta korrigjuar, si dua unë e jo kompjuteri).
Ka tek ti ca vargje aforistike të përsosura: S’është Zoti që na urdhëron të mos i ngjajmë vetvetes; Identitetet i kemi numra celularësh; Botë e dyzuar nga unë; Ora është absurdi i kurdisur rregullisht; Hapësira na unifikon.
Por koha na ndan!
Jeta, ballo me maska, etj, etj.
Më pëlqen kur thua : « Engjëjt , regjisorë teatri kukullash ». Unë këtu mundohem ta shoh vërtet shenjtërinë e barkut të femrës në atë kufi të prerë midisi intimes e jo intimes, së fshehtës e jo së fshehtës, misterit e realitetit, adhuruar në kulm !
Ah, ja dhe një varg tjetër king : « B… pis të Mis Kohës » Mmmmmm !
Vërtet, ne i kemi njollosur e përdhosur tërë epokat me bëmat e zhbëmat tona !
Mirëpo sot, ka mise e yje që s’mbajnë fare b…, por vetëm geta, si e famshmja Heidi Klum që hoqi para ca ditësh në skenë para kamerave getat e saj për t’ia dhuruar animatorit Jay Lenos që bënte koleksione me dhurata yjesh, dhe tërë mediat thanë : Heidi Klum hoqi b… në skenë !
Kurse vargu tjetër « Pse imazhi yt është ethja e shpirtit tim ? » më kujton do gjëra nga zbori 6-mujor si studentë : luanim me kapat ushtarake, duke i rrotulluar në ajër mbi kokë, kush e kush të bënte sa më shumë rrotullime dhe kapa të rrasej pastaj fill e në kaptinë.
E vështirë, sidomos kur streha e kapës të binte në hundë e në fytyrë dhe të vriste. Por kishte nga ata që u bënë mjeshtër, sepse ishte një nga mënyrat për të vrarë kohën, kur koha vetë, në fakt, na kish asgjësuar me kohë !
Një ushtrim tjetër absurdi shqiptar prej zbori : kush e kush të fuste në gojë e të mbllaçiste gjembaçin e gomarit, bimë e gjatë barishtore : quhej gjembaç gomari se vetëm ky miku e ha.
Unë, këtu, thyeja rekordin, se kisha mjeshtëri si të mos shpohesha nga gjembat.
Dhe, më në fund, më e bukura : Kush pranonte të zgjaste kohën e zborit të tij (kupto ferrit) nga një flirt njëminutësh deri në pesë minuta, ose 24 orë dashuri me Brixhid Bardonë, kur 1 minutë flirt = 1 ditë zbor dhe 1 minutë dashuri = 1 muaj zbor. Kishte nga ata që e donin Brixhid Bardonë jo 24 orë por një vit të tërë dhe ishin kështu gati të bënin tërë jetën e tyre zbor.
Dhe ky që theu kështu rekordin, nuk u martua asnjëherë, e sot e kësaj dite është beqar !
Nuk do ndalesha në vargje të tillë « Shegë e çarë – e kuqe e agimeve », se nuk e di nëse do bëhej pastaj e barasvlershme me shpellësi e errët e perëndimeve » ?!
Kur thua : « Lulëzojnë mollët », ke parasysh pemën e mollës dhe pranverën, qartë.
Po unë do kisha qejf mollën fryt, në këtë rast ; ndaj pra, nuk e di nëse do mund të shprehesha atëherë : (vjeshtë) Lulëzojnë mollët (pra fryti) ; dhe më kujtohet se në një hartim dikur 14 vjeç (rrezik të të kem kopjuar ty me Mozaikët !) kam pas shkruar : O e madhja, e paharrueshmja Vjeshtë, / Nga gjithë poetët quhesh Pranverë !
Dhe mësuesja Lili Moisiu, gruaja e Vangjel Moisiut (ndjesë paçin të dy se ishin çift Zonjë e Zotëri !) më vuri notën 4, sepse Pranvera s’mund të jetë Vjeshtë dhe Vjeshta s’mund të jetë Pranverë !
Ja një varg sintezë : « Zogjtë naivë të mendimeve të mija » Në fakt, edhe tani që po shkruaj, duhet ta kem tensionin disi të lartë, se në veshë kam njëfarë oshtime ardhur që nga tepeleku, nën të cilin, lëvrijnë, gërvëlijnë, gumëzhijnë e cicërijnë qelizat e ngarkuara me mendim (gjatë procesit të tyre kimik, doemos).
Po zogjtë e Perëndisë vallë (trumcakët e harabelat siç i quante ime më, e cila sa herë shkundte nga dritarja e katit të tretë napën me thërrime buke thoshte : të hanë dhe zogjtë e Perëndisë !), të jenë edhe ata lajmëtarë të Zotit !
Sepse, e di çfarë, një çift francezësh pedagogë në UT gjatë kohës së Enverit, në librin e tyre kanë shkruar e zezë mbi të bardhë : Shqiptarët kaq shumë vuanin nga uria në kohë të diktaturës, sa vrisnin trumcakët e i hanin !
Tani, edhe diçka tjetër : nëpërmjet marifetit kompjuter, kërkova në tekstin tënd fjalën hënë dhe rashë në këto shprehje fantastike : hënë farkëtuese, bleroj hënën, hëna – vula e djallit, hëna e Lorkës, kafkë e hënës, aortë e hënës, etj. etj.
Më doli edhe fjala kohën, por bëhej fjalë për kohën, e jo se Hëna hëngri kohën ! « Hëna është vula e djallit, njeringrënës », siç thua ti troç e poetikisht !
Mirëpo, e di çfarë ?
Një njeri i imi, Gogua fantastik, që këndon shumë bukur labçe dhe improvizon në çast, një ditë, tek shkonim në Shënvasil me veturë, këndoi : Hënë, moj të puthsha në faqe, Hënë moj, faqemollaqe !
Pale shprehja jote : bleroj hënën, që tregon se Planeti Tokë po i shter mundësitë e veta të jetesës dhe duhet mbjellë hëna për mbijetesë !
Ika, s’po e zgjas, se po vazhdoj me përkthimin për ‘ONUFRIN » e Bujarit, “Një verë me Prustin”, jo e kollajtë për përkthim, por shkruar bukur.
Titulli origjinal është « Një stinë me Prustin », ku fjala stinë ka kuptimin e autorit « Një periudhë jete », pra jo si kohë Verë, siç e kanë përkthyer rusët, por si epokë.
