Arlind Cara
Mediat shqiptare dje shkruajtën për shuarjen e hidhur të Almirit 4-vjeçar. Rrethanat e vdekjes së vogëlushit nga Kumanova janë tepër të rënda dhe arsyeja është uluritëse. Shkon përtej trishtimit mendimi kur çon nëpër mend se diku në Europë mund vritesh për shkak të racës. Urrejtja nuk të kursen edhe nëse viktima ende nuk është vetëdijësuar për identitetin e tij sepse ishte thjesht 4-vjeç.
Ka ardhur e tashmë ka kaluar koha që disa të vërteta të thjeshta Shqiptarët në Shqipëri duhet ti dinë për Shqiptarët në Maqedoni, Serbi, Mal të zi dhe Greqi gjithashtu. Do të ishte abuzive të thuhej se këtoj janë shtete antishqiptare. Por është e paanashkalueshme e vërteta se ka disa segmente të popullatës së këtyre vendeve të cilat jetojnë një nacionalizëm të egër i cili i ka izoluar egërsisht në mënyrë të institucionalizuar shumë prej qytetarëve sllavë e grekë nga bashkëqytetarët Shqiptarë. Në këto vende gjallon në disa qarqe një racizwm antishqiptar i sëmurë që është i shtrirë në kollona të qenësishme të shoqërisë së tyre. Në politikë, në arsim, në media, madje edhe në sport e gjithashtu edhe në fusha të tjera të jetës që krijojnë hapësirën publike të një shoqërie. Imazhi i deformuar i Shqiptarëve shihet qartë edhe te elementë të përditshmërisë së këtyre shoqërive.
Te mësuesi serb që u mëson këngë antishqiptarë që në fillore fëmijëve. Te ushtari grek që këndon para eprorit të tij këngë me vargje të tilla lemeritëse: “Do masakroj shqiptarin dhe me mushkëritë e tij do të bëj litar !”. Te polici malazez që të ve gjobë pse mban një flamur shqiptar. Te “akademiku” maqedonas që shkruajnë versione të mirëfillta raciste librash historie ku shqiptari shihet në një nivel aty-aty me kafshët.
Është për të ardhur keq por duhet thwnw se shumica dërrmuese e gazetarëve, profesorëve, akademikëve, artistëve Shqiptarë në Shqipëri dhe çdo rol tjetër social që formëson opinionin publik të shoqërisë sonë kanë një mungesë të theksuar informacioni qoftë edhe fillestar për Shqiptarët që jetojnë përtej kufirit. Gjëja e parë që duhet të bëjnë këta individë që kanë një përgjegjësi sociale në Shqipëri është të mësojnë më shumë për ekzistencën e vështirë jo vetëm identitare të Shqiptarëve në trojet shqipfolëse. Por edhe për ekzistencën ekonomike, arsimore dhe humane e cila ka qenë keq, vijon të jetë keq dhe nëse nuk reagohet do jetë si mos më keq. Kjo do të ishte një shpresë për t’iu larguar një kozmpolitanizmi steril që s’ka pikën e vlerës që dhe na bën të jemi hipokrit ndaj vetës dhe pa identitet ndaj të tjerëve.
Parakushti i respektit të të tjerëve është respekti ndaj vetes. Natyrisht vetrespekt pa nuancat narciste identitare gjë që kemi treguar se dimë ta bëjmë si shoqëri. Gjatë viteve të zorshme të tranzicionit të pafund shoqëria në Shqipëri ka ditur të ndahet nga shfaqjet pashije të kllounëve nacionalistë dhe nga shumë politikanë me patriotizëm “part time” që janë me shumicë andej e këndej kufirit zyrtar. Shqiptarët kanë besuar te vlerat e bashkëekzistencës së paqtë. Por bashkëekzistenca e paqtë merr kuptim kur të gjitha palët janë të barabarta, në të kundërt jetohet në një realitet të gënjeshtërt i cili do të vijojë të na asgjesojë siç ishte rasti i mjerë i vogëlushit të ndjerë.
