Përse pas 5 mandatesh, Duka duhet të ikë nga FSHF?

J L

Bedri Islami

Botuar në DITA

 

Lënda plasëse e vendosur në portën e jashtme të oborrit të vilës së Armando Dukës, jo vetëm që duket si e porositur, por, mbi të gjitha spostoi vëmendjen nga një dukuri kryesore: në përgjigjen e pyetjes, nëse do të vazhdojmë të kemi të njëjtin president të futbollit shqiptar prej kaq shumë e shumë viteve?

Armando Duka synon të rizgjidhet në këtë post dhe si duket, me ndërhyrjet e bëra në statusin e federatës, bllokimet dhe hapjet, në të gjitha rastet kur i janë dashur bllokimet, si në Durrës, apo kur i janë dashur hapjet, si në Tiranë, ai e ka të shtruar rrugën drejt rizgjedhjes së tij, edhe sikur të gjithë të përballen me të.

Në fakt është kronikë e një rezultati të paralajmëruar, ku dhuna, forca dhe sekti Duka i ka të gjitha në njërën dorë dhe që pastaj, i hedh në dorën tjetër.

Megjithatë, përse duhet larguar zoti Duka nga posti i tij dhe çfarë do të paralajmëronte vazhdimi në detyrë prej kaq mandatesh i të njëjtit njeri?

Armando Duka është njëri ndër emrat më të lidhur me politikën, qoftë drejtë për së drejti, qoftë prej familjarëve të tij, vëllait, Agron Duka, të cilin dikur Berisha e quante “Duka i krimit” dhe sot tellallët pranë tij e cilësojnë si figurë të shquar, apo lidhje kunetore.

Është rasti tipik ku është bashkuar oligarkia financiare me atë politike dhe kanë sjellë në drejtimin e një institucioni të pavarur, por të shtrenjtë, një biznesmen, që pasurinë e tij, aq sa mund ta ketë bërë përmes mendjes, aq mund ta ketë bërë dhe e ka bërë, përmes lidhjeve politike. Është në ato rastet që vështirë të përgjigjet për milionëshin e parë, por që veprimtarinë tani e ka kudo, në çdo sferë, sado të largëta të duken me njëra tjetrën.

Është rasti tipik ku fuqia financiare, lidhjet politike e nepotike, krijimi i një sekti pranë vetes, i mbrujtur me idetë e të njëjtit njeri dhe i shpërblyer po nga ai, krijon një ishull parajse, në të cilin askush nuk mund të futet pa lejen e tij dhe pak kush mund të dalë nëse nuk e lejon ai. Ky sekt, që është si një trekëndësh, politikë – financë – dhunë, ka krijuar paprekshmërinë e tij, sepse nga njëra anë e mbulonte media e lidhur me të dhe që ka pasur fitime prej tij, nga ana tjetër politika, që është e plotfuqishme në krijimin e blloqeve, tarifave dhe sekteve.

Është rasti tipik ku posti i një drejtuesi, qoftë edhe në një institucion si ky, nga njëra anë quhet si i përjetshëm dhe nga ana tjetër, sajohet si një vend tabu, ku nuk mund të futet gjë, as kontrolli financiar, nuk ndiqen abuzimet, spekulimet apo mashtrimet. Sa herë që është bërë përpjekje për të thyer tabunë e vendosur në këtë institucion, menjëherë grupime të lidhura me të kanë ngritur akuzat e paqena reale, si ndërhyrje të politikës, kontrolle të paligjshme dhe jo vetëm institucionin e tyre, por edhe kontrollet në bizneset e tyre i kanë quajtur dhe trajtuara si të përllogaritura politikisht.

Armando Duka, në shumë vite ka pasur akuza të drejtpërdrejta për abuzime me postin e tij; pikërisht që nga koha kur ai drejton federatën, ekipe fituese të kampionatit shqiptar, drejtuesit e të cilit ishin ortakë të Dukës, janë përjashtuar e dënuar për trukime ndeshjesh, çka kanë bërë vetëm njërën anë të errët të futbollit shqiptar. Trukimet e ndodhura kanë qenë përfitime të mëdha financiare dhe shumë të rënda se sa “belli dans” i Dukës në një mejhane moderne aziatike, sëbashku me kryetarin e grupit parlamentar të opozitës së sotme. Është edhe më e rëndë se sa rekrutimet në ekipin kombëtar, sipas dëshirës apo pagesës, duke lënë anash figura të rëndësishme të futbollit të sotëm shqiptar, si Xhaka, apo duke i shpallur të pabindur dhe të padëshiruar futbollistë të talentuar si Broja.

Duka, si figurë dhe si përvojë, në të njëjtën kohë, është shembulli më pak i dobishëm dhe më i rëndë njëkohësisht, se si nuk duhet vepruar në institucione të tilla, të cilat duke i shpëtuar kontrollit financiar, nën petkun e pavarësisë, bëjnë gjëra monstruoze dhe të rënda. Duka është rasti më tipik i kësaj gjendje, që jo vetëm ka mbuluar Federatën, por edhe futbollin në përgjithësi. Do të ishin të mjaftueshme vetëm mbledhja e akuzave që kanë ekipet e Superiores për trukime ndeshjesh, blerje ndeshjesh, gjyqtarë të korruptuar, sa që janë të gatshëm të pranojnë gjyqtarë jashtë shtetit shqiptar, nëpërkëmbja e vlerave, abuzimet e pamasa dhe të pakontrolluara.

Liderë të opozitës, ditët e fundit, kanë bërë thirrje për të patur një qëndrim të qartë për dy mandate qeveritare, por për pesë a gjashtë mandate presidentësh federatash, heshtin, sepse e gjithë kjo është në rangun e njerëzve të tyre të besuar dhe sponsorizues të fushatave të tyre elektorale. Jo shumë vite më parë, kur kjo opozitë ishte në qeverisje, kërkoi me ngulm largimin e Dukës nga posti i tij. Ndër rastet kur ajo kishte të drejtë. E njëkohësisht në ato raste kur qeveria e pa më të arsyeshme të largonte ministrin përkatës, se sa Dukën.

Nëse duhet besuar njeriu, që duke shfrytëzuar postin e tij, të drejtën e transmetimeve futbollistike ia kalon kompanive të tij, që mbyll dyert para tatimorëve apo kontrollorëve financiarë, që paguan punonjësit e tij nën vlerën e detyruar nga ligji shqiptar, e pabesueshme, por e mjaftueshme për evazion fiskal, që prioritet ka marketet dhe kanalet televizive, aksionet dhe firmat e gjithandejshme dhe futbolli e posti i tij i shërbejnë si çadra për të mbuluar gjithçka ka ndodhur, atëherë le të jetë kështu.

Paralelet mes Federatës dhe ngjarjes së Teatrit Kombëtar, jo vetëm që nuk kanë asnjë lidhje, por ndjehen si sirenat që duan të mbulojnë makutërinë, ku jo rrallë bëjnë pjesë edhe vetë sirenat.

Dinamiti i vënë në portën e jashtme të oborrit të shtëpisë së familjes Duka është akt që duhet dënuar rreptësisht; autori dhe ata që fshihen pas tij duhen gjetur sa më shpejt të jetë e mundur, që spekulimet të kenë një fund dhe ata që duken sot të mjegullta, të jenë të qarta për të gjithë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *