Biologu i evolucionit, Tomas Bosh, me grupin e tij studimor ka zbuluar të ashtuquajturin gjeni i jetëgjatësisë. Është konstatuar se qelizat burimore pa gjenin FoxO humbasin funksionin e tyre. Ne humbasim qelizat burimore, ato humbasin aftësinë e vetërigjenerimit. E kjo është plakja!
Në Universitetin e Kielit biologët e qelizave dhe zhvillimit kanë zbuluar të ashtuquajturin ‘gjen të jetëgjatësisë’ që përcakton kohëzgjatjen e jetës.Pikënisja e hulumtimit ishte pikërisht ekzaminimi i një qenieje që konsiderohet si e pavdekshme: hidra, një polip i vogël, që gjendet në moçale. Hidra përmes ndarjes së qelizave rikrijohet vazhdimisht.
Gjeni i jetëgjatësisë tek hidra
Vetëm një deri në dy centimetra është madhësia e këtij polipi. Ndonëse i vogël si organizëm ai është një mrekulli e vërtetë: Prej më shumë se 100 vjetësh organizmi i hidrës mahnit shkencën! Polipi i ujërave të ëmbla jeton që prej 600 milionë vjetësh pothuajse i pandryshuar dhe ka një sistem trashëgimie të ngjashëm me atë të qenieve të gjalla komplekse.
“Këto molusqe janë të pavdekshme. Përmes teknikave shkencore është arritur të shihen gjenet e këtyre qelizave. Që në 2009-n, studiuesit e Kielit patën hulumtuar kodet gjenetike të 388 personave njëqindvjeçarë dhe patën hasur në një gjen mjaft aktiv, pra në atë FoxO. Biologëve të qelizave iu bë e qartë se ndërkohë duhet të ketë një kontekst të përbashkët mes pavdekshmërisë së hidrës dhe jetëgjatësisë së njeriut.
Por kjo vetëm nëse gjeni FoxO ekziston në ndonjë formë të caktuar. Kur njerëzit arrijnë moshën 100 vjeç, ata quhen ‘centinarianë’ dhe shkencëtarët besojnë se në kodin gjenetik të centinarianëve duhet të veprojë edhe FoxO.
Me studimin e hidrës po merret grupi i punës në Univeristetin e Kielit i drejtuar prej mikrobiologes Ana Marei Bohm. Ajo prej vitesh punon me polipet e hidrës dhe e di se përse ato nuk vdesin.
“Hidra ka qeliza speciale burimore, të cilat mund të ndahen vazhdimisht. Ato nuk e humbasin aktivitetin e tyre të ndarjes. Gjë që ndodh edhe te njerëzit apo te shumica e organizmave të tjerë, por me kalimin e kohës aktiviteti i ndarjes së qelizave burimore bie derisa vjen një moment kur ai ndërpritet. Tek hidra kjo nuk ndodh! Ajo shtohet vazhdimisht dhe pa gjini në mënyrë vegjetative”, thotë Bohm.
Nëse këtij organizmi të vogël i pritet koka, ai rritet përsëri. Njësoj si në mitologjinë greke, ky molusk mban emrin e përbindëshit Hidra, të cilit për çdo kokë të prerë i rritej një kokë e re. Për ta hulumtuar saktë këtë fakt, biologët bashkuan materialin gjenetik të ndryshuar të hidrës, tek e cila është hequr gjeni FoxO me polipet embrionale.
“Ne jemi duke punuar me një mikromanipulues. Përmes tij mund t’i përçojmë gjenet e ndryshuara te embrioni i hidrës sonë dhe kësisoj të ndryshojmë embrionin e hidrës gjenetikisht. Kjo do të thotë që ne mund t’ua rrisim gjeneve aktivitetin ose mund t’ua bllokojmë atë”, thotë studiuesi Tomas Bosh.
Qelizat e modifikuara të hidrës nën mikroskop
Me mikroskopin fluoreshent, embrionet e hidrës prodhojnë një molekulë, e cila ndriçon në ngjyrë të gjelbër. Një shenjë kjo që tregon se materali i ndryshuar gjenetik është përthithur.”Dhe nëse nuk ndodh kjo, atëherë embrionet mbeten të errëta. Kjo do të thotë se ato nuk ndriçojnë. E këto ne i seleksionojmë. Kuptohet, ne duam të mbajmë vetëm embrionet të cilat përmbajnë gjenin e ndryshuar”, thotë Ana Marei Bohm.
Kjo procedurë përsëritet derisa polipi të ndryshojë tërësisht gjenetikisht, për aq sa kjo është e mundur. Më pas do të ekzaminohet se si reagojnë qelizat burmore pa gjenin FoxO. “Në këtë rast ne p.sh. arritëm të konstatojmë se, nëse e izolojmë gjenin FoxO, polipi ka më pak qeliza burimore dhe rritet më ngadalë. Ne mund të konstatojmë edhe ndryshimet në aktivitetin e gjeneve të tjera, të cilat ndikohen nga mosaktivizimi i gjenit FoxO”, shton Bohm.
