Përse Ristani zgjodhi ta quajë Ramën rrugaç?!

redaktor

Ofeza ‘rrugaç’, përdorimin më të madh e pati në kohën e komunizmit. Ajo ishte pjesë, sa e fjalorit politik e sa atij social. Politikisht, konsiderohej rrugaç ai që nuk i përshtatej normave të moralit komunist: I bënte bisht punës e aksioneve, rrinte jashtë deri natën vonë, ndodhte që dehej dhe i jepte gojës sa para-mbrapa, ndiqte modën e huaj, ishte i dhënë pas bixhozit e artit dekadent. Ndërsa sociologjikisht, ishte dhe i paedukuar në komunikim me njerëzit, përfshihej në sherre e shamata, e ndodhte të ngacmonte vajzat në rrugë. Për të gjitha këto, quhej krejt lehtshëm rrugaç, pa patur alternativa të tjera gjuhësore. Tek ‘rrugaçi’ futej me të rrasur çdo etiketim tjetër që u përgjigjet një set-i më të gjerë tiparesh negative; gjë që ndryshoi me ndërrimet e sistemeve, ku pati një vërshim etiketimesh, duke nisur me: pusht, pis, legen, plehrë e deri tek ndonjë me elementë erotikë, si varianti bulevardesk i homoseksualitetit: b……r. Këto, jo se nuk njiheshin, por iu përgjigjën një terreni të ri social, që kërkonte vetëvetiu dhe alternativa të tjera për fshikullime orale. Dhe ishte e nevojshme kjo parantezë, për të analizuar modestisht se ç`ndodhi me Ristanin dy ditë më parë, që iu përgjigj Ramës duke e quajtur rrugaç, teksa ky i fundit informoi komisionerin Fyle për të qenit e Ristanit dikur në burg. Pse ‘rrugaç’ e jo një ofezë tjetër, ndërkohë që fjalori i sotëm nuk e ka në trend?! Pak më sipër, u cek dhe fakti se tek ‘rrugaçët’ e komunizmit, përfshihen dhe ata që ngacmonin vajzat në rrugë, lapërdharët e gjuhës, të cilët, me këtë ofezë ballafaqoheshin direkt, nëse rasti ua sillte të ngacmonin ndonjë namuzqare: “Ik more rrugaç!” – ndodhte pra t`i përvishej ndonjëra-ndonjërit, si mënyra më e shkurtër, më e varfër, më pak kreative, më pak inteligjente e më pak “artistike”, për t`ia hedhur një situate; gjë që, tek subjekti i dedikuar, – mashkulli romuzli – më shumë se irritim, shkaktonte të qeshura. Për të gjitha këto arsye, afërmendsh, kategoria femërore që në majë të gjuhës kish vetëm cilësorin ofendues ‘rrugaç’ e asgjë tjetër, i përkiste më së shumti asaj rurale; sidozot konviktore, pa asnjë resurs gjuhësor urban, për ta sfiduar krekosjen mashkullore me ndonjë “term më ajror”, siç quheshin ndryshe atë kohë “llafet e mëdhaja”. Kështu dhe me Ristanin: I ndodhur gafil nga ç`nxorri prej goje Rama, në zbrazëtinë evidente që e karakterizon, nuk mundi të gjejë veç ‘rrugaç’-it, asnjë variant të ngjashëm leksikor për ta bërë Ramën të skuqet. Por mirë dhe me kaq, pasi po në atë kohë, nëse i thuhej dikujt rrugaç, nga ana e ‘rrugaçit’, reagohej menjëherë me një kundërbatutë të rimuar, që e ngërthente tjetrën ose tjetrin në një pozitë poshtëruese, me një provokim të rëndë erotik. Dhe çudi që Rama nuk e tha – por ndoshta e ka thënë nëpër dhëmbë -…., gjersa u quajt rrugaç!

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *