Përse vonohemi me zgjedhjen e një guvernatori?

redaktor

Ka kohë që posti i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë po rri bosh. Kjo kohë me sa shohim po përdoret për të “sitosur” kandidatët potencialë. Shumë herë në shtyp shohim lloj-lloj mendimesh dhe ”propozimesh” aty dhe për kandidatë të huaj. Dhe ajo që më çudit është fakti se kandidatëve u numërohen postet ku kanë punuar dhe nuk jepet as një informacion se çfarë kontributi kanë pasur këta postarë në këto poste. Mua dhe të tjerëve si puna ime, më intereson kontributi se sa të qenit në një post sado i lartë që të jetë posti. Madje kur shoh se brënda një kohe të shkurtër kanë ndërruar shumë poste, më krijohet përshtypja se janë pritur sipas qyrkut dhe janë përcjellë sipas mendjes. Kur themi shpesh se nuk kemi institucione – kjo nuk është një thënie që vjen nga kotësia, por nga faktet që na jep realiteti në shumë fusha. Kështu pra për rastin e Guvernatorit, bëjmë pyetjen: cili institucion e ka detyrën dhe të drejtën për ta emëruar Guvernatorin? Dhe këtë pyetje e vazhdojmë: A ka ky institucion një bazë të dhënash për kandidatët potencialë që duhet të seleksionohen në një moment të nevojshëm që nuk ka pse të pritet si psh: dalje në pension, ndërrim jete të formave të ndryshme, paaftësi në detyrë, qarkullim posti, gabime dhe faje të formave të ndryshme etj. Dhe në këtë bazë të dhënash të jenë rankuar kandidatët sipas kritereve të ndryshme që kjo bazë të dhënash duhet të formatohet. Pse, do presë puna sa të vërdallosen ata që e kanë në stilin e tyre vërdallosjen? Këtu del dhe një çështje tjetër: A është e nevojshme kjo pagesë për këtë vend pune. Deri sa kjo punë de fakto po bëhet nga ekipi ekzistent, (se si po bëhet nuk dihet) atëhere ose kjo punë po bëhet keq dhe këtu ka përgjegjësi konkrete, ose kjo punë mund të bëhet nga ata që janë dhe s’ka pse njëri nga ata të mos emërohet Guvernator. Unë kam besim absolut se në Shqipëri ka shumë djem dhe vajza të shkolluar e të aftë që të bëjnë punën e Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të Kryetarit të Parlamentit, të ministrave dhe gjithë posteve dhe portofoleve që ka shteti. Nuk mund të pranoj në shekullin që jemi, të mos gjendet një shqiptar në një nivel të lartë kualifikimi që të drejtojë me kompetencë një post të shtetit shqiptar. Këshilltarë mund të merren, por jo vendimmarrës sepse vendimin e merr si gjithmonë shumica dhe shumica në Shqipëri – janë shqiptarët që nuk duhet të pranojnë një diskreditim dhe një ofendim të tillë që për të na drejtuar u dashka një princ Vid. Këto kohë kanë kaluar dhe nuk duhet që të lejohen më që shqiptarët të drejtohen nga princër dhe guvernatorë të huaj. Sorollatjet që vihen re në raste të tilla kanë të bëjnë me shumë gjëra si politike, interesa klani, meskinitete, papërgjegjshmëri institucionale, dhe keqdashje.

 

Letër e nënshkruar,

Fatmir Shehu

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *