Krahas duartrokitjeve të bulevardit më të famshëm parizien, ne morëm këto ditë edhe duartrokitjet e të gjithë botës që ndoqi marshimin e përfaqësuesve të katër besimeve fetare në Shqipëri në nder të viktimave të sulmit terrorist të 7 Janarit. Krenari dhe kënaqësi e madhe, sepse ne shqiptarët të tillë jemi gatuar. Kemi vetëm një shqetësim kryesor – Se çfarë do të thotë Bota! Qoftë ajo pas dyerve e dritareve të shtëpisë, qoftë ajo përtej kufijve.
Marshimi i përfaqësuesve të katër besimeve kryesore në Shqipëri, përçoi simbolikën e një ecjeje të bashkuar drejt një qëllimi të përbashkët, drejt një bashkëjetese në sintoni, i konsoliduar si mur i vërtetë dhe i padepërtueshëm. Mesazhi i atij marshimi ishte i qartë: besimi fetar nuk duhet të ndajë, por bashkojë. Sepse në thelb, të gjitha besimet kanë vetëm një kuptim: Zotin. Se Ai, është unifikues për qeniet njerëzore. Ai nuk duhet të mbjellë urrejtje, por dashuri. Ai nuk duhet të korrë luftë, por harmoni dhe tolerancë.
Dhe ne shqiptarët, nga televizionet e kompjuterët tanë, duke ndjekur direkt ato duartrokitje na u frynë barqet nga mbingopja e krenarisë së rastit dhe na u bënë gjokset gropë duke i rrahur, sepse ata katër përfaqësues së besimeve të ndryshme fetare, të cilët ecnin në harmoni të plotë, ishin shqiptarë. Dhe në zemër të Parisit, aty ku ka ditë që mbizotëron dhembja, treguan se mesazhi i vërtetë i besimit fetar, në Shqipëri lulëzon i bekuar. Bota na tha një bravo, duke e shoqëruar politikisht në mënyrë korrekte, dhe me një: Edhe ju, jeni një Charlie! Një Charlie të shprehjes së lirë së besimit, një Charlie bashkëjetese e harmonie fetare. Pa ditur, që ndonëse nuk është feja, edhe ne shqiptarët kemi opiumin tonë. Një opium të një tjetër lloji. Më të egër, më të fortë. Një opium që të drogon deri në interesa familjare, në xhepat e pantallonave, në sherret me fisin e gruas, në mirëmëngjesin e detyruar komshiut. Bota nuk e di, por mes shqiptarëve që jetojnë në harmoni fetare, prishen dasma e funerale për… politikë.
Indiferentizmi fetar që karakterizon popullin shqiptar, nuk e implikon kurrsesi atë të jetë harmonik dhe aq më pak tolerant. Krahas vlerës së madhe që mund të kemi për këtë indiferentizmin karakteristik të çështjeve fetare, shqiptari është konfliktual, vuan nga kompleksi i superioritetit dhe tjetrin me një besim të ndryshëm fetar – nuk e konsideron. Të gjithë dimë se shqiptari mund të prishë edhe dasma, mund të sherroset edhe nëpër funerale, mund të jetë në “allnim” prej vitesh me atë pjesë fisi që ka orientim politik ndryshe. Shqiptarët nuk shajnë nga feja – por nga partia!
Shqiptari është sidomos ai Charlie që vrau tjetrin në 1997-ën. Shqiptari është edhe Charlie i 21 Janarit. Nëse dy terroristë, ngritën armët kundër fjalës së lirë, lirisë së shprehjes, kundër një redaksie me gazetarë që “fyenin e përdhosnin” sipas tyre besimin që ata kishin dhe fenë në të cilën besonin, po ne? Ne përse i ngritëm armët kundër njëri-tjetrit? Përse shqiptari vret vëllanë e tij mysliman? Vëllanë e tij të krishterë? Nëse terrori ka një motiv, ne shqiptarët çfarë motivi kemi? Në çfarë besonim kur vramë njëri-tjetrin në të largëtin 1997? Atëherë kur të gjithë u vodhëm e u mashtruam. Atëherë kur duhej të projektonim revolta dhe reagime vertikale, në shpërthyem kundër atij tjetrit, që ishte vjedhur e mashtruar po aq sa ne. Madje, duke mos i mjaftuar, e vodhëm dhe mashtruam për hakmarrje e frustrim edhe vetë, cepash pallatesh, rrugicash të errëta, rrugësh makinash kombëtare ose jo. Nga shqiptarë, u kthyem në “maskat”. Ashtu sikurse nga myslimanë, ata në Europë u kthyen në terroristë. Në çfarë besonim ne shqiptarët kur na vrau Shteti Shqiptar? Shteti që duhet vetëm të na mbrojë e pasurojë, ruajë rendin, jetën e familjen. Ai Shtet i dha këtij vendi jetimë më shumë. Ende sot, nuk është bërë drejtësi…
Duartrokitjet jo vetëm të atij bulevardi, por të çdo bulevardi kryesor të Botës, do t’i meritojmë vetëm ditën që do të dimë të fitojmë imunitet nga opiumet tona. Ditën që politika të mos jetë më aq ngushtë dhe fort e lidhur me ndjenjat, me marrëdhëniet dhe me interesat e ngushta të mbijetesës sonë. Ditën që nuk do të krenohemi vetëm një ditë të vitit, kur ndodh rastësisht të jemi më të mirë se të tjerët, por ditën që do të shtrëngojmë duart me njëri-tjetrin, me ndërgjegjen e plotë se jemi më të mirë se vetja dhe se të gjitha rrethanat që dita-ditës na imponojmë të bëjmë vetëm prapa.

Perse vrasin shqipetaret?trushplaret vrasin per salikomunistin se e kane idhullin e tyre te krimit,pala tjeter vrasin per enverin ,rambon, fatosin,dhe edin.
keto monstra sidomos saliserbi i percau shqipetaret si asnjehere,qe te kete mundesi te sundoj perjetesisht dhe tja kaloj profesorit te tij enver.
shqipetaret vrasin njeri tjetrin per pese lek,vrasin se perse e pe shtrember,perse e dashura i mbylli telefonin tj etj.
shqipetaret gezohen kur politikanet dhe femijet e tyre behen te pasur ne menyre te padrejte