Persekutorë dhe të persekutuar, heshtni!

anazapta

Ju mund të keni arsyet tuaja që edhe në vijim të vazhdoni t’i mbushni faqet e gazetave me mllefet e lotët, sharjet e plagët, a nostalgjitë e dhimbjet tuaja. Mund të keni arsyet që një pjesa juaj ta kuptojë se duhet të mos flas më, dhe pjesa tjetër të jetë e bindur se duhet të flasë edhe për shumë kohë, por ndoshta është koha që duhet thënë se ju, të dy palët, tani duhet të heshtni.

Duhet të heshtni se ju deri tani, e patët kohën e mjaftueshme për t’i thënë të gjitha. Njëzetë e pesë vite janë kaq shumë për të tjerrë histori pa fund, jo njëherë, por disa here. Ne kemi përvojë të hidhur në drejtim të ritregimit të asaj që na ka ndodhur në të kaluarën tonë. Për pesëdhjetë vite na ngeli ora në vitin 1938, ndërsa tani për 25 vite në ato që themi, vazhdojmë të mos bëjmë asnjë hapa pas viti 1990. Nëse ato pesëdhjetë vite ishin plotësisht të mjaftueshme për të treguar se sa “të suksesshëm” mund të jemi kur çapitemi pa fund në të kaluan tonë, pse duhet që edhe pas një çerek shekulli të bëjmë të njëjtën gjë!? Popuj të tjerë, natyrisht shumë më të qytetëruar se ne, kanë ndjekur një rrugë shumë ndryshe. Gjermania i bëri “dhuratë” botës flamën naziste, por pas luftës së dytë botërore nuk pati kohë të merrej gjatë më këtë histori të errët të saj, i dha botës shembullin e keq se si mund të ndahet në mes një popull, në dy sisteme, por pas viti 1989 nuk humbi asnjë moment për të fryrë ndarjes.

Duhet të heshtni se ju deri tani, (të dy palët), keni folur aq shumë sa pas njëzetë e pesë viteve, duket se kemi arritur në një moment grotesk, ku nuk kuptohet më kush ka folur më shumë e kush më pak. Duke pasur të dy palët një dalldi dhe “të drejtë” të barabartë për të folur thuajse pa ndërprerje, tani pas njëzetë e pesë viteve, duket se ka humbur kufiri ndarës mes asaj që është morale dhe asaj që nuk është e tillë. Duket se pas njëzetë e pesë viteve, fal edhe të një shtypi pa skrupuj morali, ajo që është formësuar në memorien tonë post diktaturë, është një amalgamë historie me ngjarje dhe data, ku mpiksen bashkë hetues dhe të pushkatuar, gjykatës dhe të dënuar, spiunë dhe të internuar, bllokmenë dhe të arratisur. Të dy palët kanë folur njëlloj, (për të mos thënë se pala që nuk duhet të fliste ka folur më shumë), të dy palët kanë pasur të njëjtën dashuri dhe hapësirë nga media, (për të mos thënë se pala që duhet të rrinte në hije, ka qenë më e përkëdhelura nga ky palo shtyp, të dy palët kanë gërmuar nga e kaluara e tyre ato që ua janë dukur më të moralshme për ta hedhur në tregun mediatik, (për të mos thënë se të parët nuk e vrasin shumë mendjen dhe thuajse gjithçka nga e kaluara e tyre ju duket morali vetë), të dy palët kanë qëndruar në llogoren e së drejtës së tyre, (për të mos thënë se të parët ndihen shpesh herë më të pafajshëm se të persektuarit prej tyre). Si rrjedhojë ne sot gjendemi para një situate të tillë, ku më e pakta që mund të themi, është fakti se e kaluara jonë është kthyer në një mishmash historish pa fund, ku të gjitha palët tregojnë pa fund pjesë nga e kaluara e tyre, ku aftësia e publikut për të dëgjuar është lodhur, ndërsa nuk ka të sosur zelli për të treguar. Ne sot gjendemi para një situate të tillë, ku e kaluara jonë, derdhur në memorien tonë me të njëjtin ritëm, si nga të persekutorët dhe nga të persekutuarit, duket herë e shpëlarë e herë e mërzitshme, herë si nostalgji e herë si makth. E pra duke qenë se kjo shoqëri nuk vuri kufi morali mes atyre që duhet të heshtnin dhe atyre që duhet flisnin, tani ka mbetur vetëm një zgjidhje, heshtja e të dy palëve.

Duhet të heshtni se deri tani, (të dy palët), duke mos hequr dorë askush prej jush nga pasioni për të folur, e folura juaj ka shërbyer si një atavizëm i asaj që iku. Duke folur të dy me të njëjtin zë, nuk keni bërë asgjë më shumë se hapja e ca llogoreve të tjera ndarëse në shoqërinë tonë. Në një shoqëri indiferente që thuajse pa asnjë emocion përtypë gazetat me historitë pa fund të të gjitha palëve, në një shoqëri ku gjysma e atyre që flasin nuk e kanë moralin që të kuptojnë se duhet të heshtin, në një shoqëri që duket se nuk është hequr nga mentaliteti i saj ndarja në llogore, etja për të folur ashtu të ndarë, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka sjellë edhe në këto njëzetë e pesë vite, imazhin e llogores. Ne jemi para një situate të tillë, ku nga njëra anë kemi dy palët që flasin dhe nga ana tjetër shoqërinë e ndarë në mes, ku një pjesë dëgjojnë pallavrat e atyre që duhet të heshtin dhe një pjesë dëgjojnë dhimbjet e atyre që duhet të flasin. Në kushtet kur askush nuk u thotë atyre që flasin kot se duhet të heshtin, në kushtet kur ne nuk kemi forcën e duhur për të seleksionuar, a ndaluar atë që (s)duhet të thuhet, në kushtet kur një e folur e tillë në një kor që reflekton ndarje, tani pas njëzetë e pesë vitesh, është më arsyeshme që të dy palët të heshtin.

Duhet të heshtni ju, (të dy palët) edhe për hir të pinjollëve të tuaj, (pinjollëve të të persekutorëve dhe të të persekutuarëve), të cilët sot nuk janë pesë apo dhjetë vjeç. Kanë njëzetë e pesë vite që ata dëgjojnë nga ju nostalgjitë apo plagët, mashtrimet apo të vërtetat, urrejtjen apo faljen, por ata nuk janë të ndarë si ju. Ata jetojnë në të njëjtin vend, kanë të njëjtat gëzime dhe brenga, ulen në të njëjtat kafe, vuajnë po të njëjtat halle të kohës, por njëkohësisht dëgjojnë po të njëjtat gjysmë mashtrimet dhe gjysmë të vërteta që u dhuroni ju. Ata të gjithë, pra edhe pinjollët e persekutorëve por dhe të persekutuarve, kanë lindur në një kohë tjetër dhe tani kjo kohë është kohë e tyre, por duke qenë se kjo shoqëri ka humbur hierarkinë e kujtimeve dhe vlerave, truri i tyre helmohet po njëlloj nga amalgama e kujtimeve tuaja. Ju duhet t’i lini që ata ta mësojnë vetë të kaluarën, ta mësojnë ashtu siç dinë ata, thjesht si kujtesë dhe kulturë dhe jo si armë vrastare e nxjerrë nga sëndukët tuaj të urrejtjes. Ju duhet të heshtni pra edhe që t’i lini ata të mendojnë vetëm për të ardhmen e tyre.

Nuk është fjala se ju duhet të heshtni thjesht për faktin se kjo shoqëri është e pafuqishme për të ndaluar gjysmën tuaj për të mos folur më, por e folura juaj në tërësi, i ka kaluar caqet, prandaj është koha që pas njëzetë e pesë viteve, tani duhet të heshtni.

Nëse ende shtypi ju joshë të flisni, nëse dikush ju nxitë që të flisni ende, kjo do të thotë se ata ende duan t’ju mbajnë peng të së kaluarës suaj. Gjeni forca dhe çlirohuni nga nostalgjitë, apo plagët tuaja!

Share This Article
9 Comments
  • Linda e u rrita me propaganden komuniste anti-zogiste e anti-balliste si e keqa e gjithe te keqijave qe pesoi Shqiperia e shqiptaret ne te shkuaren , u behej reklame jetes se lumtur nen udheheqen e partise ne krahasim me 38-en e monarkise zogiste , avazi vazhdon dhe sot pas 90-es me po kete psikologji qe çdo gje e krahasojme me sistemin e vdekur komunist , me ka munduar gjithe keto 23 vite dhe sot ne mergim kjo menyre jetese me te ecurit me koken pas , ju jumte artikull shkrues per kete thirrje qe te leme rinine te jetoje jeten e saj pa keto metastaza kancerogjene te brezave te rritur me te shkuaren , duhet te zhduket sot ne demokraci lufta e ndyre e klasave si barikade per te aedhmen e vendit larg termave te dale mode te te shkuares si persekutore e te persekutuar , rinise se sotme nuk ju vlen kjo psikoligji arkaike alla-shqiptarçe pas çerek shekulli . Zoti ABILAJ ju lume mendja e dora per kete shkrim domethenes e shume aktual , ju faleminderit nga zemra .

  • Kur mungon drejtesia, shnderrohen kriminelet dhe viktimat ne bashkfajtore dhe bashkevuajtes te besdisshem.Drejtesia e vertete do te fillonte nga ish kryetari i PD,qe duhej te denohej per burgosjen e Hysen Shoshorit dhe internimin e nje familje mjekesh.
    I lumte,i futi keta te sakatuarit nga lufta e klasave ne nje beteje tte fituar ne tavoline kunder intelektualeve themelues te PD,qe i quajti mocioniste,nen masken e luftes kunder komunizmit.Te luftuar qe i bete komunizmit o Reshat Kripa,!Rrenjet i nxorret!Ju terhoqi komunisti per hundesh ne konfliktet qe sajonte brenda partise se vet.

  • Kur te Akuzojne, Heshtja eshte DOBESI! Debati, Ballafaqimi me argumenta eshte DOMOSDOSHMERI! Historia Pasqyron REALITETIN ne periudha te caktuara. Pohimi e Mohimi jane bashkeudhetar.

  • Për pesëdhjetë vite na ngeli ora në vitin 1938, ndërsa tani për 25 vite në ato që themi, vazhdojmë të mos bëjmë asnjë hapa pas viti 1990. (artikulli)

    … fjale-per-fjale (!!) keto mendoj sa here shikoj gjera te tilla. Bravo, e ke thene shume mire, keto “kujtues” me mire te heshtin tani; populli ka nevoja dhe probleme imediate.

  • Pikerisht o miku tim i dashur ,eshte qe ne si popull shume i vonuar,nuk dime te ndajme
    torturusin nga te torturuarin.Nje here leshohemi te gjithe per te torturuar ,pjesen e vogel
    Dhe heren tjeter bashkohemi me nje pjese te torturuseve,per te torturuar,pjesen e vogel.
    Nuk i shton as nje presje armiku i demokracise { Demokracise dhe lirise } pershendetje.

  • Per sa kerkohet prej gazetarit te ktij shkrimi ,qe persekutoret dhe viktimat e tyre /persekutuaret/ te heshtin ,kerkohet qe ne mes tyre te jete ligji sepse persekutoret per te ruajtur privilegjet konvertuan bindjet u shnderruan ne eksponent te partive te majta dhe te djathta ,cka do te thote se i kemi :
    Ne Parlamente?
    Ne Qeverisje Vendore-Qendrore?
    Si dhe ne Institucjone te tjera ?
    Ne kto kushte, te persekutuaret e sistemit komuniste vazhdojne te mbeten te tille …?!
    Ne kte kuptim .
    Persekutoret nuke munde ti binden autorit te ktij shkrimi.

  • Nuk keni te drejte zoti Habilaj.

    Persekutoret flasin per te mbuluar krimet e per te justifikuar 50 vitet e turpit shqiptar. Nuk duhej te flisnin dhe gazetat nuk duhej ti botonin, ne se nuk e bejne ende kete qe te mbrojne te shkuaren.

    Te persekutuarit flasin qe historia te njihet e te mos perseritet. Duhet te botohet me mire dhe jo per hakmarrje dhe vetem fjala e tyre.

    Nuk ka barazi ndermjet tyre dhe as te drejte te njejte perkrahje nga gazetat.

  • – Mendoj qe shkruesi ka te drejte ! Ky shkrim vlen per rastet kur ka patur histori politike dhe ndeshje kundershtaresh politik. Pra mes komunizmit,ballisteve,zogisteve,klerit,dhe raste te ngjashme.Historia ka mjaft shembuj,marrim Spanjen fashiste te Frankos,pas 40 vjet diktature fashiste Spanja arriti te kapercente problemet kjo dhe ne merite te drejtuesve politik dhe Mbretit.
    Shqiperia ka qene 1 milion ne 1945.Konflikti politik pothuajse mori fund rreth 1960.
    Shqiperia ishte 3 milion ne 1990,.Shkruesi i artikullit nuk arrin te sqaroje vashdimesine e persekutimit ne Shqiperi,sepse numri me i madh i te denuarve eshte ai i komunisteve te denuar nga komunizmi.
    – A do vashdojne te kalojne perpara Enver Hoxheve ,Ramiz Alive,etj me barren e akuzave te armikut e agjentit e poliagjentit Mehmet Shehet,Kadri Hazbijte,Tuk Jakovet,Todi Lubonjet,Beqir Balluket etj,etj,
    – Ne cfare pozicioni eshte sot politika kryesisht e majte per keto ngjarje percaketuese ?

  • Ka deshire te mire paqetimi, ne kete shkrim, por…

    Por autori ndjehet qe sakrifikon edhe aresyen e logjiken e tij…

    Nuk ka ndodhur drejtesi ne kete vend, ish komunistet dhe ish te persekutuarit kane mbetur te zhgenjyer, pa te drejte te artikuluar, Shqiperia nuk eshte kthyer ne shina te ligjit e drejtesise per prone, dinjitet dhe prosperitet kombetar.

    Habili gjate tere shkrimit rreket t’u ike fakteve.
    Deshira e qellimi i mire i tij, nuk mjaftojne…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *