Përsëri papritur

redaktor

Dhunë në stadium. Përsëri. Papritur e pakujtuar, në fakt, prandaj edhe FSHF-ja e policia u kapën të papërgatitura. Ndodhi papritur, ashtu siç ndodhi papritur e pakujtuar edhe herën e kaluar. Edhe herën para saj. Madje, çdo herë që ka ndodhur, mesa mbaj mend unë, FSHF-ja dhe policia janë gjendur të papërgatitur e të surprizuar sepse ka ndodhur… papritur e pakujtuar.

Çdo herë… sa shumë herë!

Këtë herë e papritura bujti në Shkodër.

Dikush u godit në kokë, dikush provoi thikën. Të tjerë u dhunuan. Për fat të mirë askush nuk humbi jetën. Por, sa kohë do na mbrojë ky “fati i mirë”? Fati dhe shpresa janë lodhur mjaftueshëm me ne.

Me siguri, një ditë nuk do na i hapë më derën.

Në fakt, kjo e papritur e vazhdueshme në stadiumet tona ka shume kasnecë që e njoftojnë se është duke ardhur. Janë të njohurit tanë të vjetër këta kasnecë:

– Kultura, që i mungon një pjese të tifozerisë

– Stadiumet, gërdalla acaruese

– Administrata klubesh, që vetëm i hedhin benzinë zjarrit të dhunës

– Korrupsioni, që nuk ka munguar të hyjë dhe në këto dyer

– Paaftësia e FSHF-së, aq e vjetër sa zoti ka harruar ta marrë

– Përgjumja e policisë, që e ka memorien një-përdorimshe

– Legjislacioni, me shume stola bosh në pritje.

Duke qenë një problem kompleks, me kaq shumë kasnecë njëkohësisht, patjetër që kërkon edhe zgjidhjen po kaq komplekse e njëkohësisht në disa drejtime.

Këmbanat duhet të bien që gjithkush ta kuptojë se filloi puna për ndryshim! Momenti ka ardhur për ta zgjidhur njëherë e mirë.

Ose, të paktën ta shtrojmë për zgjidhje, se nuk duket të jetë në asnjë axhendë sot për sot. Sepse, ky problem, që duket anësor përpara shumë problemeve të tjera që ka shoqëria jonë për të zgjidhur, nëse shfaqet, ashtu papritur, është si cunami që nuk mendohet se kë përfshin me vete, të mëdhenj e fëmijë, të kulturuar e huliganë, tifozë e jo tifozë.

Sepse ajo masë e madhe njerëzish të marrë që pamë dje nga ekranet, nuk dihet se ku e gjen digën…

Dhe, nëse kjo ndodh, do jenë problemet e tjera që do duken minorene përpara këtij problemi. Sepse jeta e cilitdo do të vihet papritur në rrezik.

Sigurisht që nuk mund të pretendojmë zgjidhje emergjente për stadiumet-gërdalla, kulturën e munguar dhe korrupsionin, që janë çështje që kërkojnë një strategji afatmesme për të pasur një zgjidhje përfundimtare.

Ndërsa FSHF-ja dhe pjesa më e madhe e administratave të klubeve, që rregullisht mbajnë ndezur zjarrin e dhunës, në vend që t’i hedhin ujë, mbeten dy anë të të njëjtit problem dhe porsi dy enë komunikuese ruajnë të njëjtin nivel paaftësie e korrupsioni duke kutërbuar të njëjtën erë injorance përreth tyre.

FSHF-ja ka dështuar në mënyrë spektakolare vit pas viti, qoftë edhe ne reduktimin e problemit, pale me zgjidhjen e tij.

Nga natyra jam optimist në përgjithësi, por ky është një rast ku unë nuk shoh zgjidhje të paktën për një periudhë kohe afatmesme. Kjo edhe për shkak të statusit të FSHF-së dhe thellësisë së paaftësisë e injorancës që e ka përfshirë këtë institucion në çdo qelizë.

Atëherë, ajo që ngelet si shpresë e vetme për zgjidhje emergjente, që hera e ardhshme mos të vijë “papritur e pakujtuar” dhe që pas THJESHT NJË LOJE FUTBOLLI mos të kemi bilancin e një lufte guerile, është ndërhyrja e qeverisë nëpërmjet policisë dhe paralelisht plotësimit të legjislacionit efikas kundër këtij problemi.

Lipset që policia të krijojë data-bazën e vet të këtyre ngjarjeve e të mos gjendet më e befasuar kur këmbanat bien me të njëjtën muzikë, ndërsa plotësimi i legjislacionit për këtë problematikë duhet të jetë aleat i gatshëm i policisë.

Sepse, “Nuk është dëshira për të zbatuar ligjet ajo që bën që të gjithë të zbatojnë rregullat e shoqërisë civile ku jetojmë, por frika e dënimit nga ligji”, thotë Paulo Cohelho.

Për të plotësuar legjislacionin e nevojshëm për zgjidhjen e këtij problem, mund të marrim si shembull Anglinë, ku nëpërmjet “Football Spectators Act” u ndalohet përgjithmonë hyrja në stadiumet e gjithë territorit kombëtar personave që janë skeduar qoftë edhe një herë duke ushtruar dhunë. Ose me “Football Offences Act”, që e autorizon policinë të arrestojë dhe të procesojë direkt ushtruesin e dhunës brenda dy ditësh. Dënimet janë nga gjobat e majme deri në 7 vjet burg dhe fotot e personave të dënuar publikohen në të gjitha mediat sportive dhe jo vetëm.

Këto ligje janë plotësuese për forcën e policisë, por ndërkohë, askush nuk e ndalon atë edhe sot të arrestojë dhe të çojë për ndjekje penale këdo që ushtron dhunë në stadium.

A nuk është po kjo polici që arreston dhe çon për ndjekje penale këdo që ushtron dhunë në rrugë, plazh, spitale, shkolla, lokale, etj.?

Stadiumi nuk ka pse të ketë status të veçantë kur ligji nuk i ka dhënë një hapësirë të tillë. Ai është pjesë e territorit dhe aty, si kudo, dhuna duhet të dënohet njësoj.

Nga ana tjetër, mendoj se ndihmon në reduktimin e problemit, detyrimi i menjëhershëm i klubeve që të vendosin kamera në të gjithë ambientet e brendshme apo të jashtme të stadiumit.

Mjafton që, pas një rasti dhune, policia të mundet të verifikojë personat përgjegjës, t’i arrestojë e t’i ndjekë penalisht, duke i dënuar aq sa Kodi Penal parashikon.

Ama, ta bëjë këtë!

Jam i sigurt që, pas dënimeve të para dhe publikimit të tyre në media shoqëruar edhe me fotot e të dënuarve, situata do të jetë shumë më ndryshe, kasnecët do vijnë gjithnjë e më rrallë, gjithnjë e më pak.

Do të ndodhë e njëjta gjë si me Ligjin Antiduhan.

Ligji Antiduhan ka qenë edhe në kohën e qeverisë së mëparshme, por ngaqë ajo qeveri nuk tregoi asnjë moment vullnetin dhe vendosmërinë për zbatimin de facto’ të tij, duhanxhinjtë tymosnin të qetë kudo, duke na e përplasur tymin në fytyrë, neve, qeverisë dhe Ligjit Antiduhan.

Tani ky ligj zbatohet! Pse?! Mos vallë nga dëshira për ta zbatuar? Sigurisht që jo. E kemi treguar që dëshira na mungon në këtë rast. Por kjo qeveri tregoi që ka vullnetin dhe vendosmërinë për ta zbatuar duke “goditur” me forcën e ligjit këdo që e shkel atë!

Edhe njëherë me Paulo Cohelho: “Nuk është dëshira për të zbatuar ligjet ajo që bën që të gjithë të zbatojnë rregullat e shoqërisë civile ku jetojmë, por frika e dënimit nga ligji!”

Pikërisht, për këtë e kam fjalën!

Share This Article
6 Comments
  • Me pelqejne shkrimet tuaja Ilir. Edhe pse jane te te gjitha fushave ke gjithmone argumentin dhe llogjiken e duhur bashke me menyren e te shkruarit. Urime. Nuk jam tifoz futbolli dhe fatmiresisht nuk shkoj ne stadium.

  • Kush polici do e zgjidhe ? Policet barkmedhenj qe hane fara e shikojne ndeshjen? Po ata tremben edhe kur bie bilbili i arbitrit jo me te kete dhune. Pa e dime sa gangstera jane shqipot kur ka shtet.

  • Mire e thua o Ilir, po une them qe asgje nuk ka per te ndryshuar. Me Armando Duken as qe behet fjale sa te jete ai. Po edhe Rama nuk me duket se ka nge te meret me kete pune tani se nuk do te perplaset me Duken dhe ajo qe do ndodhe eshte qe do vazhdojne tifozet te pelcasin koken me njeri tjetrin. Rama ne fakt premtoi qe do bente reform. Ja te presim.

  • Sado te bej pun policia po nuk u zhduken ata flliqsirat e fshf qe e kane prishur futbollin deri ne palc e provokojn nervat e tifozve nuk behet kjo pun.

  • Ore po a e pate ate policin plak qe kishte mbbushur pantallonat e me barkun te goja po ikte me vrap? Ai eshte nje nga cunat e Tahirit per rilindjen. Njesoj si ai qe iku me vrap kur u vra Santua. Mos i kerkoni policis te bej nje gje qe nuk e ben dot. Jepini ca fara luledielli qe mundesisht te jene te pjekura dhe aq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *