I nderuari zoti Thano. Para disa kohësh ju kam shkruar një lajm për peripecitë që heqin pensionistët për të marrë pensionin nëpër ato kioskat e shpifura që nuk krijojnë asnjë kusht. Sot po të bëj me dije për një “thagmë” tjetër po nga Instituti i Sigurimeve. Para pesë vjetësh a më shumë, gruaja ime doli në pension.
Pas shumë peripecive me dokumentat, më në fund erdhi dhe dita e shumëpritur, i doli pensioni. Por në finale na doli një pengesë “e voçkël”. Mungonin librezat e pensionit. (Për sqarim, libreza është një copë karton i zakonshëm me disa të dhëna që të jep të drejtën të marrësh lekët). Nejse, atë e zgjidhëm duke paguar “diçka të vogël” nën dorë dhe mundëm të gjenim një librezë.
Por rasti e solli që pas kaq vitesh të dal dhe unë në pension. Mbarova procedurat dhe kur erdhi momenti final na doli që përsëri… nuk kishte libreza. Vajza e sportelit ma zgjidhi këtë punë duke më dhënë një fletë format A4 në vend të librezës. Kështu dhe me të tjerët. Tani pyetja shtrohet me të drejtë: Kaq fukara është Instituti i Sigurimeve sa të mos ketë aq lekë sa duhen për të blerë karton për libreza?
Fundja le te na i japë me lekë sa të jetë dhe të mos na lënë që çdo muaj me fletë format të vemi në arkat e pensionit. Përveç se moskokëçarje dhe indiferencë, ky problem nuk ka emër tjetër.
Letër e nënshkruar
Adem Ciceri
