Përshtatja e legjislacionit me BE-në/ Përgjysmohen pagesat për ekspertët

Dita

Qeveria ka vendosur të ulë me 50 për qind pagesat e ekspertëve të jashtëm që punojnë për përshtatjen e legjislacionit të Shqipërisë me atë të Bashkimit Europian. Përmes ndërhyrjes në udhëzimin e vitit 2009, ku parashikohet masa e pagesës së personave që janë të përfshirë në procesin e përshtatjes së legjislacionit, qeveria ka barazuar pagesën e ekspertëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm.

Më parë, një ekspert i jashtëm paguhej 400 lekë për çdo faqe të shqyrtuar prej tyre ndërsa me ndryshimet e ndërmarra në udhëzim pagesa do të jetë 200 lekë për çdo faqe të shqyrtuar. Ky ndryshim vjen në një kohë kur qeveria po përshtat strukturat për t’i përgjigjur fazës së re të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Procesi i negociatave për anëtarësim parashikohet të jetë një proces intensive dhe voluminoz pune dhe do të kërkojë angazhimin e shumë specialistëve të administratës shqiptare. Për këtë qëllim janë krijuar edhe strukturat e posaçme. Një strukturë e re që krijohet është ajo e komisionit me ekspertë të jashtëm pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.

Ky komision do të asistojë të gjitha strukturat e tjera në hartimin e akteve ligjore e nënligjore, si dhe dokumenteve të tjera ligjore që i shërbejnë procesit të negociatave. Në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave parashikohet edhe ngritja e dy strukturave të tjera në të gjithë institucionet e vendit; rrjeti i njësive të integrimit europian, si strukturë e veçantë dhe rrjeti i njësive të hartimit të legjislacionit, në përbërje të të gjitha ministrive.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *