Nga Kesiana Lekbello
Izolimi, i cili ka filluar mbarë jo vetëm në Europë por edhe ne disa shtete të Amerikës, na vendos të gjithëve përpara një stresi dhe një sakrifice të re, të pamenduar më parë.
Dita e parë duket e gjatë, nuk mbaron kurrë; e dyta akoma më tepër; e treta fillon të të acarojë; dita e katër të plogështon, fundi i javës… Jo, nuk ndjehet më fundi i javës…
Çdo ditë fillon e të duket njësoj. Je i detyruar të gjesh paqen me izolimin.
Nuk ka rrugë tjetër për t’iu shmangur armikut të padukshëm.
Nuk është një abstrakt filozofik, është një konsideratë e pakundërshtueshme: virusi që po luan me jetën tonë po na mëson vlerën e vërtetë të lirisë.
Për ta sfiduar virusin këtu në Itali çdo darkë dalim nëpër ballkone dhe këndojmë, “përqafohemi” nga larg, “puthemi” nga larg.
E dimë fort mirë: Njeriu përshtatet, trasformon ambjentin ku jeton, mësohet dhe kërkon të mbijetojë.
Ndoshta fytyra nis transmeton melankoli, madje edhe zëri ngadalësohet me kalimin e kohes.
Por më besoni, nga “çmenduria” e ditëve të para të izolimit, kalohet shumë shpejt në ditët e mençura të izolimit. Izolimi kalon në plan të dytë përpara dëshirës për të jetuar. Edhe brenda mureve të shtëpisë.
Mendonim që epidemitë i përkisnin historisë, por jo.
Brenda këtij izolimi disa mund të rigjejnë edhe vlerën e familjes.
Të parët që do të ndjejnë izolimin janë fëmijët, që do t’ju pyesin vazhdimisht: Kur do të mund të dalim jashtë. Si mendoni t’u përgjigjeni? Gjithësekush mund të gjejë përgjigjen që më mirë i përshtatet, por askush nuk duhet të kërkojë “fajtorë” e të fajësojë dikë.
As t’i gënjejmë. As ata më të vegjlit nuk i meritojnë gënjeshtrat tona. Aq më tepër që brënda mureve të shtëpisë, ditë mbas dite, çdo emocion bëhet më i dukshëm, nuk mund ta fshehësh.
Edhe fëmijët adoleshentë dikur e kuptojnë gjendjen, me qetesinë që kërkon situata le t’u shpjegojmë mirë e qartë përgjegjësitë dhe sakrificat. Dhe të ndajmë me ta përditë atë për të cilën sot kemi nevojë të gjithë: Kurajon!
Forca, do t’ia dalim!
*****
Autorja jeton dhe punon në Itali