Personaliteti politik skocez David Urquhart (1805-1877) mbi shqiptarët

J L

Prof. dr. Refik Kadija

(Profesor Emeritus)

 

Shkrimtari, udhëtari, diplomati e personaliteti politik skocez David Urquhart bën pjesë në grupin e udhëtarëve britanikë që erdhën në trojet shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XIX. Ai lindi më 1 korrik 1805 në një fshat të vogël (Braelangwell, Cromarty) në Malësitë Veriore të Skocisë dhe u arsimua, nën kujdesin e nënës së tij të ve, në Francë, Zvicër dhe Spanjë. U kthye në Britani më 1821 dhe ndoqi studimet universitare në Kolegjin Shën Xhon të Oksfordit, por nuk arriti të diplomohej për shkak të vështirësive financiare. Për herë të parë udhëtoi në Greqi më 1827 për të mbështetur luftën greke për pavarësi. Ky udhëtim e çoi Urquhart-in edhe në disa troje të Shqipërisë. Pastaj, më 1831 u emërua me mision diplomatik në Stamboll për të zgjidhur konfliktin greko-turk për kufijtë. Në këtë kohë, në nëntor 1831 ai ndërmori udhëtimin e tij të dytë nëpër trojet shqiptare që e çuan deri në Shkodër. Më 1835 ai shërbeu për pak kohë si sekretar i ambadës britanike në Turqi. Që nga viti 1827 Urquhart-i kaloi një dhjetëvjeçar në Ballkan. Në dekadën që pasoi u muar kryesisht me publicistikë e botime të librave të tij. Ndërsa nga 1847-1852 ishte anëtar i parlamentit për Stafford-in në Anglinë veriore.

Më 1835 ai themeloi një periodik të quajtur Portfolio (Dosja) dhe në numrin e parë të revistës botoi një seri artikujsh mbi shtetin rus, të cilët bënë shumë përshtypje në opinionin publik. Më vonë Urquhart-i e akuzoi publikisht ministrin e jashtëm britanik Lord Palmerston (Henry John Temple) për marrje rushfeti nga Rusia. Këtë ai e shprehu në mënyrë të përsëritur në revistat londineze që botonte. Ndër autorët e rregullt të revistave të Urquhart-it ishte Karl Marksi, i cili i përkrahu plotësisht pikëpamjet e Urquhart-it për Palmerstonin. Personalisht, vetë Karl Marksi, në korrespondencën me mikun e tij Frederik Engels, e konsideronte Urquhart-in si ‘trajtë e një maniaku” për akuzat e tij kundër Palmerstonit dhe për admirimin që kishte për turqit. Në fakt Urquhart-i mbahet si shkrimtari turkofil kryesor i brezit të tij. Ai ishte përkrahës konseguent i çështjes turke në politikën e jashtme të Britanisë, shpesh në dëm të Rusisë dhe kundër saj, gjë që e futi në konflikt të drejtpërdrejtë me Palmerstonin dhe që i dha fund karrierës së tij diplomatike.

Nga viti 1864 deri sa vdiq Urquhart-i u detyrua për arsye shëndëtsore të jetonte në Klarens të Zvicrës pranë Liqenit të Gjenevës. Këtu ai u muar kryesisht me studimin e legjislacionit ndërkombëtar. Ai vdiq dhe u varros në Klarens më 18 maj 1877.

David Urquhart-i është autor i gjashtë librave. Me interes të veçantë për ne shqiptarët është libri në dy vëllime dhe 50 kapituj (me rreth 900 faqe)“Shpirti i Lindjes, ilustruar në një ditar udhëtimesh nëpër Rumeli gjatë një periudhe plot ngjarje” (“The Spirit of the East, Illustrated in a Journal of Travels through Roumeli during an Eventful Period,”), të cilin e botoi në Londër më 1838. Në Kapitullin XV të vëllimit I (f. 270-272) dhe në kapitujt XVI (f.202), XIX, XX, XXI (f, 277-318), XXII (f. 319-330) dhe XXIV (f. 336) autori trajton temën shqiptare, përshkruan udhëtimin e tij nëpër Shqipëri, përshkruan qytete e fshatra shqiptare, bën një përqasje mjaft interesante të malësorëve skocezë me malësorët shqiptarë në veshje, karakter, tradita e zakone dhe përshkruan në tërësi karakterin e shqiptarit në fillim të shekullit XIX.

Në këtë vepër Urquhart-i tregon se në nëntor 1831 ai e nisi udhëtimin nga Korfuzi në Sarandë dhe vizitoi Gjirokastrën, Tepelenën, Beratin dhe Kavajën. Synimi i këtij udhëtimi ishte të arrinte patjetër të vizitonte Shkodrën. Pasi humbi udhën, ra në Lumin Erzen të fryrë nga shirat e vjeshtës dhe u shpëtua nga një bari vllah, vazhdoi udhën për në Durrës dhe që andej për në veri derisa arriti në Shkodër. Përshkrimi i Shqipërisë në veprën e tij paraqet një vend të amullt, letargjik, që lëngonte nën peshën e një zgjedhe të stërgjatur të Perandorisë Osmane të sëmurë e që po shpërbëhej. Ai erdhi në Shqipëri në një kohë kur Ali Pashë Tepelena dhe pashalleku i tij nuk ishin më, por nuk ishte më as pashallëku i Shkodrës me Mustafa Pashë Bushatlliun. Ai shkruan me dhimbjen e një miku të sinqertë për rrënimin e qyteteve shqiptare.

Vëll.I. 23 kapituj (456 faqe)+ vëll. II. 27 kapituj (443 faqe) =50 kapituj, 899 faqe.

Vepra dy-vëllimshe e David Urquhart-it ka një strukturë disi të veçantë që ndryshon pak nga ajo e ditareve të udhëtimeve të bashkohësve të tij. Ai e ndërthur përshkrimin e udhëtimit të tij me komente e refleksione historike e kulturore dhe me përshkrim të ngjarjeve bashkohore. Ai bën një paraqitje të favorshme të shoqërisë e kulturës turke dhe të kulturës islame.

Vëllimi I me 23 kapituj e 456 faqe përfshin hollësira të jetës shoqërore, zakoneve dhe ligjeve administrative të 250 qyteteve e fshatrave që kishte vizituar autori. Në disa kapituj përshkruan me hollësi vështirësitë e të papriturat e udhëtimit të tij rrugë pa rrugë, nëpër fusha, male e lugina. Në disa kapituj të tjerë bën krahasime midis Britanisë e Turqisë në aspekte ushtarake dhe bën vëzhgime rreth ndryshimeve kulturore midis Turqisë dhe europjanëve, veçanërisht britanikëve.

Në kapitullin XV të këtij vëllimi autori, duke qenë se ishte vetë me prejardhje nga Malësitë e Skocisë, ka bërë një krahasim mbreslënës të malësorëve skocezë me malësorët shqiptarë, duke nxjerrë në pah mjaft cilësi e tipare karakteri të përbashkëta. (Në fakt, ngjashmëritë midis malësorëve të këtyre dy vendeve i kishte konstatuar përpara Urquhart-it edhe një skocez tjetër i famshëm – pikërisht Lord Bajroni). Në faqet 270-272 Urquhart-i shkruan: “Ka një ngjashmëri të mrekullueshme (të jashtëzakonshme) midis shqiptarit dhe malësorit skocez.  Bajraktarët, si kryetarët e lashtë të fiseve kelte, mbajnë kurdoherë gërshet të gjatë; në brez mbajnë kobure, në ije shpatën, kurse pushkën e gjatë hedhur mbi sup. Ndonëse nuk janë të ndarë saktësisht me emër në klane, lidhja fisnore është e rëndësishme dhe të dy tregojnë përkushtim të barabartë ndaj kryetarit ‘bukën’ dhe ‘kripën’ e të cilit hanë. Mbështetës të kryetarit në fushë, pishtar-mbajtës në sofër, përballim i lodhjes, vështirësive e sakrificës; një jetë e tërë kaluar nëpër luftra të përhershme; emri dhe kostumi i tyre, veçanërisht ‘fustanella’ apo ‘kilt-i’; dhë më në fund, por jo më pak e rëndësishme, trubadurët (balladirët), të cilët ata i quajnë ‘rapsod’ (bardi) – këto janë tiparet të cilat i bëjnë thuajse të njëjtë me të bijtë e Albinit (Skocisë). Krahasimi ishte gjithnjë subjekt interesant bashkëbisedimi. Ndonëse respekti i tyre për Anglinë ishte i përzier me njëfarë doze frike dhe mospëlqimi, ata dukeshin kenarë për ngjashmëritë. Ajo mendjemprehtësi, e cila është më tepër një përzierje sesa njohje me njerëzimin, është jashtëzakonisht e zhvilluar në të dy popujt; ashtu siç është edhe ajo dashuri për aventurë dhe hamendësim, e cila i shpërndan këto dy popullata të pakëta sa majtas djathtas, në lindje, perëndim e jug, në të katër anët e botës: me të njëjtën dashuri për shtëpinë, ata të dy kthehen përsëri ‘në veri’ për të kaluar muzgun e ditëve të tyre dhe për të shijuar kursimet e jetesës së përkorë dhe frutet e punës së tyre….Shkaku më imediat i zhvillimit të mendjes së skocezit ka qenë ushqimi i pasur që ka marrë nga letërsia e Anglisë dhe mjeti i fuqishëm që zotronte në gjuhën angleze. Shqiptarët janë njëlloj si skocezët e para dy shekujve në numra e sipërmarrje, por ua kalojnë skocezve të atëhershëm për sa i takon hapave të para mendorë që bën një popull, domethënë – një njohje e gjeografisë; mirëpo ata nuk kanë letërsi: gjuha e tyre nuk është gjuhë e shkruar. Turqishtja është i vetmi mjet mësimi dhe letërsia turke i vetmi mjet qytetërimi që u mundësohet shqiptarëve, si dhe shumë fiseve muslimane të shpërndara nëpër Afrike dhe Azi. Ajo gjuhë, megjithëse aq e pasur në tonet e saj, aq filozofike në strukturën e saj, për fat të keq është rënduar, është bërë e pavolitshme nga imitimi i arabishtes dhe persishtes, si dhe nën veprimin e një politike dhe opinioni të letërsisë turko-europjane, nuk ka denjuar që të marrë nga ne.” Dhe autori e përfundon kapitullin, njëkohësisht vëllimin I, me fjalët “U largova nga ky popull i ashpër me një ndjenjë keqardheje dhe nuk mund të mos i hedh sytë mbrapa për t’i parë ata jo vetëm me më shumë interes. Thuajse nga secili prej atyre me të cilët kam pasur kontakt, kam provuar dashamirësi; ndaj shumicës prej tyre i jam mirënjohës për mikpritjen. Kam marrë shumë mësime prej tyre për të respektuar ato gjëra për të cilat kam ndjerë detyrim që të interesohem; shumë nga opinionet që vlerësoja më shumë atëherë më janë sugjeruar nga komunikimi me ta. Lindja, pas këtij ekskursioni, dukej më pak se një kaos sesa ishte dukur më përpara.”

Në kapitullin XIX tëvëllimit II (f. 307-308), pasi i ndan me njëfarë shtrirjeje gjeografike tri krahinat e shqiptarëve (duke pasur një koncept mjaft të qartë të këtyre tri krahinave) – (1) Çamërinë me kryeqendër Janinën, (2) Toskërinë bashkë me Labërinë dhe (3) Gegërinë, David Urquhart-i bën një përshkrim të hollësishëm të veshjes së shqiptarëve të Gegërisë. Për fustanellën ai përdor fjalën shqipe (‘fustanel’) dhe jo fjalën anglisht (‘kilt’): “Gegët janë më veriorët e tri ndarjeve të përgjithshme të shqiptarëve – e para, në jug, e quajtur Çamëri, kryeqendra e të cilës është Janina; e dyta, e përbërë nga Toskëria, Labëria e të tjerë, shtrihet deri në Berat; e treta, nga Berati deri në malet e Malit të Zi dhe Bosnjës, përbëhet nga Gegët. Këta të fundit, ndonëse flasin një dialekt të shqipes (Skipt), ose ‘Albanian’, kanë gjurmë të forta të sllavishtes, ndërsa në jug, ndikimi i Greqisë ka predominuar më tepër.

Gegët kanë një kostum të veçantë: ata veshin fustanellën, ose një fund (‘kilt’) të gjatë të bardhë; mirëpo xhaketa e shkurtër e shqiptarëve të jugut është zgjatur tek ata në një fund që zgjatet poshtë deri në skajet e fustanellës dhe është e lidhur në bel në mënyrë që ta mbulojë krejt fustanellën nga mbrapa. Ngjyrat që ata përdorin janë e kuqja e thellë dhe e purpurta; dhe këto ngjyra, bashkë me kësulat e tyre të kuqe, me fustanellat e bardha, dollakët e kuq dhe jelekët e qëndisur me ar i japin pamjes së tyre një pasuri dhe shkëlqim, veçanërisht kur janë të mbledhur në grupe, që ia kalon në efekt, bile edhe kostumit më elegant të shqiptarit të jugut. Nuk kam parë kurrë gjë më të bukur se grupet e fëmijve. Bardhësia e lëkurës, edhe në fëmijëri, krijon një hijeshi të pandryshueshme nën ndikimin e përbashkët të maleve dhe veriut. Krijesat e vogla veshin, në miniaturë, kostumin formal të baballarëve të tyre; dhe ngjyra rozë delikate e faqeve të tyre harmonizohet me atë ngjyrë që mbizotëron mbi çdo ngjyrë tjetër në kostumin e tyre”.

Në vjeshtën e vitit 1831 Urquhart-i erdhi përsëri në Shqipëri, në një kohë të trazuar të kryengritjeve shqiptare anti-osmane të viteve 1830-të kundër Tanzimatit, reformave centralizuese të Sulltan Abdyl Mexhidit.

“Pasi kalova disa muaj në klimën e kthjellët të Perëndimit, disa muaj në shtretër të rehatshëm, nën çati të mbrojtura nga shiu, në rrugë të shtruara e të niveluara, me shëtitore të ndriçuara me llampa gazi, me mot të vranët e fytyra monotone, gradualisht më erdhën ndërmend, – së pari në gjumë, pastaj në ëndëra më sy hapur, qiejtë e ndritshëm e skenat emocionuese të Lindjes. Tani më erdhën lajmet e një mbledhjeje rishtas në Shqipëri, e një lëvizjeje të përgjithshme më në fund, e udhëhequr nga Pashai i ngathët i Shkodrës, si dhe mobilizimi nga Reshid Pasha i spahive e nizamve të tij ku ishin e ku s’ishin. Thëngjijtë e zjarrit që dukej se thuajse ishte shuar, kishin shpërthyer sërish dhe përsëri ishte në dorë të Perandorisë Osmane që të bënte çmos për t’i futur gjërat në binarë.

Pas një mëdyshjeje disaditore midis prirjes për t’u nisur dhe maturisë, më në fund e para doli fitimtare. Në nëntor 1831 u nisa papritmas për udhë; një fluturim i shpejtë dymbëdhjet-ditor më zbarkoi në Otranto. Duke lundruar nga Otrantoja për në Korfuz, me kënaqësi shpirtrore pashë përsëri malet e Shqipërisë; mirëpo fjalët nuk mund ta shprehin efektin emocionues të gjëmimit të papritur të artilerisë që më mirëpriti mbi valët e Adriatikut. Në Korfuz kishin vetëm një ide të përgjithshme për kryengritjen e luftën që lidhej me Shqipërinë, por nuk munda të marr asnjë informacion për gjëndjen e pozitën relative të palëve. Në fakt dëgjova për një disfatë katastrofike të Mustafa Pashës dhe për njëë rrethim të Shkodrës; miëpo artileria që kisha dëgjuar gjatë lundrimit më provonte se sfera e armiqësive ishte ende shumë e gjërë. Asgjë nuk e lëkundi vendosmërinë time, por duke pasur besim, si deri tani, në mikpritjen e palëkundur dhe simpatitë njerëzore të fiseve me dialekte të ndryshme të tokës së Shqiptarit, vendosa të hidhesha në bregdetin përball, dhe të zhytesha në mes të trazirave. . . . Mëngjesi i së nesërmes më gjeti në brigjet e Sarandës.”

Pasi viziton shpejt e shpejt Sarandën, Gjirokastrën, Tepelenën, Beratin, Apolloninë e Kavajën, vazhdon udhën për në Durrës. Kur arrin në Tepelenë sheh me keqardhje që vendlindja e Ali Pashës ishte katandisur si mos më keq. “Duhet t’i kujtoj lexuesit se ne e kishim lënë Gjirokastrën gjat udhës për në Shkodër. Arrita pastaj në njëvend, emri i të cilit të sjell ndërmend njëmijë kujtime të lidhura me të. Hyra atje me një ndjenjërespekti që një shqiptar do të ishte ndjerë krenar po ta shihte këtë tek një i huaj – ai vend ishte Tepelena, ‘Kruja’ e Skënderbeut të kohës sonë. Arrita atje nga jugu; bukuria e pozicionit dhe efekti i kështjellës kishin marrë fund.  U ndesha menjëherë përball një grumbulli rrënojash…. Tepelena krenare e dikurshme tani strehonte vetëm njëqind e pesëdhjetë familje shqiptare dhe tetë familje greke. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo sasi rrënojash e shkretimi, trupat turke që ishin grumbulluar atjeishin vënë në punë për të bërë rrafsh me tokën fortifikimet e kështjellës…. Kur u largova nga ky vend, pasi na çuan me trap në anën tjetër të lumit, u ktheva nga Tepelena për t’i hedhur një vështrim të fundit të një të huaji mureve dhe kullave të saj”. (V. II, Kap. XIX, f. 298-299).

Gjatë udhëtimit, më 18 dhjetor 1831, në një natë me shi të dëndur humbet udhën, i ikën kali, bie në Lumin Erzen të fryrë nga shirat, bëhet qull nga koka te këmbët dhe pret gjithë natën derisa në mëngjesin e 19 dhjetorit e shpëton një bari vllah. Arrin në Durrës, ku “për herë të parë dëgjon për Mehmet Aliun,” guvernatorin shqiptar të Egjiptit, dhe mëson nga një informator i Portës së Lartë se ai “ishte i lidhur me çështjet e Shqipërisë”. (f. 323). Pasi jep një përshkrim të Durrësit duke u mbështetur te Marin Barleti, nxiton për të realizuar qëllimin e tij kryesor të udhëtimit: për të vizituar Shkodrën. “Durazzo (Durrësi) është një vend, rëndësia e të cilit ilustrohet nga ngjarjet historike me të cilat është i lidhur emri i tij. Barlettius-i (Barleti), historiani bashkohës i Skënderbeut, dhe i cili e kishte parë Dyracchium-in (Durrësin) në skenën përmbyllëse të dramës së Romës, e përshkruan kështu: ‘Dyracchium-i është më i lashti dhe më i fuqishmi i qyteteve bregdetare të Ilirisë, i fortifikuar nga natyra dhe i bërë i papushtueshëm nga arti. Ai që lundron aty pranë, kur hedh shikimin mbi lartësitë e mureve, mbushet jo vetëm me admirim, por edhe me frikë, sepse ai është i rrethuar nga shkëmbinjtë dhe deti, me përjashtim të vendit ku lidhet me tokën. Këtu është porti më i sigurtë dhe më i gjërë; këtu gjënden fushat më të bukura e më të bollshme, toka më pjellore, dhe bollëku itë gjitha gjërave – këtu gjënden ndërtesat e shënjtëruara, tempujt madhështorë e të shkëlqyeshëm; këtu shihen shëmbëlltyrat e mbretërve e perandorëve, si dhe monumentet e princërve të tyre të lashtë. Kolosi (Colossus ingens) i Hadrianit, i derdhur në metal, qëndron në një pozicion të lartë në Portën e Cavalha-s (Kavajës). Përveç këtyre, në perëndim kanë qenë arena ose amfiteatri, ndërtuar me art e bukuri të mahnitshme, dhe muret e përforcuara e të zbukuruara me kulla e vepra arti të shkëlqyera; por ai qytet është veçanërisht i shquar për kriporet dhe lehtësirat e zhvillimit të tregtisë. Kyështë Durrësi që pa senati romak dhe që ishte jo më pak i shquar sesa fatkeq nga luftrat e mbrendshme e gjakderdhjet civile; dhe në fund, madhështia e këtij qyteti kishte qenë – ipsa ruina docet.’[1](V. II, kap. XX, f. 314-315)

Nga Durrësi Urquhart-i kalon në Krujë, Lezhë e më në fund arrin në Shkodër.

(Shkodra dhe shkodranët, tablo nga Edward Lear, 1848)

Në veprën e tij udhëtari skocez shpjegon arsyet që e nxisnin ta vizitonte Shkodrën patjetër: “Vetëm dikush që i ka përjetuar luftrat e grekëve dhe shqiptarëve mund ta kuptojë ndjenjën me të cilën e gjeta veten në Shkodër. Atje, në kështjellën që supozohej se ishte e papushtueshme, e mbrojtur rretheqark nga male të pakalueshëm, banonte, pikërisht në kufijtë e botës turke, një prijës karakteri I të cilit ishte I mbështjellë me mister, por pushteti i të cilit ishte i padiskutueshëm, dhe përzgjedhja e të cilit dukej vendimtare në luftrat e ndryshme që e kishin trazuar vendin në jug. Pashai i Shkodrës konsiderohej nga të gjitha palët me radhë si aleat i tyre dhe të gjitha palët ia kishin frikën. Grekët nuk u lodhën kurrë në marrëdhëniet e tyre të rrënimit që kishin lënë gjurmë gegët e kuq dhe mirditorët e zinj; megjithatë, ata e pranonin që, nën ndikimin e tij të butë e atëror, i krishteri ishte i barabartë me muslimanin; dhe vërtet, të krishterët kishin formuar korpusin kryesor të ushtrisë së tij, të cilët e kishin ndjekur flamurin e tij deri në Greqi. Shqiptarët e konsideronin atë si kryetari dhe koka e racës së tyre, si prijësi më i fuqishëm i Turqisë, dhe familja e të cilit, për dyqind vjet me radhë, kishte mbajtur sovranitetin e tyre duke e sfiduar Sulltanin. Thuhet se, kur Mustafa Pasha i mblidhte pasuesit e tij, çdo top që binte nga muret e kështjellës së Shkodrës ishte një sinjal për t’u mbledhur njëqind burra nën flamurin e tij. Dhe rapsodët e Shqipërisë këndonin se si shtatëqind topa sinjalizues të gjyshit të tij Xheraldin Pasha[2],kishte mbledhur shtatëqind herë nga njëqind pasues, përkushtimi i të cilëve e kishte shpëtuar prijësin e tyre nga Veziri i Madh i Sulltanit, dhe vendin e tyre nga sulmet shkatërrimtare të boshnjakëve dhe serbëve ”. (Vëll. II, kap. XXI, f. 331-332).

Mustafa Pashë Bushatlliu (1797-1860) ishte sundimtari i fundit i oxhakut të pashallarëve bushatllinj, vazhdues, edhe pse me lëkundje, i luftës për autonomi të Pashallëkut të Shkodrës. Në moshë të re Mustafa Pasha arriti gradën e pashait. Përsa i përket admnistrimit të pashallëkut të vet i dha hov zhvillimit të bujqësisë: hapi kanale vaditës, duke shfrytëzuar ujin e Drinit, i dha rëndësi kulturës së orizit, pambukut dhe kulturave të tjera industriale e të drithërave. Në mënyrë të veçantë, i dha rëndësi të madhe institucioneve mësimore dhe krijoi një bibliotekë të pasur me shumw libra, jo vetëm fetarë, por dhe letrarë e shkencorë. Për këtë bibliotekë David Urquharti shkruannë librin e tij: “Ndërsa po shikoja kullat e rrënuara të këtij pashai rebel, thuajse nuk prisja fare që do të më pushtonin ndjenjat e nderimit të lartë e respektit që do të provoja një ditë për karakterin e tij të dashur e mendjen e tij të kulturuar. Është interesant të kundërvëmë përshtypjet e mia për të në atë kohë me ato të një periudhe më të hershme, kur, pas një mungese të madhe, ai më takoi me një përshëndetje vllazërore dhe më shoqëroi për në bibliotekën e tij për të parë një shumllojshmëri të shkëlqyer të librave në frëngjisht, të cilët, siç më tha ai vetë, i kishte vënë atje për të kapërcyer natyrën e tij të mefshët dhe për ta nxitur që të studionte gjuhën frënge duke i parë thesaret që posedonte dhe nuk ishte në gjëndje t’i përdorte”. Për këtë Urquhart-ivëshënimin e mëposhtëm:“Mustafa Pasha (1797-1860) kishte hapur në Shkodër për publikun bibliotekën e tij të vyer;  kushdo mund të huazonte libra , duke lënë një vërtetim për ato. Përpara se ta braktiste pashallëkun, ai krijoi ‘bibliotekën e Vakufit’ (për bamirësi) që ajo mund t’i dedikohej të njëjtit qëllim. Kur sulltani më pas i ofroi atij një pashallëk në Azi, ai iu përgjigj se do të kishte preferuar më tepër po t’i kishte dhënë detyrën e ruajtjes së një shtypshkronje”(kap. XXI, f. 332-333).

Mustafa Pasha iu kundërvu aktivisht synimeve ekspansioniste franceze në bregdetin perëndimor të Ballkanit. Mori anën e Portës së Lartë për shembjen e pashallëkut të Janinës, i trembur nga prirjet e Ali Pashë Tepelenës për të bashkuar nën udhëheqjen e vet të gjitha trojet shqiptare në një shtet. I dërguar nga Sulltani në Greqi më 1823, udhëhoqi një forcë prej 5 mijë ushtarësh shkodranë e 3 mijë mirditorësh kundër forcave greke të udhëhequra nga sulioti i famshëm Marko Boçari, por u mund në Karpenis, ndonëse në ato luftime u vra Marko Boçari. Pas vrasjes së Ali Pashës, Mustafa Bushatlliu u drejtua kundër politikës centralizuese të Portës. Më 1830 veziri Bushatlli u hodh në një kryengritje të hapur kundër sulltanit. Kjo kryengritje nuk arriti të përgjithësohej. Reshid Pasha, i biri i një prifti gjeorgjian, pasi vrau me dredhi e tradhti në Monastir 300 bejlerë shqiptarë përkrahës të Mustafa Pashës, e priti Mustafa Pashën me forcat shqiptare në kodrat e Babunës afër Veleshit dhe e shpartalloi.

Vaso Pashë Shkodrani e përshkruan rënien e Mustaf Pashë Bushatit kështu: “Pas rënies së Ali Pashë Tepelenës, Mustafa Pasha ishte sundimtari më i fuqishëm i Shqipërisë. Prandaj kundër tij u drejtuan forcat e Perandorisë. I verbuar nga ambicja, ai nuk deshi të priste goditjen e ushtrisë perandorake në krahinën e tij. U vu në krye të një trupe të madhe shqiptarësh, muslimanë e katolikë, dhe shkoi të ndeshej me vezirin e madh deri në Babunë (malin afër Veleshit, Maqedoni, R.K.) … Por pas një luftimi prej disa orësh, ai u mund dhe, i vënë i pari në ikje, tërhoqi pas vetes ushtrinë që e kishte ndjekur përtej kufijve shqiptarë.  Pasi arriti në Shkodër, Mustafa Pasha deshi të imitonte Kara Mahmudin. Ai zgjodhi një numër të caktuar ushtarësh nga më trimat e ushtarëve të tij dhe bashkë me ta u mbyll në kështjellë….. I rrethuar në kështjellë, ai përballoi për tre muaj e gjysëm një bombardim të tmerrshëm me një trimëri të pabesueshme për aftësitë e tij. Por në fund, për shkak të mungesës së ndihmave nga shkodranët, qe i detyruar të dorëzohej.”[3]

David Urquharti ishte i vendosur për të arritur në Shkodër, ndonëse, siç thotë vetë,  “kryengritja ishte shtypur plotësisht, pas një lufte të madhe midis Mustafa Pashës dhe Vezirit të Madh, afër |Prilepit, në të cilën i pari ishte mundur keq dhe ushtria e tij ishte shpërndar komplet. Mëgjithatë, Mustafa Pasha ende vazhdonte qëndresën në kështjellën e Shkodrës, ku, ndonëse ishte mesi i dimrit, Veziri i Madh vazhdonte rrethimin me të gjitha fuqitë që kishte. Bile ishte raportuar se kështjella e Shkodrës ishte dorëzuar, por ndonëse thashetheme të tilla ishin përhapur edhe më parë, njoftimet nuk kishin qenë të besueshëm. Prandaj isha i vendosur që ekspeditën ta drejtoja nga Shkodra, ndonëse ende shpresoja qëtë isha në kohë për të qenë dëshmitar i katastrofës përfundimtare të asaj tragjedie, për skenat më të hershme të të cilës kisha qenë aq shumëi interesuar. Sidoqoftë Shkodra ishte kulmi ijoshjes. Atje ishin Veziri i Madh, burrat kryesorë të gjithë Rumelisë, të mbijetuarit midis miqve të mi shqiptarë, si dhe jo më pak interesante se këto, vetë qyteti dhe kështjella e Shkodrës.”

“Por të lidhura me Kështjellën e Shkodrës ishin kujtime të tjera jo më pak interesante të ilustruara, siç dihet, nga heroizmi i një Loridanoje[4], dhe nga disfata e gjenisë ushtarake dhe dështimi i pompozitetit dhe fuqisë ushtarake të Mehmetit Ngadhnjimtar.” Këtu është fjala për dështimin e ushtrisë osmane të Sulltan Mehmetit II që më 1453 kishte pushtuar Kostandinopojën, por më 1474 nuk mundi ta pushtonte Kështjellën e Shkodrës.

Pastaj Urquhart-i jep një përshkrim të saktë të hyrjes së Shkodrës: “Kur i afrohesh Shkodrës nga jugu, si qyteti ashtu dhe liqeni janë të fshehur nga kurrizi i kodrave maja e të cilit kurorëzohet nga kështjella. Megjithatë ka një lagje periferike në jug që quhet “Kopështet” (“Bahçalleku”), ku janë të vendosura disa nga shtëpitë më të respektuara, të shpërndara midis kopështeve dhe nën hijen e një zabeli me pemë frutore dhe me gështenja të mëdha. Në skajet e kësaj lagjeje periferike ishin fortifikimet mbrojtëse, kurse midis tyre dhe rrëzës së kodrave, një fushë e vogël rreth katërëind-pesëqind metra rrethohej nga një bërryl i lumit Drin. Banesa e Reshid Pashës ishte hequr nga kjo lagje periferike, ku kishte qenë e instaluar përpara pushtimit të kështjellës. Qyteti, që shtrihej poshtë kështjellës në anën tjetër, midis asaj dhe liqenit, ishte molepsur nga kolera, kështu qëparija e qytetit ishin strehuar në ato pak shtëpi që kishin mbetur në këmbë dhe me një çati përsipër, në periferi të‘Bahçallekut’.”

Urquhart-i thotë se qëndroi vetëm dhjetë ditë në Shkodër, “por dy vëllime nuk do të kishin mjaftuar për të treguar me hollësi gjithë interesin për atë qëndrim atje” (f. 233-335).

Vëllimi II i librit “Shpirti i Lindjes” ka 27 kapituj që përfundojnë në faqen 443 me fjalët “Tani duhet ta përfundoj këtë ditar duke e lënë lexuesin në Shkodër…”.

(Shënim. Ky shkrim është marrë nga libri “Ali Pasha dhe shqiptarët në kulturën e anglosferës”, të cilin autori e boton në kuadrin e 200 vjetorit të vdekjes së Ali Pashë Tepelenës.)

 

[1]“ipsa ruina docet” (latinisht) = e tregojnë rrënojat (madhështinë e qytetit).

[2]Ky emër nuk rezulton të jetë i gjyshit të Mustafa Pashës, por është thjeshtë një gojdhanë folklorike.

[3]Vasa, Pashko, “Skicë historike mbi Malin e Zi”, Stamboll, ‘Lajmëtari i Orientit”, 1872, Tiranë, 2019, f. 54.

[4]Antonio Loredan (1420 –1482) ishte anëtar i familjes fisnike veneciane të Loredanëve, guvernator i Splitit dhe i Moresë, si dhe një nga komandantëteforcave mbrojtëse gjatë rrethimit të Shkodrës më 1474.

Share This Article
3 Comments
  • Per cfare “Skiptaresh” flet o Kadi.
    Deri sa u hap shkolla (open Skolio) e pare shqipe kishte vetem dy Istitucione ato Greke dhe Turke.
    Ata qe luftuan per tu cliruar nga Osmanet nuk u moren ne considerate nga Fuqite e Medha se kishin se kishin si qellim dobesimin e Kombit Greko Ilyre dhe Epirote.
    Dhe keta ishin Epirotet dhe te ashtuquajturit Arvanitas.
    Nuk eshte rastesi Generali Telini te “vendoste” kufijte deri ne Preveze per Pashallekun turk te quajture Albania.
    Mos te harrojme qe Italia fashiste ne ate kohe kishte pushtuar Dhodheka Nisan 12 Isujt Greke me dobesimin e Perandorise Osmane ne 1912te dhe i dorezoi ne 1948en vetem se ishte humbes ne Luften e dyte boterore.
    Ata mbeshteten Deputetin turk Ismail bej Vloren,Frashellinjte,Hasanet,Tahsimet me qellim ta kthenin (sic e kane bere realitet) ne nje Protektorate te tyre.
    Keta ishin “Skiptare” qe nuk kishin asgje me kete Komb te Lashte?Kush i ndryshoi Emertimet e Kostantinopolis ne Nder te Perandorit Ilyre Megas Kostantinos ne Kostandinopolin?Apo Stamboll?
    Tripolis ne Tropoje?
    Adhrianopolis ne Edirne?
    Buthrotos ne Butrint?
    Alvanopolis ne Tirane?
    Petrulla ne Petrele?
    Thessaloniki Emri i Polis ne Nder te motres se Aleksandrit te Madh ne Selanik?
    Lisus ne Lezhe
    Emathia vend (land angl) Lindja e Prijesit te Epirit ne Mat?
    Agi Sarandes ne Sarande?
    Moskopolis ne Voskopoje?
    Argjirokastros ne Gjirokaster?
    A jini ne vete apo jo?
    Fuqite e Medha i kane mbushur Museumet e tyre me dorata tona Greke te Ilyrise,Epirit,Maqedhonise,Ionise ku eshte sot Turqia.
    Zone kjo historike e Lashte e Politizmoit ( Culture “shqip”) sa sioerfaqja e Frances ku kane lindur Filosofe,Shkencetare,Mathimatikane,
    Mrekulli (Miracle angl) te Botes etj.

    • Ah, Janullatos, Janullatos, çfarë ke bërë?! Lavazh truri si të këtij më sipër, që ka pësuar trauma nervore të pariparueshme! Vetëm varri e neutralizon mëndjen e këtij!

    • Dhe c’lidhje kishin keto me shkrimin e mesiperm mbi Urquhartin, Pellazgos? Do te bente mire leximi i shkrimeve te tilla, Erdokatran! Pastaj dashurine per Greqine mbaje, nuk i prish pune njeriu, por me pare lexo shkrime te tilla monografiko-historike, se te zgjerojne kulturen!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *