Ndërsa në Komisionin Parlamentar ka pasur debate, akuza dhe kundërakuza, e vetmja gjë e deklaruar nga ministri i Punës është se projektligji do të ridiskutohet, por nuk është dhënë asnjë përgjigje për bllokimin disamujore të ndarjes së pagesës
Pranvera Kola
Problemet me ndarjen e pagesave për personat me aftësi të kufizuara kanë ngjallur debate të ashpra në mbledhjen e djeshme të Komisionin Parlamentar të Punës dhe Çështjeve Sociale, ku është marrë në diskutim projektligji: “Mbrojtja dhe përfaqësimi i posaçëm i kësaj kategorie”. Përfaqësuesit e së majtës në komision kanë akuzuar Ministrinë e Punës si përgjegjëse për kushtet e vështira të jetesës me të cilat përballet kjo shtresë. Kjo për shkak të bllokimit disamujor të ndarjes së pagesës së aftësisë së kufizuar, e cila për qindra persona të kësaj kategorie është burimi i vetëm i të ardhura.
Ndërkohë që kritika të shumta janë lëshuar edhe për pengesat e shfaqura prej vitesh në aprovimin e një ligji që mbron të drejtat e kësaj shtrese, duke i hapur udhë ndarjes abuzive të fondeve të cilat nuk shkojnë në adresën e duhur. Duke vënë në dukje faktin se kjo kategori prej vitesh është lënë në mëshirë të fatit, deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, ka pohuar se pavarësisht detyrës që kanë, institucionet përgjegjëse nuk po u vijnë fare në ndihmë kësaj kategorie, e cila faktohet edhe me bllokimin prej katër muajsh të ndarjes së pagesës së aftësisë së kufizuar.
“Politikat tuaja përsa i përket personave me aftësi të kufizuara, jo vetëm që kanë qenë jo në ndihmë të tyre, por tani po i përdorni për efekt fushate”, deklaroi Gjermeni. Ndërkohë që Ministri i Punës, Spiro Ksera ka bërë të ditur se projektligji duhet të ridiskutohet për të qenë në përputhje me konventën e OKB-së për personat me aftësi të kufizuara. I pranishëm në këtë seancë dëgjimore ishte edhe kreu i shoqatës së personave me aftësi të kufizuar, Sinan Tafaj, që ka vënë në dukje se mungesa e ligjit ka favorizuar abuzimet në kurriz të kësaj shtrese, pasi shoqatat joqeveritare dhe biznese të ndryshme në emër te kësaj kategorie po përfitojnë miliona lekë me projekte.
Kundrejt kësaj problematike, shoqata e personave me aftësi të kufizuara ka kërkuar që të përfaqësohen vetë në vendimmarrje, ku çdo ndryshim ligjor dhe çdo lloj vendimmarrje e Parlamentit, qeverisë qendrore dhe vendore, nuk duhet të miratohet pa u konsultuar më parë me ekspertë nga shoqatat që mbrojnë të drejtat e kësaj kategorie.
Sipas Tafajt, në projektligjin e ri duhet të sanksionohet që financimet publike apo private t’u kalohen vetëm organizatave që drejtohen nga kjo kategori, në mënyrë që të frenohen abuzimet që po bëhen në kurriz të kësaj shtrese. Projektligji mbi mbrojtjen dhe përfaqësimin e posaçëm të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, do të shtrohet për diskutim në mbledhjen e javës së ardhëshme, ku do të shqyrtohet nen për nen.