Nga Entela Resuli
Në 8 Janar të këtij viti, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë festoi 25-vjetorin e themelimit. Atë ditë, qindra anëtarë të shoqatës u mblodhën jo thjesht për të festuar, por edhe për të diskutuar mbi problemet dhe prioritetet që kjo kategori duhet të ketë.
Arjan Hysa erdhi nga Belshi për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Ne biseduam me Arjanin për të njohur më shumë atë dhe punën që ai bën në qytetin e lindjes.
Në bashkinë e Belshit asistencën juridike për të gjithë qytetarët e kësaj zone e ofron ky jurist i verbër. Avokat Arjan Hysa, prej katër vitesh është në shërbim të qytetarëve me aftësitë e tij juridike. Që nga dita e parë, përkushtimi vazhdon të mbetet i njëjtë.
Ai tregon se përpara se të punësohej pranë këtij institucioni, ka ushtruar i lirë profesionin e avokatit dhe kishte krijuar një rreth njerëzish që besonin tek aftësitë e tij, pasi çështjet që kishte marrë në dorë kishin dalë me sukses.
Por, tregon se, “është hera e parë që në administratë punon një person me aftësi të kufizuara. Për mua ka qenë diçka e shkëlqyer nisja e punës pranë këtij institucioni”.
Të kalosh në duar shkresa, pikë së pari kërkon vëmendje. Përfytyroni pak se sa shumë vëmendje i duhet dikujt që ka humbur shikimin që në fëmijëri.
“Udhëhiqem nga optimizmi dhe këmbëngulja për të bërë më të mirën. Deri tani gjërat kanë ecur siç duhet edhe pse kam pasur probleme për shkak të mentalitetit në Shqipëri”, thekson Arjani.
“Paragjykimit ekzistojnë edhe në qytetet e mëdha e jo më në provinca të vogla siç është Belshi, por duke qenë i zoti në punën që bënë, arrin me më shumë mund se të tjerët, që të tregosh veten”- thotë juristi, i cili flet me bindje që diçka duhet të ndryshojë në tregun e punësimit. “Të gjithëve duhet t’u jepet një shans”.
Mungesa e dritës së syve nuk e ka penguar atë që të ndërtojë një familje e të bëjë një jetë normale. Arjani është edhe një bashkëshort i mirë për Siljanën. Ata janë një çift i zakonshëm, ashtu ndihen dhe ashtu jetojnë. Bashkëshortja e tij është një person pa aftësi të kufizuar dhe për të, që në momentin që e ka parë Arjanin, ka thënë se është njeriu i duhur.
I imagjinoni paragjykimet?! Të jesh një vajzë normale e të martohesh me një djalë të verbër!
Ata i kanë provuar paragjykimet në vetën e parë, por dashuria triumfon: “Edhe pse njerëzit habiten, Arjani arrin të bëjë çdo gjë vetë. Madje unë e kam edhe ndihmë në shtëpi. Kemi një jetë shumë të mirë”, thotë bashkëshortja e tij.
Avokati shprehet se ka dashuruar me sytë e shpirtit. Për bashkëshorten thotë me bindje se “është një vajzë shumë e bukur, bukuria nuk shihet, por edhe ndihet”.
Handikapi i avokat Arjanit nuk është i lindur, por një fatkeqësi dhe një shërbim mediokër shëndetësor. “E humba aksidentalisht shikimin. Kur isha 2 vjeç, duke qëndruar pranë zjarrit, diçka shpërtheu nga oxhaku dhe më dëmtoi sytë”, shpjegon avokati.
Gjatë këtyre viteve ka kryer shumë vizita, brenda dhe jashtë vendit, por asgjë nuk është bërë për t’i kthyer dritën e syve. E megjithatë, për të, shpresa nuk vdes kurrë. Pengu më i madh që ka në jetë është se nuk shikon dot teksa rriten dy fëmijët e tij, vajzën e cila është 6 vjeç dhe djalin 3 vjeç.
“Emocionohem kur kujtoj këtë detaj që në fakt e kam gjithë kohës në mendje, pengu im më i madh është të mos shoh fytyrat e fëmijëve të mi. E kam duruar me ndihmën e Zotit”, thotë Arjani.
Juridiku
Por, nga ka ardhur vokacioni për të ndjekur juridikun: “Seriali Oktapodi!”. Pa Korrado Katanin nuk do të kishim një nga juristët të diplomuar me notat më të mira nga Universiteti i Elbasanit. Dhe rezultatet e tij ishin të jashtëzakonshme që kur konkurroi në fakultet: “Kam konkurruar me kasetë. Më janë dhënë pyetjet, i kam regjistruar dhe i kam dhënë përgjigjet po me magnetofon. Kaseta ka shkuar tek komisioni më pas”.
Për sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuar ai thotë se, ende jemi në ato stade, që lipset të ketë një lloj sensibilizimi shumë të madh ndaj kësaj kategorie. Pasi vërtetë ata mund të kenë aftësi të kufizuar fizike, por kjo nuk do të thotë që ata nuk janë të aftë të integrohen në fusha të ndryshme të jetës.
“Këtë paragjykim e kam patur edhe unë dikur, madje në ballafaqimin e parë që kam patur me gjykatësen në gjykatë, ajo u habit dhe më tha: Ou, ju, jurist!? Dua të them që ekzistojnë paragjykime të mëdha. Kjo bën që këta njerëz të mos jenë të integruar plotësisht në institucione të ndryshme”. Pavarësisht gjithçkaje, Arjan Hysa thotë se njeriu kurrë nuk duhet të dorëzohet dhe ta lëshojë veten, në jetë mund të gjesh pafund copëza lumturie që të japin çdo ditë motiv për të jetuar.
*Në kuadër të nismës “Një vizion për punësim” të Qendrës Kombëtare të të Verbërve