‘Personi që rrëmbeu avionin në Gjermani nuk është shqiptar’, ka deklaruar Ministria e Jashtme e Kosovës.
‘Ai quhet El Halim Muslin. Ky person nuk është kosovar, madje nuk disponon as letërnjoftim të Kosovës’ , deklaron Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për gazetën “Zëri”.
Bashmir Xhemaj, këshilltar politik i ministrit të MPJ-së Enver Hoxhaj, ka thënë se kjo ministri në bashkëpunim me ambasadat e Kosovës jashtë vendit si dhe me autoritetet e huaja e sidomos ato gjermane, ka marrë informacion se ky person është paraqitur në katër vende të BE-së ku ka hyrë si në Portugali, Hungari, Gjermani dhe Holandë, si kosovar.
Por, Xhemaj tha se me angazhimin e organeve të këtyre vendeve dhe sidomos ambasadave të Kosovës është zbuluar se identiteti i tij nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën. Madje, ai ka thënë se edhe emrin e prindërve që ka dhënë dhe vendbanim nga vjen, gjoja në Prishtinë, nuk ekziston.
Të dhënat e gjendjes civile sipas Xhemajt, e demantojnë këtë që ka thënë ai tek autoritetet jashtë Kosovës. Ky person sipas të dhënave që ka siguruar MPJ, Xhemaj tha se nuk flet as gjuhën shqipe. Xhemaj ka theksuar se identiteti i plotë i tij është El Halim Muslin.
Muslin ka rrëmbyer aeroplanin e linjes Minhen – Budapest pasi nuk dëshironte të kthehej në Hungari, vendi i parë i shengenit ku ka hyrë ilegalisht. Kërkesa për azil e Muslim H. ishte hedhur poshtë para katër javësh, ndërsa rregullat e shengenit e duan që çdo person të kthehet në shtetin e parë të shengenit ku personi në fjalë ka hyrë ilegalisht.
