Përtej një homazhi për gazetarin e shquar Tashko Lako

Bora Basholli

Duke kujtuar një figurë të shquar të qytetarisë fierake me rastin e 90 vjetorit të lindjes

 Nga DHIMITËR SHTËMBARI

Në një nga ditët e fundit të korrikut të vitit 1972, ndërsa isha në hapat e para si redaktor në zyrën e gazetës lokale “Shkëndija” të rrethit të Lushnjes, hapet dera dhe përballë meje duket një burrë i bëshëm.

– Përshëndetje! Jeni duke punuar? – më drejtohet me një zë paksa të lartë.

– Po, – ia kthej. – Jam duke shkruar një informacion për punët e ditës në kooperativën bujqësore të Golemit…

Pasi i hodhi një sy materialeve që mbaja mbi tavolinë, vazhdoi:

– Besoj se keni qënë në Golem dhe keni marrë të dhëna të bollshme…

E shikova në sy, duke dashur t’i jap të kuptonte, se nuk e njihja. Me sa duket, ai e vuri re një gjë të tillë dhe nuk e zgjati më tej, por m’u drejtua:

– Unë jam Tashko Lako.

– O, ju jeni shoku Tashko?! – i drejtohem me respektin që meritonte ai njëri.

Ngrihem sërish në këmbë dhe e ftoi të më ulej më afër.

– Ku e kam Petritin?

Petrit Kraja ishte kryeredaktor i gazetës “Shkëndija”.

– Është në Divjakë për të parë nga afër kushtet e plazhit…

– Nuk dihet se kur kthehet. Unë po largohem, por prapë do të shihemi, sepse, sikundër mund të keni dëgjuar, jam korrespondent i gazetës “Bashkimi” për rrethet Fier e Lushnje.

Kjo qe njohja ime e parë me mikun tim të paharruar, Tashko Lako.

Pinjoll i një familjeje fisnike

Tashko Lako është lindur në gjysmën e dytë të janarit të vitit 1929, pikërisht më 17 të këtij muaj. (Para katër muajësh të këtij viti pat mbushur nëntëdhjetë vjet). Familja e tij, zbritur herët nga Voskopoja në Fier, është marrë kryesisht me tregti karburantesh. I ati, Stavri, pat qënë njëri i njohur në Fier e më gjërë për vet figurën e tij prej qytetari të emancipuar. Po kështu, edhe e ëma. Shkurt, Tashkoja rridhte prej një familjeje të fisnikëruar.

Mbasi mbaroi shkollën fillore e atë unike në Fier, në rininë e tij të hershme dërgohet të arsimohej në Shkollën Teknike të Korçës. Ndërsa ishte në vitin e tretë të kësaj shkolle, përfshihet në rrethet e nxënësve antifashistë. Dhe nuk do të vononte shumë, kur, së bashku me shumë të tjerë, do ta braktiste shkollën dhe do të nxitonte për t’u përfshirë në Batalionin Partizan “Semani”. Ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç kur do të vinte pushkën në krah dhe do të marshonte vendosmërisht e do të luftonte trimërisht kundër nazistëve gjermanë.

Kohë më pas do të rreshtohej në radhët e Grupit Partizan të Mallakastrës. Këtyre kohëve iu desh të mësonte në “shkollën” e luftës. Ishte një “shkollë”, mësimet e së cilës nuk do t’i harronte asnjëherë. Madje, me po ato “mësime” do t’i ngryste edhe vitet e fundit të jetës së vet teksa ishte në krye të veteranëve të LANÇ të rrethit të Fierit.

Mbas çlirimit të Atdheut kryen Shkollën e mesme Bujqësore të Fierit, më pas – fakultetin Politiko – Juridik të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe, në fund, edhe Kursin e Lartë të Filozofisë.

I kompletuar me arsimin e duhur për kohën, Tashko Lako, mbas një periudhe afro dhjetëvjeçare si mësues, i futet gazetarisë.

Një jetë të tërë vetëm në fushën e gazetarisë

Me dëshirën e mirë që të tregoj për shpirtin e pastër prej gazetari të talentuar, më duhet t’u kthehem kujtimeve vetjake:

– Kam gati për botim një reportazh, shoku Tashko, – i drejtohem në ato muajt e para si profesionist mikut tim gjatë një bisede të zakonshme.

Dhe ia dorëzoj në dorë, duke menduar se do të mund të më shprehte ndonjë sugjerim të vlefshëm.

Tashkoja e mori në dorë shkrimin tim, u ulë në kënd të zyrës dhe filloi ta lexonte. Mbas disa minutave, drejtoi sytë nga unë dhe…

– Mirë, o Dhimitër, mirë, por e mira nuk ka fund. Informacion ka, madje ka ca si tepër. Se nuk duhet të ngarkohet shkrimi me aq shumë shifra e fakte, se del si shkresë burokratike nga ato të seksioneve të Komitetit Ekzekutiv. Edhe dialogje njerëzish paska, sidoqë bëj kujdes që këto dialogje të mos të të japin përshtypje si muhabete të rëndomta.

Ndërsa fliste, më lexonte në fytyrë. Si duket, kishte merak se mos fyhesha.

– Reportazhi do edhe një çik letërsi, more Dhimitër. Besoj se e kupton se ku e kam fjalën. Dhe ti nuk do të mund ta kesh shumë të vështirë, sepse ke mbaruar pikërisht për letërsi…

Atyre çasteve miku im po më jepte një leksion, që nuk do t’ia harroja asnjëherë.

– Reportazhi do edhe një çik kripë e piper…

– Si ta kuptoj këtë, shoku Tashko?

– Gjej mundësinë të përdorësh shprehje të bukura, nga ato të popullit…

Qendroi një hop dhe vazhdoi:

– Reportazhi shpërndan jo vetëm lule, por gjenë rastin e mundësinë të hedhë edhe ndonjë gurë në “kokën” e atyre që drejtojnë ekonominë…

Ç’më tha, i vura vath në vesh.

Pa menduar, se edhe mund ta pësonte

Atyre viteve që Tashko Lako kontribuoi si korrespondent i gazetës “Bashkimi” u shqua si një gazetar me penë të rëndë. Në mënyrë të veçantë, ai mori emër si talent në fushën e reportazhit e të fejtonit. Drejtuesit e gazetës i druheshin ndonjë teprimi falë guximit që manifestonte ky gazetar nga Fieri.

– Shoku Tashko, ne të ekipit të qitjes kemi një shqetësim ta madh…

Kështu i qe drejtuar Ruzhdi Xhindoli, qitësi lushnjar, kampion kombëtar për disa vite.

– Kemi pasur një poligon të mrekullueshëm, ku bënim rregullisht stërvitje, por kohët e fundit, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit ky poligon është marrë nën administrim prej Shkollës së mesme të Përgjithshme “18 Tetori”.

– Ashtu?!

Dhe Tashkoja nuk u mjaftua me çka i tregoi Ruzhdiu, por shkoi e takoi edhe kryetarin e Komitetit të Fizkulturës e Sportit të rrethit. Madje shkoi edhe më lart; takoi e bisedoi edhe me një nga nënkryetarët e Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit që nbulonte sportin.

Mbas dy ditësh në gazetën “Bashkimi” u botua fejtoni “Të zestë qitësa ç’i gjeti! Varur dyfeku u mbeti”.

Me të lexuar fejtonin, Ruzhdiun e thirrën në Komitetin Ekzekutiv të rrethit.

– Ju e ndërsyet gazetarin për të na e qendisur në gazetë?!

– Jua sjellë këtu gazetarin dhe t’jua tregoj vet ai se kush e pat ndërsyer të botonte këtë fejton…

– Mooos! Ik dhe.. bëji të fala!

Në veprën e tij letrare spikasin tabani kombëtar dhe fryma popullore

Me prirje letrare që në rininë e hershme, Tashko Lako do ta kapërcente natyrshëm gardhin, nga gazetar – në shkrimtar.

Ishte vetëm njëzet e tetë vjeç kur botoi librin e parë “Si u bë qimja tra”. Dhe gjatë periudhës së tij të gjatë krijuese botoi mbi 40 vepra letrare. Mjaft prej këtyre janë të vlerësuara lart nga kritika e kohës. Madje, disa syresh kanë pas fituar edhe çmime kombëtare. Le të kujtojmë këtu se në konkursin kombëtar të vitit 1973 nderohet me çmim të tretë për krijimin “Stuhi në çitjanet e burrave”. Po me këtë çmim nderohet në vitin 1978 me krijimin “Shërbëtori i dy zotërinjve”, sikurse edhe në vitin 1979 nderohet me çmim për krijimin “Vau i rosave në gjolin e dëllinjave”.

Në vitin 2002 Shoqata Atdhetare – Kulturore “Myzeqeja” i dha çmimin “Pena e Artë” për gjithë veprën e tij letrare.

I pranuar në Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve të Shqipërisë që në vitin 1967, Tashko Lako do të ishte, ndërkohë, edhe një bashkëpunëtor i ngushtë i trupës së Teatrit “Bylis”” dhe i estradës profesioniste të Fierit. Skeçe e deri drama të tij do të viheshin në skenë dhe do të duartrokiteshin nxehtësisht nga artdashësit fierakë.

Të shumta do të ishin edhe botimet me temë nga historia. Si kryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ të rrethit të Fierit, ai do të botonte disa monografi, siç do të botonte edhe një Album, ku do të vendoseshin fotografi të shumta heronjësh, dëshmorësh e simbolesh të LANÇ të rrethit të Fierit.

Tashko Lako ka mbetur një përfaqësues i denjë i atij brezi të lavdishëm, që jo vetëm luftoi me pushkë në dorë, por që edhe e ngriti në piedestal gjakun e derdhur për çlirim.

Si humorist i lindur, qeshte, përqeshte dhe ngjeshte

I shquar për humorin e tij të këndshëm përmes fejtoneve të botuara në gazetën “Bashkimi”, Tashko Lako do të ishte i tillë, komik e sarkastik, edhe në shkrimet e botuara në gazetën “Drapër e çekan” të rrethit të Fierit. Sa kohë që qe kryeredaktor i këtij organi shtypi, rreth kësaj gazete provuan dhe kultivuan prirjen e tyre mjaft talente të rrethit të Fierit në lëmin e humorit.

Me ndryshimet rrënjësore politiko – ekonomike që ndodhën në vitin 1991 në vendin tonë, mbase dikush mendoi se Tashkoja e pat mbyllur ciklin e botimeve të veta, sidomos në fushën e humorit. Se të bësh humor natyrisht që do të të duhet të kesh edhe guxim. Mirëpo te Tashkoja nuk kishte mbaruar asgjë. Madje, tashmë u ndje edhe më i shpenguar. Nuk vonoi dhe nisi e vazhdoi të botonte gazetën e vet satirike “Nastradini i Fierit”. Në shëmbullin e vet, vuri të botojnë krijime humoristike mjaft bashkëpunëtorë të kësaj gazete. Mirëpo, edhe kjo shumë shpejt u vu në shenjestrën e atyre që viheshin në lojë prej humorit shpotitës dhe të këndshëm të botuesit dhe të  shokëve të tij.

Të po kësaj kohe janë edhe disa vepra letraro – artistike me frymë të hapur kritike. Një e tillë, që tërhoqi vëmendjen e lexuesit fierak, dhe jo vetëm të atij fierak, ishte libri “Nastradini i Fierit”, në të cilin autori vinte në lojë dukuritë politiko – shoqërore që nisën të mernin jetë.

Interesante, mbresëlënëse dhe therëse janë edhe fabulat dhe mikrofabulat e shumta që ka lënë në botime të ndryshme, të cilat japin mesazhe të qarta.

Jetonte edhe me dhimbjen e popullit kosovar

 Në mesmajin e vitit 2005 ndodheshim për një vizitë historiko – turistike në Kosovë. Drejtues i grupit tonë ishte shkrimtari Tashko Lako.

Mbasi vizituam Muzeun e Lidhjes Shqiptare në Prizren, u nisëm për në Gjakovë, ku na priste Prof. Shefqet Cahani.

– Pasi të vizitojmë Rrugën e Çarshisë, – iu drejtua profesorit drejtuesi i grupit tonë, Tashkoja, – do të nisemi për në Gllogjanë, ku do të vizitojmë edhe varret e Dëshmorëve të familjes Haradinaj…

Profesor Cahani na dëgjoi me vëmendje dhe na u drejtua:

– Nuk do të merni pjesë në solemnitetin që po organizohet tani në Pallatin e Sportit të lojërave me dorë?

– Për çfarë solemniteti e keni fjalën?! – e pyeti Tashkoja.

– Janë rreth 140 arkivolë me eshtrat e të masakruarëve nga sërbët, që, mbas nderimeve që do t’u bëhen në këtë Pallat Sporti, do të vendosen në Varrezat e qytetit …

– Patjetër që do të qendrojmë. Madje, edhe do të flasim.

Ndërsa ne, të tjerët, u futëm në një lokal për të pirë diçka, Tashkoja u hoq menjanë dhe përgatiti një fjalim vërtet prekës, që u mbajt brënda Pallatit të Sportit, para familjeve të të masakruarëve, fjalim që do të botohej të nesërmen në disa gazeta kosovare.

Në vazhdim shkuam te kulla e Haradinajve në Gllogjanë, ku bëmë homazhe në varrezat e vendosura në brinjë të kësaj kulle.

Fjala e Tashkos e mbajtur brënda kësaj kulle ishte vërtet rrëngjethëse.

Figurë e shquar e së majtës progresiste

Si anëtar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, padyshim që kryetari i komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit të Fierit, Tashko Lako, ishte nga më të dalluarit. Mjafton të themi, se ky rreth kishte dhe vazhdon të ketë një të shtatën e të gjitha gazetave “Kushtrim brezash” që shpërndahen në shkallë vendi.

Por Tashkoja ka qënë një figurë me peshë të rëndë edhe në fushën politike.

Kur në konferencën e Partisë Socialiste të rrethit të Fierit ish lideri historik i së majtës shqiptare, Fatos Nano, sugjeroi për deputet një emër të ri, natyrisht të nderuar, në vend të një ish deputeti, qe ngritur Tashkoja dhe pat sugjeruar që ish deputeti të kandidohej sërish, sepse ishte dinjitoz nga çdo pikëpamje. E tërë salla e pat duartrokitur. Atëhere Fatosi menjëherë kishte ndërruar mendim dhe i qe bashkuar sugjerimit të Tashkos.

Në takimin përmbyllës të fushatës së zgjedhjeve politike të para ca viteve, takim masiv i organizuar në Pallatin e Kongreseve, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, për të ilustruar forcën moralo – politike që sillnin socialistët perifrazoi një thënie të shkëlqyer të Tashko Lakos. E tërë salla e Pallatit të Kongreseve pat shpërthyer në duartrokitje.

Dhe rrugën e Tashkos e ndoqi në Fier në mënyrë dinjitoze i ndjeri Thoma Meço, sikundër vazhdojnë ta ndjekin edhe drejtuesit aktualë të komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit, shokët Vasil Toska e Miti Nito.

Tashko Lako në vlerësimin e shokëve të vet shkrimtarë e gazetarë   

Për krijimtarinë e Tashko Lakos janë shprehur figura të shquara të kritikës letrare, filluar nga Dritero Agolli dhe vazhduar me Razi brahimin, Koço Bihikun, Adriatik Kallullin, Dalan Shapllon e të tjerë.

Shkrimtari i shquar për fëmijë, i ndjeri Odise Grillo, është shprehur, se “Fabulat dhe mikrofabulat e tua janë si receta me ilaçe që u jep të sëmurëve mjeku…Në këtë mori fabulash dhe mikrofabulash ti e ke drejtuar majën e hostenit në hallet e dertet e njerëzve të ditëve tona, në prapësitë e marrëzitë e kohës në të cilën jetojmë…Në fabulat e mikrofabulat e tua ti ke sjellë edhe frymën e humorit popullor në përgjithësi e të trevave të Myzeqesë, veçanërishtë të Fierit”.

Pasi pat lexuar “Nastradinin e Fierit” gazetari i mirënjohur, Xhevdet Shehu, mik i të ndjerit Tashko, është shprehur: “ Ajo që duhet thënë pa hezitim është, se Nastradini i Fierit është tërësisht shqiptar, modern dhe evropian njëherësh…Dhe për çudinë e të gjithëve, këtë sivëlla bashkëluftëtar, Nastradin Hoxha e gjeti atje ku s’e priste; në një qytet të Shqipërisë, pikërisht në Fier”.

“Tashkua gatuan me brumin e magjes së vet…E njeh mirë gjuhën e gurrës popullore, veçanërisht ligjërimin e trevës së Myzeqesë, frazeologjinë e saj, urtësinë e saj. Dhe, në atë mori pasurish, si nikoqir i kujdesshëm, di të mbledhë e të shoshitë fjalën para se ta hedhë në letër” ka pas shkruar poeti Xhevat Beqaraj.

”Në veprat e Tashko Lakos bie në sy mprehtësia për të kuptuar disa probleme që në dukjen e parë janë të vogla”, “të rëndomta”, por që në esencë janë probleme të qenësishme dhe që kërkojnë aftësi e përvojë artistike për t’i trajtuar” ka pas shkruar studiuesi i njohur Kristaq Shtëmbari.

Ndërsa shkrimtari i njohur fierak, Nuri Plaku, ka shkruar: “Tashko Lako është pjesë e trinomit të njohjes së popullit të vet, krahas maleve dhe ujrave të tij të përhershëm. Është pjesë e përfaqësimit më dinjitoz të komunitetit tonë fierak. Ai bëhet porta shpirtërore e popullit të vet, tek e cila duhet të trokasësh për t’u futur në lëndinat dhe oazet e pasura me pafundësi”.

Tashko Lako ka qënë dhe mbetet një figurë e shquar e qytetarisë fierake.  Dhe është kjo arsyeja që është nderuar e meriton të nderohet edhe me të tjerë tituj të lartë.

Me propozim të Unionit të Shkrimtarëve të Shqipërisë, të Degës së këtij Unioni për Fierin dhe të Komitetit të Veteranëve të LANÇ të Fierit, Këshilli Bashkiak i Fierit i ka akorduar Tashko Lakos titullin e lartë: “Qytetar nderi i qytetit të Fierit” me motivacionin: “Figurë qëndrore e rëndësishme e kulturës së zhvilluar në qytetin e Fierit. Intelektual, mësues, shkrimtar dhe personalitet me kontribute të shquara në fushën letrare, të arsimit, të publicistikës, si dhe në atë historiko – sociale”.

 

 

 

 

 

Share This Article
3 Comments
    • Ju kane vdekur veteranet e LANC’it o Buzuk, dhe tani perpiqen t’i zevendesojne. Sepse shume nga keta pleqte qe jane ende gjalle kane qene “veterane” te diktatures dhe jo te LANC’it, dhe kane vrare shqiptare dhe jo gjermane.
      Neser do thone per ndonje 3 vjecar qe ka luftuar edhe ai gjermanin me gure e llastiqe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *