Në zonën më të nxehtë të Kosovës, pikërisht në Mitrovicë është përuruar monumenti i patriotit Isa Boletini, duke e kthyer atë në vendlindjen e tij për 100 vjetor. I pranishëm në këtë ceremoni, kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij e vlerësoi lart kontributin dhe veprën së tij në Pavarësinë e Shqipërisë. Sipas Bashës burra si ai vijnë rrallë e vepra e tyre mbetet përjetë.
“Isa Boletini ishte një vazhdim mali dhe cdo fëmijë e di se malet nuk crrënjosen. Fshati Boletin prej kohësh ka qenë i famshëm, kulla e Isës do të faktonte edhe dije, zgjim dhe vetëdije kombëtare. Kjo kullë e madhe ishte si një vazhdim mali, edhe Isa Boletini si një diamant i historisë shqiptare shkëlqen si ngahera, burra si ai lindin rrallë dhe ata janë mes nesh ngahera. Jam krenar që kam gjak si gjaku i tij dhe jam shqiptarë e bashkëkombës i tij. Ne sot e mot jemi me Isa Boletinin e Isa Boletini është me ne”- tha Basha.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se sot Isa Boletini kthehet në Mitrovicën e tij dhe përmendi arritjet e Shqipërisë në këto 100 vite që me të drejtë të festojmë si fitimtarë.
“Në këtë 100 vjetor, Shqipëria anëtare e NATO-s. Kosova ka hyrë në 5 vjetorin e pavarësisë së saj. Janë këto arritje historike për të cilat u flijuan brezat”- theksoi ai.
I pranishëm në këtë ceremoni kreu i BDI-së Ali Ahmeti vlerësoi figurën e Isa Boletinit, që u bë frymëzim për të gjithë luftëtarët dhe që nuk reshti për aspiratën kombëtare, ndërsa ritheksoi se integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe nuk mund të ketë ndarje territoresh për Kosovën.
Isa Boletini jetoi ne vitet 1864- 1916 dhe njihet si atdhetar i shquar, e organizator e udhëheqës i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar.