Përvjetorët e një titani të kulturës shqiptare

Ornela

Dr. Dorian Koçi*

 Çdo përvjetor i lindjes dhe vdekjes së  Fan Nolit, këtij kolosi të kulturës shqiptare, përbën një ngjarje të shënuar kulturore në hapësirat kulturore mbarë shqiptare. Për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj figure të papërsëritshme të panteonit akoma të pandërtuar shqiptar duhet të hedhësh vështrimin mbrapa për të parë se ç’trashëgimi dhe kulturë politike shqiptare kishin, shqiptarët para tij. Nëse gjatë një bisede me Konicën, Noli dhe Konica nuk kishin se me çfarë të krenoheshin përveçse një konservatorizmi mjeran sepse kultura politike dhe shoqërore ishte varfër përpara tyre, sot ne kemi mundësi që sa herë flasim për nocione të tilla të sjellim ndërmend figurën e këtyre dy kolosëve, por veçanërisht të Fan Nolit për veprën e gjithanshme të tij. Emri i tij Theofan (gr shfaqja e Zotit) shënjoi mesa duket në mënyrë të pashmangshme dhe shfaqjen e tij në qiejt e trazuar të ringjalljes së kulturës dhe politikës shqiptare. I dëshiruar dhe i anatemuar, i përgëzuar dhe i hidhëruar gjatë jetës, fati i tij nuk mund t’i shpëtonte fatit të gjithë atyre që kanë pasur si qëllim të jetës së tyre idealizmin se një ditë Shqipëria do të bëhet. I nderuar thellësisht pas vdekjes nëpër përvjetorë por i nderuar shumë pak në kulturën urbane të qyteteve tona, ai  mund t’u japë brezave të rinj vizionin e gjerë të tij që shtrihej që nga përkthimi dhe interpretimi i Biblës dhe ungjijve, e deri tek jeta dhe muzika e Bethovenit, nga krijimi i Kishës Autoqefale Shqiptare e deri tek përkthimi i Shekspirit, Servantesit, Bodlerit etj. I drejtë për së drejtë dhe i pakompromis për të vënë para idetë e tij ëndërronte që të sillte pak “Amerikë” në Ballkanin e trazuar nga qiejt e urrejtjes dhe dredhisë, nga masakrat dhe shpagimet e mërive të vjetra.Djali i Amerikës, Fan Noli kur ishte Kryeminstër në Shqipëri përvecse reformave do të kujdesej dhe për nderimin e memories historike amerikano-shqiptare. Të hënën e datës 5 gusht, 1924 revista e njohur TIMES në SH.B.A botonte një lajm të shkurtër telegrafik që përmbante një lajm të shkurtër por shumë të rëndësishëm për Shqipërinë. “Kryeministri Fan Noli i Shqipërisë ka bërë një ndryshim gjithëpërfshirës në vendin që udhëheq. Në nder të ish-presidentit WoodroëWilson, porti i Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri në Wilson. Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e paqes të vitit 1919”. Në vazhdën e politikës izocionaliste që kishte përfshirë SH.B.A pas presidencës së Wilsonit (1914-1921) ka të ngjarë që ky lajm të ketë pa u vënë re nga politika amerikane. Por edhe për politikën shqiptare të kohës që e  prodhoi këtë lajm ai ishte më tepër  një veprim simbolik  për të shprehur mirënjohjen ndaj SH.B.A sesa veprim për të përfituar politikisht siç ka ndodhur rëndom më vonë në politikat e lobigjenve të politikanëve shqiptarëve. Në Shqipëri në fuqi si Kryeministër i vendit ishte Fan Noli, një nga djemtë e Amerikës. Ai sëbashku me Faik Konicën dhe të tjerë korifej të Vatrës kishin sjellë një erë modernizmi në politikën e kulturën politike shqiptare.Nga SHBA-ja kishin ardhur idetë në vitet 20’, ku Shqipëria kish eksperimentuar për herë të parë me zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes veprimtarisë dhe publicistikës së dy nga korifenjve të ”Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në mendimin politik, filozofik dhe kulturor të Shqipërisë.

Por fatkeqësisht e kuptuan shumë pak bashkëkohësit e tij në vitet 1920-1924. Iu duk i çuditshëm , si i rënë nga qielli kur u thoshte se pasuria nëntokësore që gjendej në tokë të bejlerëve u përkiste të gjithëve dhe shteti do bënte më të mirën për ta shitur e për të përfituar të gjithë. Iu duk i pafuqishëm ky njeri që thoshte që do u jepte tokë dhe ndërsa fuqitë e Vrangelit dhe bateritë serbe rrihnin kryeqytetin për të sjellë Zogollin,ai luante me oboe dhe lutej që “fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”.  E deshën shumë pak e deshën fqinjët se do u vinte kufirin tek thana ndaj u bënë të gjithë bashkë me Pashic , Musolinin e qeveritarë grekë për të mos e njohur e për ta përmbysur. Mirëpo këtë mëri të fqinjëve, ata të tjerët që kishin rendur në Beograd nga zemërimi popullor i vrasjes së Avni Rustemit e quanin “legjitime”,politikë të drejtë dhe sukses të tyre. E cilësuan aventurier sepse kërkonte të sillte qytetërim dhe barazi në një vend që s’kish ndryshuar për qindra vite me radhë. Gëzonin dhe fërkonin duart që ai si njihte dredhitë e vogla orientale të mësuar në oborre pashallarësh dhe që u jepnin përparësi që pushtetin e tyre ta shisnin për përparim. Disa historianë e quajnë sot këtë gjë, zotësi të kundërshtarëve të tij, zgjuarsi që buronte nga natyra e tyre popullore. Në fakt nuk është çudi që prej shekujsh në Shqipëri adhurohet i ligu dhe hileqari që ka mundësi të ta hedhë dhe poshtërojë sesa vizionari dhe misionari që mundohet të mbjellë farën  e ndryshimit. Fati i personazhit të quajtur Plug të Konicës në “Katër Përralla nga Zuzulandi” ka ndjekur gjithmonë fatin e idealistëve në Shqipëri.Këtë aspekt e kuptuan të gjithë ata që gjykonin ngjarjet e vitit 1924 përfshirë dhe ata që e kritikuan më vonë. Faik Konica në kabllogramin e dërguar në emër të Vatrës në 30 dhjetor 1924 në Hotelin Ëindsor në Bari ku Noli qëndronte pas largimit të detyruar të tij nga Shqipëria shkruante se “luftuat një betejë fisnike për përparimin, qytetërimin e indipendencën e Shqipërisë. Me kohë dhe me largim, populli shqiptar ka për ta çmuar më mirë çkini bërë për të… Që u mundët është faji i bashkëpunëtorëve tuaj, të cilët duken aq qesharakë, sa dukeni i madh”.

Shqipëria si vend, me shtresëzimet e veta sociale ka habitur, jo vetëm të huajt që kanë shkruar për karekterin e veçantë të shqiptarëve në raport me popullsitë e tjera në Ballkan por edhe vet politikanët që kanë udhëhequr dhe përfaqësuar për momente të caktuara vullnetin e shqiptarëve. Duket se mungesa e jetesës së gjithë popullsisë nën një influencë të vetëm shtetërore e fetare , kapërcimi i rendeve të ndryshëm shoqërorë pa u thelluar aspak në asnjërin prej tyre, traditat e ndryshme të pushteteve politikë, administrativë e gjyqësorë duke filluar nga ai i  despotëve të pavarur bizantinë ,traditës venedikase me Këshillin e të dhjetëve,pushtetit lokal të venomeve dhe Kanuneve, dhe pushtetit perandorak otoman nën presionin e një modernizimi të ethshëm të ardhur nga Europa, kanë krijuar klimën e veçantë sui generis të shqiptarëve dhe sjelljeve të tyre sociale. Fan Noli si njohës i mirë i habitatit politik dhe social të Shqipëris, ish ministër e ish kryeministër , shkrimtar e historian në një bisedë me Eqerem bej Vlorën ia përshkruante kështu përvojat e tij nga qeverisja e bashkëpatriotëve të vet.“Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh beu mund të jetë një fshatar, fshatari një patric, të gjithëve nën ato gunat e lypësit iu duket vetja kalorës i barabartë dhe madhështor sa tjetri. Këtu ndryshimi mid is të pasurit dhe të varfrit, midis të fortit dhe të dobëtit fshihet nga ndjesia e dinjitetit të barabartë apo të përshtatjes. Këtu është sinori midis mënyrës europiane dhe asaj aziatike të jetës, midis koncepteve sociale gjermanike dhe latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane, këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha refleksionet e së kaluarës dhe të tashmes.”

Gjithsesi Fan Noli  s’u mërzit kurrë me vendin e vet e mbeti fisnik deri në palcë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin miserabël që kishin ndërtuar ‘’dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”. I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë. Ndjekjet e atyre që se deshën e përndoqën deri në Amerikë, ku hapnin fjalë se peshkopi që kish synuar reforma në vendin e vet ishte Peshkop i “kuq”, një akuze që i tejkalonte dhe përndjekjet e Komisionit MacCarthy dhe që shumë “studiues”të sotëm i përsërisin herë pas here si “pafajësisht” për të baraspeshuar traktatet e bashkëpunimit me të huajt që nënshkruan të tjerë. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane për Nolin do të ishin të një rëndësie të veçantë përgjatë gjithë jetës së tij. Ai nuk do të mënonte të ftonte dhe marrëdheniet me qeverinë komuniste të Tiranës në vitet 1946-1950 kur kjo qeveri nuk rivendosi marrëdheniet diplomatike me SH.B.A për shkakun absurd të ms njohjes së traktave të nënshkruara para luftës.  Për këtë arsye, disa herë ai komunikoi me udhëheqjen komuniste shqiptare nëpërmjet disa telegrameve. Noli këmbëngulte se për t’u pranuar në O.K.B dhe përshmangur rrezikun grek, Shqipërisë i duhej patjetër të kishte marrëdhënie të mira me aleatët britanikët dhe amerikanët. Pranimi i Shqipërisë në O.K.B. do siguronte një njohje kolektive të qeverisë shqiptare dhe rrjedhimisht, edhe sigurimin e tërësisë së saj territoriale. Në këtë kontekst, në mesazhin dërguar Enver Hoxhës, ai sugjeronte “pranimin e menjëhershëm të traktateve, i cili do të sillte automatikisht njohjen amerikane, pranimin në O.K.B. dhe mundësinë për të mbrojtur me sukses integritetin e Shqipërisë.” Mirëpo qeveria shqiptare vazhdonte të shprehte rezervat e veta për sa i përket pranimit të traktateve të nënshkruara para 7 prillit 1939 me SH.B.A. Këto rezerva, që në thelb, ishin qëndrime izolacionaliste. Ato shprehnin frikën dhe dyshimin ndaj perëndimorëve, por edhe tutelën diplomatike të vendosur nga Jugosllavia. Emigracioni shqiptar në Amerikë, Fan Noli dhe “Vatra”, qenë të pakënaqur nga delegacioni shqiptar i kryesuar nga Tuk Jakova dhe mënyra se si e ushtronte politikën e jashtme të Shqipërisë në kërkesën e saj për t’u anëtarësuar në O.K.B. Noli, duke parë mos reflektimin e qeverisë shqiptare për çështjen e traktateve, i shkroi një letër Enver Hoxhës më 30 shtator 1946. Në letër theksonte: U lodha duke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim dhe pa kondita sepse kjo është vetëm një çështje formule, pa rëndësi praktike.

Në fakt, Shqipëria nuk cenohej asgjëkund, nëse pranoheshin traktatet. Duket se ishte një frikë e ekzagjeruar dhe e imponuar prej jugosllavëve dhe sovjetikëve, sesa një realitet që më shumë do të ndikonte keq në ekonominë shqiptare. Vladimir Didejer, historian dhe njeri i afërt i Titos, pas prishjes shqiptaro-jugosllave do të shprehej në librin e vet, “Marrëdhëniet Shqiptaro-jugosllave 1939-1948”, të botuar në Beograd më 1949 se në qoftë se qeveria shqiptare do t’i kishte pranuar kushtet e traktateve, ‘qarqet financiare amerikane do ta kishin skllavëruar ekonomikisht Shqipërinë, përfundimisht.” Ky përfundim tingëllonte ironik, jo vetëm për faktin se Jugosllavia i kishte pranuar të gjitha traktatet për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me SH.B.A, por edhe sepse vetë Enver Hoxha deklaronte në pleniumin VI të PKSH, në prill 1946 se votimi i delegatit amerikan kundër pranimit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara lidhej me mospranimin e disa traktateve dypalëshe dhe sidomos, me atë të vitit 1922, për kombin e favorizuar, i cili praktikisht nuk ka gjetur zbatim”, ndërkohë u bënte të ditur të pranishmëve që të njëjtat traktate ishin pranuar nga Çekosllovakia dhe Jugosllavia.  Pra dukej qartë edhe sipas fjalëve të Hoxhës, që mosmiratimi i traktateve dhe varësia ekonomike e Shqipërisë nga SH.B.A ishte më shumë njëpretekst për të mos normalizuar marrëdhëniet ose në rastin më të mirë, për të imponuar kufizime ndaj Misionit Civil Amerikan. Për 45 vjet më radhë Shqipëria dhe SH.B.A nuk do të kishin marrëdhënie diplomatike dhe kësisoj Shqipëria ishte i vetmi vend në Lindjen komuniste që kish refuzuar vendosjen e marrëdhenieve diplomatike me SH.B.A pa Luftës së Dytë Botërore.

Kur e pyesnin Fan Nolin  sa ishte gjallë se kush ishte vepra e tij më e madhe, ai gjithnjë përgjigjej themelimi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare  edhe pse vepra të tjera të tij ishin po aq të mëdha në kulturën shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve. Një propozim i ardhur nga radha e intelektualëve patriotë ortodoksë në 1908, të cilët vuanin faktin se përveç që shqipja ndalohej nga autoritetet osmane, ata nuk mund ta praktikonin gjatë liturgjisë fetare, sepse ndalohej nga autoritetet kishtare greke, krijoi premisat e fillimit të punës titaniketë Nolit për themelimin e Kishës Autoqefale Ortodokse  Shqiptare.  Ata u ndodhën përpara një dileme, “nëse duhej të përqafonin një degë tjetër të kristianizmit që kështu të hiqnin qafe ndikimin grek dhe të fitonin proteksionin e fuqive dhe popujve të perëndimit?” (Po aty:169). Për këtë dilemë pati dy versione, gazeta Kombi e Bostonit propozoi “kthimin e shqiptarëve në ortodoksë unikë, domethënë të ruhej liturgjia ortodokse por të njihej Papa si udhëheqës suprem shpirtëror” (Po aty:169), një rast i tillë ishte popullsia e Shpatit në Elbasan, kurse shoqëria shqiptare e Egjiptit mbështeste “konvertimin në protestantizëm, e cila jo vetëm kishte pasues të fortë në perëndim por gjithashtu, duke qenë gjë e re në Shqipëri, mund të tërhiqte pasues nga të tre fetë.” (Po aty:169) Siç kuptohet dhe nga pyetjet dhe dilemat e ngritura identitetet e veçanta fetare kanë qenë një pengesë serioze për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe klasa intelektuale shqiptare ishte gati të bënte dhe kompromise të këtij lloji, të cilat natyrisht nuk dihet nëse do të priteshin mirë apo përqafoheshin nga populli i thjeshtë.Në fakt shqiptarët, nuk ishin të përgatitur për veprime të tilla, pasi ata nuk ishin aq të pjekur politikisht sa të ndërmerrnin një hap të tillë, ndaj në lëvizjen kombëtare shqiptare zuri vend më shumë propozimi i Fan Nolit, i cili nuk e shikonte problemin në ekzistencën e tre feve, por në faktin që “asnjëra nga besimet e njohura në Shqipëri nuk praktikohej në gjuhën shqipe dhe klerikët qenë armiq me njëri-tjetrin” (Po aty:169). Më andej Noli shtonte se “fatkeqësia nuk qëndron aq shumë në ndryshimin e feve sesa në krerët fetarë. Ata nuk duhen të jenë të huaj, por shqiptarë dhe patriotë”(Po aty:169). Këtu zë fill projekti i Nolit, i cili themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse shqiptare, duke e shkëputur nga ndikimi grek dhe u duke u dhënë një shembull të mirë edhe shqiptarëve të besimeve të tjera sesi mund të fitonin pavarësinë shpirtërore dhe forcimin e vetëdijes së tyre kombëtare.

Përvjetorët e Fan Nolit janë gjithmonë data të shënuara përkujtimore që risjellin në memorien e kombit rrugët e vështira të simbiozës së idesë kombëtare, lëvrimit të gjuhës e letërsisë shqipe e modernizimit të shtetndërtimit shqiptar. Noli për Faik Konicën do të ishte “Pa dyshim, shkrimtari i sotëm shqiptar më i rëndësishëm, reformator i kishës, gojëtar, udhëheqës politik, kompozitor muzike dhe njeri me shumë dhunti të tjera, i cili ka botuar përkthimin shqip të disa pjesëve të Shekspirit. ”Përmendja e disa prej disiplinave të ndryshme të dijes saktëson mendimin e pranuar prej kohësh se Fan Noli është figura e parë poliedrike e mendimit shqiptar.

 

Bibliografi:

  • “Jeta e Fan S. Nolit, Vellimi II, Ombra GVG, 2005
  • Revista TIMES, 5 gusht 1924
  • Faik Konica. Vepratëzgjedhura, Dituria, Tiranë, 1994.
  • Hamit Kaba. Nga luftanëpaqe,Shqipëriadhe SH.B.A (1939-1946). Akademia e Studimeve Albanologjike, InstititutiiHistorisë, Tiranë, 2021.
  • Stavro Skëndi. Zgjimi kombëtar i shqiptarëve. Tiranë : Phoenix : Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, 2000
  • Kujtime 1885-1925, IDK, Tiranë, 2010.

 

Fjala e mbajtur në aktivitetin “Fan Noli mes nesh” organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar.

 

 

 

 

Share This Article
3 Comments
  • I themi kollos, por per cudi ky nuk ka nje bust, pa lere shtatore qe meritojne kolloset! Per cudi eshte edhe themelusi i kishes autoqefale shqiptare dhe ajo perseri per cudi hesht pa lere ta kujtoj!? Janullatosi i kishes “Autoqefale” shqiptare e konsideron ate armikun kryesor te kishes greke! Paradokse shqiptare!?

  • I nderuar Dr Dorian Koci, Ditet tu befshin NJEMIJE me kete shkrim te persosur per figuren e ndritur te STit Tonin; Stilianin e madhe Fan Si Noli. KORIFEJ i figurave atdhetare se pari,shiqiptare,qe aqe bukur e profesionalisht e pershkruani ju me siper. (Mua ani se mesues,nje jete sot 85 vjecar,me vjen turp nga vetia,per mangesite qe kam,lidhur me kete figure,ani se e ADHUROJ). Ju faleminderit dhe ate qe THEKSONI Ju se nuk i eshte bere ajo qe duhet,per nderimin e tij,me nje KRYE MONUMENT sa kuture dhe HISTORIK-Atdhetar ne Vendin tone,keni te drejte. Ai eshte IDHELL i IDHUJVE NJERZORE! Duhet BERE. Mes emigranteve ne Toronto,ndodhem,pas cka ndodhen ne vendin tone,pa tjeter me mendie e Zemer ne atdhe dhe me ben krenar,rrespekti dhe velersimi i kesaj figure te shquar te atdheut tone.
    I perjetshem kujtimi i tij mes SHQIPERTAREVE te kudondodhur.
    Juve mirenjohie per kete shkrim MONUMENT!

    Per mbare emigrantet ne Toronto:

    Pasuesi Veteran 85 vjecart;
    Biri Dangellise Naimjane!

    Toronto 31-03-2021 Guri Naimit D.(Dh. Xhoga)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *