Për të kuptuar Vladimir Putinin duhet të njohësh një histori të ngjarë në Gjermaninë Lindore në një natë dramatike, pothuajse çerek shekulli më parë.
Ishte 5 dhjetor i 1989-ës dhe pak ditë pas rënies së murit të Berlinit komunizmi gjerman ishte në agoni dhe popullsia e zemëruar dukej se kishte marrë një forcë të parezistueshme. Në qytetin e Dresdenit, një turmë njerëzish sulmoi zyrën e Stasit, policia e frikshme sekrete, dhe më pas një grup i vogël manifestuesish u drejtua në zyrat e shërbimit sekretet sovjetik: KGB. “Roja që ishte në derë menjëherë u tërhoq brenda në shtëpi”, kujton një nga anëtarët e grupit, Siegfried Dannath. Por pak më vonë “u shfaq një zyrtar trupvogël, shumë nervoz”, thotë ai. “Na tha: ‘mos tentoni të hyni me forcë. Njerëzit e mi janë të armatosur dhe kanë autorizim të përdorin armët në rast emergjence’”, kujton Dannath. Dhe kjo mjaftoi që grupi të tërhiqej. Megjithatë zyrtari i KGB-së e dinte që rreziku nuk ishte larguar dhe më vonë do të tregonte që njoftoi zyrat qendrore që tanket e Ushtrisë së Kuqe të vendoseshin në zonën për mbrojtje.
Moska hesht
Përgjigja që mori i dha një goditje shkatërruese që i ndryshoi jetën. “Nuk mund të bëjmë asgjë pa urdhrat e Moskës”, tha një zë nga ana tjetër e linjës, “dhe Moska po hesht”. Që atëherë, “Moska po hesht”, e ka përndjekur atë burrë sfidues, por të pafuqishëm në 1989-ën, atë burrë që tani është shndërruar në presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. “Mendoj se është një ngjarje kyç për të kuptuar Putinin”, thotë autorit i biografisë së tij Boris Reitschuster. “Pa kohën që kaloi në Gjermaninë Lindore do të kishim një tjetër Putin dhe një tjetër Rusi”.
Mësime të rëndësishme
Në fakt, eksperienca i dha Putinit leksione që nuk i ka harruar. I dha ide për modelin e tij të shoqërisë dhe i forcoi ambiciet për pasuri personale, si dhe një rrjet të pushtetshëm kontaktesh. Por mbi të gjitha i dha një ankth të madh ndaj brishtësisë së elitave politike dhe lehtësisë me të cilat populli mund t’i përmbys ato. Putin kishte shkuar në Dresden në mes të viteve ’80 për punën e tij të parë jashtë shtetit si agjent i KGB-së. Republika Demokratike Gjermane (RDGJ) një shtet komunist i vendosur në zonën me ndikim sovjetik pas rrëzimit të Gjermanisë Naziste, ishte shumë e rëndësishme për Moskën dhe ishte e mbushur me spiunë dhe ushtarakë. Që në rini Putin gjithmonë ka dashur të ishte pjesë e KGB-së, i frymëzuar nga historitë heroike në të cilat, siç do ta kujtonte më vonë, “përpjekja e një burri mund të arrinte atë që nuk mund të arrinin ushtritë dhe një spiun mund të vendoste fatin e mijëra peronave”. Shumë nga puna e spiunazhit që duhet të bënte në Dresden nuk ishte veçanërisht emocionuese, por të paktën ai dhe familja e tij e re mund të shijonin jetën e mirë në Gjermaninë Lindore shumë ndryshe nga ajo në Bashkimin e Republikave Socialiste sovjetike. “Rrugët ishin të pastra. Dritaret laheshin një herë në javë”, kujton gruaja e tij e atëhershme Ludmila, në një intervistë të publikuar në vitin 2000 si pjesë e librit autobiografik “Ot pérvogo litsá”, një përmbledhje intervistash me presidentin rus që atëherë ishte shumë më pak i njohur. Familja e Putinit jetonte në një ndërtesë me apartamente të veçanta, në të cilat kishin për fqinjë agjentë të tjerë të KGB-së, apo të Stasit. “Por duke gjykuar se si jetonin, agjentët e RDGJ-së kishin rroga më të larta se shumë nga djemtë tanë. Ne punonim për të kursyer, për të blerë një makinë”, kujton Ludmila. Dhe jo vetëm standardet më të larta të jetës diferenconin Gjermaninë nga lindja e Bashkimit Sovjetik: RDGJ gjithashtu lejonte ekzistencën e disa partive politike pavarësisht se funksiononte si një regjim komunist. “Për Putinin ishte si një parajsë e vogël dhe e shijonte shumë”, thotë Boris Reitschuster. “Ai rikonstruktoi një farë RDGJ-je në Rusinë e stome”.
Megjithatë në vjeshtën e 1989-së parajsa filloi të shndërrohej në një lloj ferri për KGB-në. Dhe Putini filloi të shihte në rrugët e Dresdenit njerëz që silleshin në forma të pakuptueshme dhe të papranueshme për të. Në fillim të tetorit, për shembull, qindra qytetarë të Gjermanisë Lindore që kishin kërkuar azil në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Pragë u lejuan të udhëtojnë për në Gjermani me tren. Trenat ishin të mbyllur, por duke kaluar përmes Dresdenit një turmë u përpoq të thyente kordonët e sigurisë që kërkonin t’i ndalonin. Sipas kryetarit komunist të kohës, Wolfgang Berghofer, në qytet mbretëronte kaosi dhe shumë supozonin se dhuna ishte e pashmangshme. “Ishte një batalion me tanke sovjetikë të stacionuar në qytet”, kujton ai. “Dhe gjeneralët më kishin thënë qartazi: “Nëse Moska jep urdhër, tanket do të vijnë”. Dhe Vladimir Putin ishte sigurisht i bindur se zyrtarët sovjetikë, të cilët i njihte dhe kishte punuar, nuk do të hezitonin të hynin në aksion. Por jo: Moska nën pushtetin e Mikhail Gorbaçovit, heshtte. Tanket e Ushtrisë së Kuqe nuk dolën kurrë në rrugë. Askush nuk i mbrojti agjentët e KGB-së. Putini dhe kolegët e tij punuan çmendurisht për të djegur çdo dëshmi të punës së tyre të inteligjencës. “Unë personalisht kam djegur shumë material”, kujton më pas Putin në librin e tij. “Dogjëm aq shumë sende sa që shpërtheu furra”, thotë ai.
Një jetë e re
Kolapsi i Gjermanisë Lindore në muajt e mëvonshëm pati një ndikim të madh tek ai dhe familja e tij. “Kishim ndjesinë e tmerrshme se vendi që ishte bërë pothuajse shtëpia jonë, nuk ekzistonte më”, kujton gruaja e tij, Ludmila. “Fqinji im, i cili ishte edhe shoku im, qau për një javë. Po shembej gjithçka që kishin: karrierat, jetët e tyre”, thotë ajo. Dhe një nga kontaktet kryesore të Putinit në Stasi, Gjeneral Major Horst Boehm, u poshtërua nga protestuesit dhe përfundoi duke kryer vetëvrasje menjëherë më pas. Gjatë kthimit në shtëpi, Putini mundi të reflektojë mbi atë që mund të ndodhë kur pushteti i popullit bëhet dominant. “Miqtë e tij gjermanë i dhanë një lavatriçe të vjetër dhe me të u kthyen përsëri në Leningrad”, thotë shkrimtarja dhe kritikja e Putinit Masha Gessen. “Iku duke ndjerë se i kishte shërbyer vendit të tij dhe nuk kishte asgjë për të treguar”, shton ajo. Dhe u kthye në një vend që ishte gjithashtu në prag të kolapsit dhe kishte ndryshuar në mënyrë radikale nën pushtetin e Mikhail Gorbachev. Në fjalët e Gessen: “Ai gjeti një vend që kishte ndryshuar në mënyra që nuk i kuptonte dhe nuk donte t’i pranonte”.
Kontaktet dhe frika
Çfarë mund të bënte Putini në qytetin e tij të vjetër, tani riemëruar Shën Petersburg? Të ngiste një taksi ishte një mundësi që e kishte marrë në konsideratë për pak kohë. Por Putin shpejt e kuptoi se nga Gjermania kishte sjellë më shumë se një lavatriçe të vjetër. Në Dresden kishte qenë pjesë e një rrjeti individësh, të cilët tashmë kishin një pozicion të mirë për të ecur përpara politikisht dhe ekonomikisht në Rusinë e re. Dhe sipas Profesoreshës në Universitetin e Majamit, Karen Daëisha, autore e “Kleptokracia e Putinit”, shumë prej njerëzve që takoi në Dresden tani janë pjesë e rrethit të tij intim. Lista përfshin Sergei Chemezov, i cili për vite menaxhoi Agjencinë e Eksporteve të Armëve të Rusisë dhe Nikolai Tokarev, i cili drejtonte kompaninë shtetërore “Transneft”. Lista përfshin jo vetëm rusët: Matthias Warnig, një ish zyrtar i Stasit, që besohet se ishte në Dresden në të njëjtën kohë me Putin, është aktualisht Kreu i “Nord Stream”, tubacionit që çon gazin rus në Gjermani përmes Deti Baltik. Për më tepër, shumë analistë besojnë se ngjarje të tilla si kryengritjet popullore në sheshin Maidan në Ukrainë kanë ringjallur kujtime të këqija për Putinin dhe sidomos ato të asaj nate dhjetori të 1989-ës në Dresden. “Unë mendoj se kur pa turmat në Kiev në 2014-ën, në Moskë në 2011-ën apo përsëri në Kiev në 2013, kujton kohën e tij në Dresden. Dhe e gjithë frika e vjetër rikthehet”, thotë Reitschuster. Dhe brenda tij gjithashtu ndoshta është kujtimi se si ndryshimi mund të bëhet jo vetëm me forcë, por edhe me ndjenja. Në 1989 Vladimir Putin ishte dëshmitar se si ndjenja patriotike, e kombinuar me dëshirën për demokraci, ishin shumë më të fuqishme se ideologjia komuniste. Dhe kështu kur pyetet se çfarë mund të bëjë Putin më pas, ia vlen të kujtohet ajo që ai ka jetuar. Dhe një gjë është e sigurt: Ndërkohë që Vladimir Putin mban çelësat e Kremlinit, ka pak gjasa që Moska të hesht sërish.
Përgatiti: Ornela Jaupi


Moska i dhuroi Gjermanise Federale pa lufte Gjermanine Lindore , NDERSA EUROPA DHE AMERIKA NUK TE DHUROJNE ASGJE PA DERDHUR GJAK (SHEMBULL NDARJA E ISH JUGOSLLAVISE DHE ( FORMIMI I SHTETIT KOSOVES ) KU PERFSHI EDHE SHQIPERIA NE LUFTE SI EKONOMIKE DHE CIVILE !
Qenke i mecur, gamor-o, fjale me vend dhe PIKE.