Konferenca me temën e fryrë “Për reformimin e sistemit gjyqësor” mbaroi njëlloj sikur të mos kishte filluar, pasi, siç thotë populli “u mbars mali dhe polli një mi”. As një mi nuk polli dot. Çudia e parë qe fjalimi i kryetarit de jure të PD-së, z.Basha. Në të ranë në sy disa çaste që këdo duhet ta vërë në mendime. Ai tha se qeveria, domethënë shumica, domethënë Kuvendi i Shqipërisë, nuk duhet të merret me gjyqësorin dhe, “reformën në drejtësi duhet t’ia lëmë në dorë vetë sistemit të drejtësisë”(!). Është vërtet një tallje e trashë me të gjithë ata njerëz të thjeshtë që, duke mos pasur të paguajnë, enden e nden për vite e vite dhe nuk fitojnë dot pronën e trashëguar nga të parët e tyre, ndërkohë që bëhen pronarë ata që mbushin xhepat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar. Për ta vërtetuar këtë unë nuk duhet të gërmoj larg dhe thellë pasi kam përvojën time të hidhur, e cila nuk është objekt i këtij shkrimi, por vetëm dua të tregoj se si rezultat i makinacioneve gjyqësore dhe avokatore, pas trembëdhjetë vjet ecejakesh nëpër dyert e gjykatave, tokën time të trashëguar në Skelë të Vlorës, dhe jo pak por 2075 m katror, e mori, me dokumente të falsifikuara, dhe të vërtetuara në prokurori si të tilla, një person që nuk kishte fare lidhje me të, por kishte para dhe ka ndërtuar në të dy pallate trembëdhjetë katëshe, ku kanë marrë hyrje (shpërblim) të gjithë avokatët, prokurorët dhe gjykatësit që kontribuuan në këtë pisllëk të (pa)drejtësisë sonë. E pra, Basha kërkon që këta gjyqtarë të bëjnë reformën! Çështja e dytë që ra në sy ishte kërkesa e Bashës që drejtësia të jetë e pavarur. Bukur. Por, nuk na thotë ai, sot a është vallë e pavarur ajo? A nuk e zgjodhi Berisha Presidentin e Republikës, po ai edhe kryetarin e KLD-së? A nuk e zgjodhi Berisha Prokurorin e Përgjithshëm? A nuk e zgjodhi Berisha Kryetarin e Gjykatës së Lartë? Gjyqtarët, përfshi edhe ata problematikët të korruptuar, a nuk i cakton KLD-ja e kapur nga Berisha?
Pas mbylljes së Konferencës ndodhi diçka, që shumëkujt nuk i shpëtoi pa e vënë re. Ndërsa të gjithë pjesëtarët e panelit drejtues të Konferencës u larguan nga dyert anësore, Basha zbriti në plate dhe me buzëqeshjen e shtirur, u takua me disa nga punonjësit e drejtësisë. Pse vallë ky dallim? Mendoj se donte t’i falënderonte ata për faktin që e kanë lënë të lirë, pasi në një shtet ligjor demokratik, për krimet e tij, kushdo do të ishte pas hekurave për një kohë të gjatë. Për të gjitha këto fakte, a nuk bëhet gjithnjë e më emergjente reforma e thellë në drejtësi?
Letër e nënshkruar, Guri Shyti
