Përzgjedhja e degëve ku duan të vijojnë studimet e larta në fakultetet publike, gjatë vitit të ri akademik do të kushtojë 2000 lekë. Kaq është fatura që maturantët duhet të paguajnë në një nga bankat e nivelit të dytë, ose dhe në Postën Shqiptare për të hyrë në garën që i çon ata drejt ndjekjes së studimeve të larta me pikët e fituara në provimet e maturës shtetërore. Autoritetet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve kanë zbardhur gjatë ditës së djeshme “Paketën informuese për plotësimin e Formularit A2”, në të cilin maturantët do të listojnë 10 programet e tyre më të preferuara se ku duan të studiojnë. Mungesa e kësaj fature, (e cila duhet dorëzuar në shkollë në afatet e caktuara), nuk e lejon maturantin që të plotësojë formularin A2, plotësimi i të cilit është kusht i detyrueshëm për të mos rrezikuar ndjekjen e studimeve në një nga degët e preferuara. Pas shpalljes së formulës zyrtare me anë të cilës llogariten pikët për të vijuar universitetin në secilën preferencë, pjesë e paketës janë edhe llojet e koeficienteve të shkollës dhe të lëndëve me zgjedhje, që ndryshojnë për çdo program universitar. Për çdo degë të përzgjedhur në llogaritjen e pikëve finale maturanti duhet të shohë me kujdes edhe koeficientin e lëndës me zgjedhje dhe atë të shkollës, pasi në të kundërt nuk mund të bëjë një llogaritje të saktë të pikëve me të cilat do të konkurrojë për të vijuar universitetin. Për të mos lejuar përzgjedhjen e gabuar të degëve, pjesë e paketës është edhe tabela me pikët e fituesit të fundit të pranuar në secilin nga programet e studimeve universitare gjatë vitit të shkuar. Kështu, në bazë të pikëve të grumbulluara nga formula finale dhe listës së pikëve minimale maturanti mund të krijojë idenë e duhur se cilat janë degët që e çojnë atë më shpejt drejt universitetit. Ndërkohë që në këtë formë do të shmangë edhe përzgjedhjen e gabuar të degëve që e lënë atë jashtë universitetit. Në faqen zyrtare të AKP-së ëëë,akp.gov.al, gjeni të detajuar faturën për plotësimin e formularit A2, koeficientet dhe pikët e fituesit të fundit të pranuar gjatë vitit të shkuar. Deri në mbyllje të javës, MAS pritet të shpallë edhe kalendarin zyrtar të plotësimit të formularit A2 për të gjitha rrethet e vendit. Plotësimi edhe gjatë këtij viti do të bëhet tërësisht online në faqen zyrtare të dedikuar maturantëve. Krahas rezultateve të maturës, për degët që janë me konkurs një peshë të madhe në përzgjedhjen e fituesve do të luajnë edhe pikët e fituara në testimin special që do të zhvillohet në mbyllje të muajit gusht, ose në fillim të muajit shtator në varësi të llojit të programit. Sipas praktikave të viteve të shkuara pikët e konkursit kanë më shumë se 60 për qind të peshës në përzgjedhjen e kandidatëve që mund të vijojnë studimet e larta në këto programe. Megjithatë, ende nuk janë zbardhur rregulloret konkrete se si do të zhvillohen konkurset dhe se sa do jetë përqindja e rëndësisë së pikëve të konkursit në përzgjedhjen e fituesve.

Cilat jane deget te cilat e kane te nevojshem konkursin?